Sigurimet, kundër caktimit të çmimeve nga qeveria
Kompanitë e sigurimeve kërkojnë që qeveria të heqë dorë nga vendosja e çmimeve në këtë treg
Kompanitë e sigurimeve kërkojnë nga ana e ministrit të Financave që të tërheqë vendimin e tij për caktimin e çmimeve të policave të sigurimit të detyrueshëm motorik. Sipas këtij vendimi, gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një çmim minimal dhe një maksimal që mund të zbatohej nga ana e kompanive të sigurimeve. I vetmi ndryshim që i është bërë këtij vendimi, është vendosja e çmimit të një police sigurimi në bazë të fuqisë së saj motorike. Me anë të një letre drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elizabeta Gjoni, kryeministrit Sali Berisha, Camille Nuamah, Përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë, Shoqata e Sigurimeve i kërkoi qeverisë që të liberalizojë tregun.
“Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në mbledhjen e Asamblesë së Anëtarëve, organi më i lartë vendimmarrës i saj, diskutoi me shqetësim dhe seriozitet maksimal, problematikën e tregut të sigurimit të detyrueshëm. Duke marrë shkas nga një sërë problemesh në industrinë e sigurimeve, dhe në veçanti në sigurimet e detyrueshme motorike, që aktualisht prezanton rreth 75% të portofolit të tregut në përgjithësi, dhe duke i konsideruar të tejkaluara masat e ndërmarra kohë pas kohe, nga vetë operatorët dhe mbikëqyrja, anëtarët e Asamblesë së Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, vendosën unanimisht të propozojnë: liberalizimin e plotë të tarifave të produktit TPL”,- bëjnë të ditur kompanitë e sigurimit. Sipas kompanive të sigurimit, ligji për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë civile ndaj palëve të treta (TPL), është hartuar dhe ka hyrë në fuqi që në vitin 1991, periudhë kjo kur tregu i sigurimeve ka qenë i përfaqësuar vetëm nga 1 kompani shtetërore, dhe kur numri i mjeteve motorike ka qenë i papërfillshëm. “Dinamika e tregut shqiptar aktual të sigurimeve, e numrit të automjeteve në qarkullim, nuk mund të përballohet nga një ligj i hartuar 17 vjet me parë, ndaj ne kërkojmë, së pari, liberalizimin e tarifave të sigurimit TPL dhe, së dyti, hartimin e një ligji të ri mbi këtë produkt, që të ezaurojë nevojat e tregut, operatorëve, konsumatoreve dhe shërbimeve të ofruara sipas standardeve dhe direktivave të BE”,- bëjnë të ditur kompanitë.