Xhafa si Arianit Çela, jep pretencën: Berisha fajtori kryesor për tragjedinë
Kush është pa mëkate le të hedhe gurin e parë. Nën këtë fjalë të urtë biblike ish-ministri socialist i Drejtësisë Fatmir Xhafaj, ka dubluar deputetin tjetër socialist, Blendi Klosi, në daljen e tij publike në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Në hartimin e tij të gjatë e plot sofizma Xhafaj në rolin e një publicisti që tenton të flasë në emër të kujtesës kolektive, apeloi ndaj kryemimnistrit Berisha që të japë dorëheqjen për të ruajtur sipas tij atë standart demokratik që kanë vendosur disa ministra të kabinetit aktual. “Në Gërdec nuk ka ndodhur thjesht një ngjarje. Për më tepër nuk ka ndodhur thjesht një vepër penale e lidhur me mosrespektimin e disa rregullave teknike. Jo! Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme. Një krim që në kodin penal cilësohet vrasje. Një vrasje me jo pak por deri tani me 22 jetë njerëzish dhe me dhjetëra të tjerë të dëmtuar rëndë e shumë të plagosur. Një vrasje e lidhur me një korrupsion shtetëror të përmasave të jashtëzakonshme. Një vrasje që duhet të hetohet si një krim për të cilin ka bashkëpunëtorë në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorëve. Në krye të hierarkisë së kësaj strukture qytetarvrasëse është padyshim kryeministri i vendit. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka krijuar kushtet ligjore e administrative për krijimin e kësaj tragjedie. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij nuk ka marrë masat e nevojshme që të parandalohet një krim i këtyre përmasave” - komunikoi pretencën e tij deputeti Xhafaj, duke harruar parimin kryesor në jurisprudenceë që është ai i prezumimit të pafajësisë. Xhafaj u shfaq mosbesues ndaj dekloaratave të kryeministrit se ky i fundit nuk kishte dijeni dhe se një sërë institucionesh kanë dështuar dhe nuk e kanë informuar atë se çfarë po ndodhte në Gërdec. “Në në emër të shtetasve taksapagues të këtij vendi kemi të drejtë të pyesim: Përse ju duhet shtetasve të këtij vendi një Kryeministër i tillë nëse ai është i pazoti dhe i paaftë të drejtojë, të kontrollojë në ushtrimin e detyrës makinën shtetërore që ka marrë përsipër nën përgjegjësinë e tij të drejtojë? Përse duhet një Kryeministër i cili firmos një akt ligjor që i hap rrugë një procesi tërësisht korruptiv dhe mbi të gjitha dukshëm krijon pasiguri jete për shtetasit? Përse duhet një Kryeministër i tillë kur funksionarët e tij të lartë shtetëror si psh dora vet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm jo thjesht vizitojnë këtë fabrikë vdekjeje në terren, por edhe e mbështesin atë me mjete shtetërore e nënpunës të shtetit? Në fund të fundit përse duhet një Kryeministër i cili me mosveprimet e tij nuk kontrollon zbatimin e vendimeve që vet miraton e firmos dhe për më tepër kur ka të dhënat e nevojshme që me atë vendim po abuzohet dhe cënohet siguria shtetërore e njerëzore? Në dritën e të gjitha fakteve të publikuara dhe atyre që presin të dalin ende në dritë, Partia Socialiste konstaton se kryeministri i vendit ka qenë plotësisht i informuar, siç e ka pranuar edhe vetë, të paktën një muaj përpara shpërthimit të tragjedisë. Ai ka qenë i informuar jo pak, por një muaj para ditës së tragjedisë për aferën e pistë që po gatuhej. Siç ai vet ka pranuar në tryezën e tij një muaj më parë ai kishte të gjithë informacionin e nevojshëm që i bënte me dije se emri i tij dhe i të birit ishin të përmendur në këtë aferë, bashkë me emrin e biznesmenit të hekurit me rekorde kriminale dhe të një zyrtari të lartë të ministrisë së mbrojtjes”- deklaroi Xhafaj. Sipas tij kryeministri Berisha nuk duhet të fshihet pas mazhorancës që ka, por të vetëkërkojë heqjen dorë nga imuniteti, të shkojë ne prokurori të japë shpjegime për veprimet dhe mosveprimet e tij dhe njëherësh të japë dorëheqjen. “Minimalisht të paktën të ruaj standartin e krijuar sipas tij nga ministrat e qeverisë së tij lidhur me imunitetin dhe dorëheqjen. Në të kundërt Kryeministri ynë do të tregoj edhe njëherë se ai ka standard të ndryshëm për veten. Krejt të ndryshëm nga ai standart i përdorur për Ministrin e tij të Drejtësisë, për Ministrin e Jashtëm dhe tashti së fundit të Ministrit të Mbrojtjes të cilat ai dhe shumë të tjerë i konsideruan si standarte demokracie, lirie dhe përgjegjshmërie që kjo qeveri i aplikoi”- vijoi më tej ai ndërsa i sugjeroi Prokurorisë së Përgjithshme që të “bashkohet me të vërtetën që tashmë është bërë pronë e publikut” sipas së cilës kryeministrit është përgjegjësi kryesor. Më pas si për të përgënjeshtruar të gjithë atë ligjëroi, ish-ministri tha se “ne jemi këtu jo për të paragjykuar, as edhe për të ndikuar mbi organin e akuzës, por natyrisht kemi të gjithë përgjegjësinë politike e kushtetuese të vigjilojmë, të kërkojmë e të kontribuojmë për respektimin e kushtetutës e të ligjit në emër të interesave të shtetasve të këtij vendi”.