E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vihet në kërkim të çmimit të tokave

 Kryeministri deklaron absurde çmimet aktuale të referencës përcaktuar nga qeveria e tij për shitblerjen e tokave

Berisha: Të ndryshohet ligji sa më shpejt, mundësisht që javën që vjen. Mos ecni më me formula kryekomunarësh

“Këtu tokat as nuk shiten e as nuk blihen, sepse janë shumë shtrenjtë”. Kjo qe përgjigjja që morën nga Besimi, një fshatar i vjetër tiranas në komunën Dajt, përgjatë segmentit rrugor që të çon nga Uzina e Autotraktorëve për në fshatin Surel. “Çmimet janë 120 ose 150 euro për metër katror. Ndonjërit, mund t’ia marrësh edhe për një çapë bukë, për tridhjetë a dyzet mijë lekë metri katror”,- vijoi ai.

Ky është modeli tipik i muhabetit të parë në shitblerjen e tokave në zonat përreth Tiranës. Pak më tutje, në një klub fshati, dikush po fliste me zë të lartë në celular: “Të betohem, dokumentet janë në rregull! I gjithë fisi do të të japë një deklaratë noteriale se është dakord që ti ta blesh tokën. Që sot do të marr fadromën për të hapur rrugën. Për nëntëdhjetë e nëntë vjet nuk do të kesh probleme”. Toka në fjalë qe shitur për 30 euro metri katror.

Tregu i tokave është në lulëzim përreth Tiranës. Megjithatë, kohët e fundit, shitblerja është bërë një procedurë e vështirë. Qeveria ka vendosur taksë 10% mbi çmimin e blerjes dhe ka vendosur një çmim reference për çdo tokë në Republikë.

Pak më tutje, te pika e karburantit të Saukut, një agjenci shitblerje pronash të paluajtshme ka oferta të bollshme. Vijojnë nga 40 deri në 60 euro për metër katror. Por tregu ka oportunitete, dhe anëtarët e qeverisë e kanë shumë të qartë këtë. P.sh., sipas deklarimit të pasurive, shumë ministra e deputetë kanë blerë apartamente me çmime të deklaruara shumë herë më të ulëta sesa çmimet e referencës të qeverisë “Berisha”. Sipas deklarimit të pasurisë, një familjar i Kryeministrit, ka blerë një apartament në qendër të Tiranës për 700 euro për metër katror, në një kohë kur çmimi i referencës përcaktuar nga qeveria me VKM, për të njëjtin apartament, është 1200 euro për metër katror.

Duket qartë se çmimet e referencës që janë miratuar me vendim qeverie, kanë marrë për bazë fjalën e Agronit. Tatimet, thonë se janë të lirë të marrin për informacion ligjor për çmimet e pronave, “të dhënat e gazetave, të dhënat e agjencive të pronave të paluajtshme e informacione të tjera”, pra, ligjërisht, mund të marrin për bazë edhe fjalët e Agronit në lokalin e tij simpatik në kufirin mes Komunës së Farkës dhe Komunës së Dajtit.

Për komunat në fjalë, çmimet e referencës të qeverisë variojnë në 2-3 euro për metër katror. Për kullotat, çmimet e referencës janë 1-1.5 euro për m2. Për fshatin Linzë, çmimet e referencës janë 10-15 euro për m2. Siç dallohet, çmimet e qeverisë janë ose shumë herë më të larta sesa vlera reale, ose shumë herë më të ulëta. Në ndonjë rast të rrallë, mund të gjesh një çmim të saktë.

Dje, për herë të dytë brenda pak ditësh, kryeministri Berisha e pranoi se sa absurde janë këto çmime reference, por duket se ka një interes të dyfishtë edhe në këtë çështje. “Zoti ministër i Drejtësisë dhe i Financave,- theksoi Kryeministri- është bërë emergjente vendosja e praktikës së vlerësimit të tokës, sipas tregut dhe jo sipas formulave absurde dhe kryetarëve të komunave. Në qoftë se toka kushton 10 euro, sipas formulës, ajo shkon 150 euro”.

Deklarata e z.Berisha mbart një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë, është që Kryeministri po reflekton ndaj një problemi konkret. Lajmi i keq, është që Kryeministri vijon të besojë se mund të gjejë çmimin e tregut, gjë që në teorinë e ekonomisë së tregut, është matematikisht e pamundur.

Emfiteozë në vend të shitjes

Për të shmangur tatimet, veçanërisht në rastet e referencave absurde, shumë qytetarë kanë “zbuluar” skemën ligjore të qerasë 99 vjeçare. Është një metodë jo shumë e njohur, por shumë praktike për rastin konkret për shkak se qiratë afatgjata regjistrohen në Hipotekë, kanë vlerë ligjore njësoj si titulli i pronësisë dhe, mbi të gjitha, nuk kanë çmime reference.

Biznes i rrezikshëm

Kohët e fundit, shitblerja e tokave përreth Tiranës është bërë një biznes gjithnjë e më shumë i rrezikshëm. Pak javë më parë, kreu dhe ish-kreu i Komunës së Kasharit, gjithashtu e mirënjohur për tregti tokash, u arrestuan. Ato u akuzuan se patën përvetësuar 173 mijë metra katrorë tokë, me vlerë të përbashkët rreth 20 milionë euro. Prokuroria po heton edhe për një vrasje të mundshme të kryer thjesht për vjedhje tokash. Edhe disa kryetarë komunash të tjera janë nën hetim. Së paku në një komunë, shitblerja është pezulluar për shkak të hetimeve.

Taksa me formula

Taksat e vendosura aktualisht me tre VKM, të cilat shërbejnë edhe si çmime reference për kthimin dhe kompensimin e tokave, janë asgjë më pak sesa një degjenerim i formulave të hartuara nga z.Sokrat Sinaj, ish-kryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Z.Sinaj tentoi të zbatonte teorinë e çmimit sipas fryteve të tokës. Kjo teori merr parasysh normën e fitimit që toka jep në rast se përdoret për bujqësi ose për ndërtim. Z.Sinaj nxori vetëm dy-tre shembuj të vlerës konkrete të tokës bujqësore dhe doli në konkluzionin se, një tokë bujqësore e Klasit të Parë, në zonën më pjellore të Shqipërisë, duhet të ketë një çmim prej 500 lekësh për metër katror. Studimi qe shumë i respektueshëm nga pikëpamja shkencore, por përgjithësimet në ekonominë e tregut, zakonisht nuk sjellin ndonjë rezultat pranë së vërtetës. Qeveria e re, me synimin për të shpejtuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, zbatoi këtë formulë me të shpejtë për të gjithë territorin e vendit.

Për tokat bujqësore, çmimet variojnë te rreth 4 euro për metër katror, por përfshijnë të gjithë territorin e komunës, pa marrë parasysh nëse është tokë e frytshme apo tokë e pafrytshme.

Nuk është e qartë nëse me deklaratat e tij të herëpashershme mbi këtë problem, Kryeministri dëshiron të ulë çmimet e kompensimit të ish-pronarëve apo dëshiron të ulë taksat për qytetarët që shesin e blejnë prona të paluajtshme.

Me këto vendime, qeveria ka marrë guximin të gjejë çmimin e tokës në zonat më të largëta të vendit, përfshirë fshatra emrat e të cilave nuk gjenden asgjëkund. Është caktuar çmim reference prej 91 lekësh për m2 për tokën bujqësore në fshatin Mner i Sipërm, (prapa Dajtit), një vend ku me të vërtetë traktori shkon vetëm në behar.

Përpjekjet e qeverisë së sotme për të gjetur “çmimet e tregut” më sjellin ndër mend një shprehje lapidare të liberalistit Milton Friedman, teoritë e të cilit joshën shqiptarët dhe ndihmuan qeverinë e sotme të merrte pushtetin në 2005: “Zgjidhja që qeveritë i japin një problemi, zakonisht, është po aq e keqe sa vetë problemi”.

Sipas këtyre formulave, për çdo dynym tokë të blerë, duhet të paguash 50-60 mijë lekë të rinj taksë, pavarësisht çmimit të blerjes. Në rastet e trojeve urbane, çmimet e referencës janë akoma më absurde. Për pasojë, një sasi e konsiderueshme tokash e trojesh kanë dalë nga tregu për shkak të çmimeve të larta të taksave, gjë që ka ulur ofertën.

Që nga viti 1994, janë hartuar disa ligje si dhe janë ndërtuar disa institucione për “zonat e lira”

Qeveria miraton për herë të disatë parqet industriale

Këshilli i Ministrave miratoi dje, në mbledhjen e tij të radhës, ngritjen e 6 parqeve industriale në disa zona të rëndësishme të vendit. Vendimet përcaktojnë si autoritet kontraktues Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për ngritjen e parqeve industriale në Shëngjin, Koplik, Spitallë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Kjo është hera e katërt, brenda 15 viteve të fundit, që qeveritë e ndryshme kanë tentuar të krijojnë parqe industriale, por deri më sot, këto parqe kanë mbetur në letër. Herën e parë, një ligj i posaçëm u miratua në vitin 1994, por mbeti thjeshtë letër. Në vitin 2001, ideja u kthye përsëri në lojë, kësaj here me vende konkrete. Zonat e lira industriale duhej të ndërtoheshin në Durrës, (me synim industrinë ri-eksportuese të veshjeve dhe këpucëve), Vlorën, (me destinacion transportin rajonal të lëndëve energjetike), Elbasanin, (për çimenton e hekurin) dhe Koplikun, (për industri të lehtë). Qeveria e z.Berisha shtoi në këtë listë edhe dy zona të tjera, zonën e Spitallës në Durrës, si dhe Shëngjinin.

“Vendimi do të jetë një shtysë e re e madhe për zhvillimin e bizneseve në Shqipëri. Ai krijon të gjitha lehtësirat infrastrukturore për bizneset në këto zona. Shteti është i gatshëm të investojë në të gjithë infrastrukturën, por menaxhimin do t’ua japë kompanive private”,- u shpreh Kryeministri, duke theksuar se kompanitë private janë të gatshme dhe të interesuara për secilin prej këtyre parqeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›