Haxhia: Kthehem në Shqipëri nëse rihapet dosja Hajdari
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, kërkon nga drejtësia shqiptare rihapjen e dosjes për vrasjen e Azem Hajdarit
TIRANË- Ziet Haxhiaj, ish- truproja personale e Sali Berishës, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, ka vënë si kusht për tu kthyer në Shqipëri rihapjen e hetimeve. Ai ka dalë pak ditë më parë përpara Gjykatës Administrative të shtetit turk, e cila po shqyrton kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradimin e tij. Ky lajm konfirmohet nga burimet e rezervuara të zyrës së marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. “Shteti turk ka sjellë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë procesverbalet e seancës gjyqësore të Gjykatës Administrative në Turqi, ku është shqyrtuar kërkesa për azilin politik të kërkuar nga i dënuari Izet Haxhia, i cili ka kërkuar nga drejtësia turke të mos ekstradohet në Shqipëri, pasi vendimi i dhënë ndaj tij me 25 vjet burg ka qenë politik”,- thanë burimet e prokurorisë.
***
Sipas tyre, në procesverbalet e ardhura nga Turqia, i dënuari ka refuzuar ardhjen në Shqipëri për të vuajtur dënimin duke e quajtur vendimin e dhënë ndaj tij si një vendim politik të ndikuar nga pushteti i atëhershëm dhe ka kërkuar azil politik. Gjithashtu, mësohet se ndër të tjera, gjatë marrjes në pyetje nga togat e zeza në lidhje me ekstradimin e tij, i dënuari Haxhia është shprehur se “nuk dua të kthehem në burg në Shqipëri, pasi atje jam dënuar në mungesë duke mos mi respektuar të drejtat që më jep ligji. Përveç kësaj, atje jam dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit, të cilët janë ndikuar nga politika. Unë pranoj të kthehem në Shqipëri vetëm nëse rihapet dosja dhe më premtohet një gjykim i drejtë dhe i barabartë.
Do të paraqes prova dhe dëshmitarë që vërtetoj që unë nuk kam qenë te selia e Partisë Demokratike në kohën e vrasjes dhe nuk kam urdhëruar vrasjen e deputetit Azem Hajdari”,- mësohet të këtë thënë Haxhia para Gjykatës Administrative në Turqi. Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë të kontaktuar nga “Shekulli” mohojnë ardhjen e të tilla procesverbaleve, duke u shprehur se “deri tani nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë çështje. Ajo po gjykohet në Turqi për kërkesën që shteti shqiptar ka bërë për ekstradimin e shtetasit Izet Haxhia dhe nuk ka ende një përfundim në lidhje me kërkesën tonë”,- thuhet nga zyra e shtypit të Ministrisë së Drejtësisë.
***
Ndërkohë, edhe personat pranë të afërmeve të familjes Haxhia konfirmuan se “Izet Haxhia ka kërkuar të mos ekstradohet në Shqipëri për deri sa dosja nuk rihapet. Në momentin që dosja hapet dhe atij i premtohet një gjykim i drejtë, ai mund të vijë të vërtetojë pafajësinë e tij”. Gjithashtu, nga këto burime konfirmohet se Izet Haxhia kërkesën për mos ekstradim, e ka bazuar në një precedent të dhënë nga Gjykata e Strasburgut ndaj Italisë për gjykimin në mungesë si dhe deklarata të politikanëve të kohës në lidhje me këtë vrasje, e cilësuar në atë kohë si vrasja e shekullit. Sipas vendimit të dhënë nga drejtësia shqiptare, Izet Haxhia ka marrë pjesë si bashkëpunëtor në vrasjen 12 shtatorit të vitit 1998 ndaj deputetit Azem Hajdari dhe për këtë bashkëpunim, ai është dënuar me 25 vjet burg në mungesë. Çështja ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje ka marrë formën e prerë në Gjykatat shqiptare dhe tashmë ndodhet në gjykim pranë Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku pritet vetëm dhënia e vendimit për këtë çështje me të pandehur, Jaho Mulosmani, Izet Haxhia dhe Ismet Haxhia.
VRASJA
Si u vra 10 vjet më parë ish- deputeti dhe një nga iniciatorët e protestave që sollën ndryshimin e regjimeve
Ekzekutimi i Azem Hajdarit pranë selisë së PD
TIRANË- Vrasja ka ndodhur më datën 12 shtator të vitit 1998 rreth orës 21:15 minuta pranë selisë së PD-së, ku është vrarë deputeti Azem Hajdari, Besim Çera dhe u plagos Zenel Neza. Sipas organit të akuzës, Mulosmani është cilësuar si organizator dhe ekzekutor, ndërsa të katër të pandehurit e tjerë në rolin e ndihmësit. Jaho Mulosmani ka takuar Fatmir Haklajn (tashmë i vrarë), i cili i ka kërkuar ish-shefit të rendit në Komisariatin e Tropojës t‘i vinte në dispozicion një makinë, për të shkuar së bashku në Tiranë. Një ditë më pas, rreth, orës 19:00, dy makinat, njëra “Mercedes Benz”, me targa VL 0676 B, në të cilën ndodheshin Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj dhe Naim Cangu, ndërsa tjetra tip IVECO policie, ku ndodheshin shoferi i saj, dëshmitari Agim Logu, Izet Haxhia, Halil Haklaj dhe Elez Haklaj, pasi kanë lëvizur rreth qendrës së Tiranës, makina tip IVECO ka ndaluar afër ushtarit të panjohur, pranë kinema “Partizani”, ndërsa makina tip “Mercedes Benz” ka ndaluar pranë selisë së PD-së. Sipas vendimit, kanë pritur atje për një kohë dhe rreth orës 21:15 shohin se nga selia e Partisë Demokratike doli deputeti Azem Hajdari, i shoqëruar nga truproja e tij, Besim Çera, dhe më pas bashkohet me ta dhe Zenel Neza, e që të tre së bashku drejtohen për nga vendi ku kishte ndaluar makina, në të cilën ndodheshin Mulosmani, Haklaj dhe Cangu. Sapo Azem Hajdari afrohet te makina në fjalë, prej saj dalin menjëherë Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Naim Cangu, duke qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Azem Hajdarit dhe Besim Çerës dhe duke plagosur rëndë Zenel Nezën. Ndërsa plagoset rëndë, nga Fatmir Haklaj, Naim Cangunga plagët e marra vdes në spital.