Qeveria merr përsipër dëmshpërblimin e plotë për viktimat e tragjedisë
Dëmet materiale të shkaktuar nga shpërthimi i fuqishëm i datës 15 mars në fshatin Gërdec kap vlerën e 1.57 miliardë lekësh të vjetra. Kjo është bërë e ditur dje nga
kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë me rastin e përfundimin e procesit të vlerësimit të dëmit material dhe akordimit të shumës nga qeveria për kompensimin e këtij dëmi. Kryeministri vlerësoi se ky proces u realizua në një kohë rekord nga ekipet e vlerësimit dhe në marrëveshje të plotë me familjarët, duke përdorur një teknologji të shkallës së lartë. “Në një hark kohor prej katër ditësh, duke përdorur teknologjitë më të mira , u shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 prej tyre rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë, tek dëme te renda, mesatare dhe te lehta . I gjithë ky material, ose i gjithë ky proces vlerësimi, ne te gjitha rastet, u bë në praninë e kryefamiljarit , ose të familjarëve të autorizuar. Të gjithë formularët e vlerësimit u firmosën jo vetëm nga vlerësuesit, por në marrëveshje të plotë edhe nga të dëmtuarit. Pra, një proces që nisi në me datën 17, pasi 15 dhe 16 ishin nen breshërinë e predhave u finalizua mbrëmë ne mesnate me të gjitha përllogaritjet”- deklaroi ai. Sipas Berishës vlerësimi i përfunduar përfshin vetëm objekte private dhe jo ato publike të dëmtuara, të cilat do të trajtohen nga ministri të veçanta. “Numri i objekteve të dëmtuara në qytetin e Vorës është 1112 objekte. Në Marqinet 365 objekte, ku përshihen shtëpi, klube,etj. Gjokaj 253 objeke, Picar 239 objekte. Kodër Vorë 297 objekte, Gërdec 109 objekte, Sharrë 139 objekte, Mucaj 359 objekte, Marikaj 651 objekte, biznese 32, ferma bujqësore 34, bageti të fermave bujqësore 25”- nënvizoi kreu i qeverisë. Më tej kryeministri informoi se vlera e punimeve ndërtimore në zonën e emergjencës , do të jetë e përjashtuar nga çdo lloj takse. Duke bërë të ditur se kjo shume do te behet disponibel menjëherë për te gjithë kryefamiljaret, apo familjarët e autorizuar të 3615 objekteve shtëpi dhe biznese, kryeministri u shpreh se këtu nuk përfshihen shpërblimet e tjera apo shpenzimet e bëra nga kovalishenca , ku ndodhen mbi 600 banore te sistemuar. Berisha kërkoi që bazuar në fotot ajrore, ekipet e vlerësimit të bëjnë vlerësimin e ullinjve dhe të drurëve frutorë, të cilët bëjnë pjesë në pronën e familjeve të dëmtuara. Në këtë kuadër të pastrimit dhe vënies nën kontroll të plotë të territorit, kryeministri vlerësoi të një rëndësie të jashtëzakonshme kontrollin e sipërfaqeve pyjore te cilat janë në funksion të banorëve.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga Ministria e Financave marrjen e masave për bërjen sa më parë disponibël të fondit dhe përcaktimin e mënyrave të shpërndarjes së tij. Duke kërkuar hapjen e llogarive bankare për familjet sipas listave të hartuara, Kryeministri tha se është i domosdoshëm një proces trajnimi për përdorimin e këtyre llogarive nga ana e qytetarëve. “Zoti Ministër i Financave është jashtëzakonisht e rëndësishme që jo vetëm të bëhen sa me pare disponibël fondet, por te përcaktohen dhe modalitetet e këtij disponimi Këto para duhet të vendosen në llogaritë bankare të familjeve, sipas listave të hartuara. Ne rast se ka vështirësi ne shfrytëzimin e depozitave bankare, është i domosdoshëm një proces edukimi dhe trajnimi i qytetarëve”- theksoi ai. Po ashtu gjatë fjalës në mbledhjen e qeverisë, kryeministri përfitoi nga rasti për të vlerësuar punën jashtëzakonisht të çmuar dhe kurajën e forcave të ushtrisë e policisë për përballimin e ngjarjes së Gërdecit. “Vlerësimi i dëmeve në zonë do të ishte i pamundur pa kontributin thelbësor, pa guximin, trimërinë, kurajën e njësive ushtarake dhe forcave të rendit, të cilat bënë të mundur për faktorin civil që të hynë në fushë dhe të realizojë vlerësimin. Repartet e ushtrisë në këtë zonë kanë punuar me të njëjtën shpejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim që kanë punuar grupet e vlerësimit, por në kushtet e një rreziku shumë të madh. Në raportimin e fundit, ata informojnë se nga 1000 ha zonë e banuar, e infektuar, 900 ha janë tërësisht të kontrolluar dhe autorizojnë në të këtë zonë qarkullimin në banesa dhe në rrugët rreth tyre. Ndërkohë, janë 100 hektarë, përfshi edhe vendin ku ndodhi eksplozioni, në kontroll e sipër”- theksoi ai. Kryeministri Berisha informoi më tej se i është paraqitur Pentagonit një kërkesë për të ndihmuar në trajtimin e kësaj zone, duke shpresuar në një përgjigje pozitive. “Ushtria, e cila po bën një punë me vetëmohim, ka mbledhur deri tani, në këto 900 hektarë të kontrolluar, 5000 predha të pa rrezikshme, por ka mbledhur gjithashtu edhe 690 predha të një rrezikshmërie shumë të lartë. Ata nuk i eksploduan ato në këto zona, për të mos thelluar traumën, por i kanë sistemuar në arka dhe i kanë larguar tërësisht nga zona e Gërdecit. Këto efektiva kanë bërë një punë jashtëzakonisht të çmuar”- tha kryeministri. Ndërkaq gjatë mbledhjes së djeshme, shefi i ekzekutivit kërkoi që Shtabi i Emergjencës Civile të përcaktojë një grup pune për të verifikuar çdo ankesë që mund të kenë qytetarët në lidhje me vlerësimin e dëmit. “Shtabi i Emergjencës Civile ka bërë një punë jashtëzakonisht intensive. Tashmë, është e domosdoshme që ky shtab të përcaktojë, nëpërmjet kryetarit të bashkisë së Vorës, grupin e punës për çdo ankesë që qytetarët kanë për vlerësimin e dëmit”- u shpreh ai. Kryeministri theksoi se nga komunikimi që ka pasur me banorë të kësaj zone, ata janë shprehur të bindur se është kryer një vlerësim objektiv. “Fatmirësisht, i tërë informacioni është i përpunuar në variantin elektronik, por edhe shkresor. Për këdo që do të ketë pretendimin edhe më të vogël, ekipi do të shkojë me të dhe krahas paraqitjes së dokumentit, do të riverifikojë me përgjegjësi të plotë terrenin”- konkludoi ai kryeministri.