Gjykata konfiskon pasurinë e Ilir Koçiajt
I arrestuari po gjykohet për trafik lëndësh narkotike. Pronat e sekuestruara janë blerë me paratë e drogës
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi konfiskimin e pasurisë së të pandehurit Ilir Koçiaj, i akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, gjyqi ndaj të cilit vazhdon nga themeli pranë kësaj gjykate. Kështu, mesditën e djeshme, gjyqtari Fran Prendi, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për konfiskimin e pasurisë së të pandehurit Ilir Koçiaj, vendosi të pranojë këtë kërkesë duke ia konfiskuar makinën e tipit “Mercedes Benz” dhe një llogari bankare me vlerë rreth 45 milionë lekë të vjetra. Pasuri e cila i kaloi nën pronësi të shtetit, pronësi e cila pritet të hyjë në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Ndërkaq, vetëm 10 ditë më parë, po kjo gjykatë vendosi të konfiskojë edhe dy apartamente dhe dy garazhe që ndodhen në rrugën e “Elbasanit”, të cilat figuruan nën pronësi të të pandehurit Koçiaj. Ndërkohë, vetë i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës ka kërkuar nga kjo gjykatë që këto prona të mos konfiskohen pasi janë ngritur apo blerë nga buxheti i familjes Koçiaj, buxhet ky i siguruar në mënyrë të ndershme nga puna disavjeçare. Kështu, gjatë ditës së djeshme, një orë para se gjykata të shprehet me vendim u lexuan konkluzionet e prokurorit të çështjes Adnan Xholi, i cili kërkoi konfiskimin e tyre, me pretendimin se e gjithë kjo pasuri është ngritur pas vitit 2003, vit ku mendohet se i pandehuri është marrë me aktivitetin kriminal të trafikut të drogës. Pas shqyrtimit të pretendimeve të akuzës dhe mbrojtjes, gjykata vendosi që dy apartamentet e banimit që ndodhen në rrugën e “Elbasanit” dhe që në total kapin sipërfaqenprej rreth 175 metra dhe dy garazhet e parkingut po në këtë ndërtesë, si dhe makina e tipit “Benz” dhe llogaria bankare që kap shumën e rreth 45 milionë lekë të vjetra t’i kalojnë shtetit në pronësi.