Gërdeci, kosto e shpërthimit kushton 1.5 miliardë lekë
• Shpërthimi i 15 marsit në Gërdec do t'i kushtojë qeverisë 1.5 miliardë lekë (17 milionë dollarë)Shtatë ditë pas ngjarjes në fabrikën ku çmontoheshin municionet, grupi i punës i ka paraqitur dje Kryeministrit Berisha tabelën përmbledhëse të objekteve që janë vlerësuar në Bashkinë e Vorës dhe disa fshatra, të cilat u prekën nga vala e shpërthimit. Duke folur dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se në të gjithë zonën janë vlerësuar 4200 banesa, nga të cilat 3615 duan ndërhyrje për t'u kthyer në gjendjen e mëparshme. "Në një hark kohor prej katër ditësh, duke përdorur teknologjitë më të mira, u shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 prej tyre rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë, tek dëme të rënda, mesatare dhe të lehta", u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë, për secilën nga banesat është marrë edhe miratimi i kryefamiljarëve. "I gjithë ky material, ose i gjithë ky proces vlerësimi, në të gjitha rastet u bë në praninë e kryefamiljarit, ose të familjarëve të autorizuar. Të gjithë formularët e vlerësimit u firmosën jo vetëm nga vlerësuesit, por në marrëveshje të plotë edhe nga të dëmtuarit. Pra, një proces që nisi në datën 17, pasi 15 dhe 16 ishin nën breshërinë e predhave, u finalizua mbrëmë në mesnatë me të gjitha përllogaritjet", theksoi më tej kreu i qeverisë. Kryeministri kërkoi që bazuar në fotot ajrore, ekipet e vlerësimit të bëjnë vlerësimin e ullinjve dhe të drurëve frutorë, të cilët bëjnë pjesë në pronën e familjeve të dëmtuara. Në kuadrin e pastrimit dhe vënies nën kontroll të plotë të territorit, Kryeministri vlerësoi të një rëndësie të jashtëzakonshme kontrollin e sipërfaqeve pyjore, të cilat janë në funksion të banorëve. Në të njëjtën kohë Berisha bëri të ditur se ushtria do të marrë përsipër pastrimin e zonës dhe heqjen e mbeturinave që shkaktoi shpërthimi. AnkesatDuke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha u ndal edhe tek ankesat që mund të kenë banorët e këtyre zonave për vlerësimin e dëmit. Sipas Berishës, pranë Shtabit të Emergjencës Civile do të ngrihet një grup pune, i cili do të verifikojë të gjitha ankesat që do të dalin nga qytetarët për vlerësimin e dëmit për secilin rast. "Shtabi i Emergjencës Civile ka bërë një punë jashtëzakonisht intensive. Tashmë është e domosdoshme që ky shtab të përcaktojë, nëpërmjet kryetarit të bashkisë së Vorës, grupin e punës për çdo ankesë që qytetarët kanë për vlerësimin e dëmit", u shpreh Kryeministri. Sipas kreut të ekzekutivit, nga komunikimi që ka pasur me banorë të kësaj zone, ata janë shprehur të bindur në vlerësimin objektiv të bërë. "Fatmirësisht i tërë informacioni është i përpunuar në variantin elektronik, por edhe shkresor. Për këdo që do të ketë edhe pretendimin më të vogël, ekipi do të shkojë me të dhe krahas paraqitjes së dokumentit, do të riverifikojë me përgjegjësi të plotë terrenin", bëri të ditur më tej Berisha. Nga tabela, e cila i është paraqitur dje Kryeministrit Berisha, rezulton se Vora qytet ka numrin më të madh të banesave të dëmtuara, 1112 banesa me një vlerë prej 88 milionë lekësh të reja. Ndërkohë fshati Gërdec, në të cilin ndodhi edhe tragjedia e të shtunës së 15 marsit, janë të prishura 109 banesa me një vlerë 254 milionë lekë të reja. Sipas llogaritjeve, vlera përfundimtare e punimeve ndërtimore që duhet të përballojë qeveria është 1.2 miliardë lekë të reja, kurse vlera përfundimtare për dëmshpërblimin për pajisjet dhe orenditë e prishura është 270 milionë lekë të reja.Vlera e dëmeve të evidentuaraZona nr. i banesave vlera e punimeve vlera e pajisjeve totalVora qytet 1112 88 milion 28 milion 117 mlnMarqinet 365 490 mln 37 mln 528 mlnGjokaj 253 2.8 mln 581 mijë 3.4 mlnPicar 239 2.6 mln 288 mijë 2.9 mlnMucaj 359 9.9 mln 943 mijë 10 mlnKodër Vorë 297 34 mln 1.1 mln 36 mlnGërdec 109 254 mln 2.2 mln 256 mlnMarikaj 651 83 mln 10 mln 93 mlnShargë 139 16 mln 1.1 mln 17 mlnBiznese 32 44 mln 1 mln 45 mlnFerma bujqësore 34 11 mln 0 11 mlnBagëti 25 0 2 mln 2 mlnOrendi, pajisje Për familjet eshkatërruara 301*4.5*200 75 mln 270 mln 345 mlnVlera përfundimtare 3615 1.22 mld 357 mln 1.571 mldMemia: Banorët të zgjedhin paratë, ose ndërtesën e reQeveria ka vendosur që të dëmshpërblejë banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga shpërthimi tragjik i municioneve në fshatin Gërdec të Vorës. Fabiola ÇelaPas ditësh të tëra pune Enti Kombëtar i Banesave ka përfunduar dje llogaritjen e shumës së dëmshpërblimit që do të marrin banorët e zonës së Gërdecit. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë deklaruar se ndërtimi i këtyre objekteve do të merret përsipër nga vetë qeveria. Por shumë prej banorëve të fshatit nuk kanë qenë dakord me vendimin e qeverisë. Sipas kryetarit të Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, banorët kanë të drejtë të zgjedhin. "Pra nëse një banor dëshiron që ta ndërtojë vetë banesën e tij atëherë ai është i lirë ta bëjë, mjafton të tërheqë shumën e parave që i është vënë në dispozicion nga qeveria", ka thënë ai. Në këtë mënyrë, banorët e këtij fshati do të kenë edhe më të lehtë për të ndërtuar banesat e tyre ashtu siç u pëlqen atyre. E rëndësishme është se institucionet qeveritare kanë marrë përsipër që të mbulojnë çdo shpenzim si në rastet kur rindërtimi do të kryhet nga vetë ata si edhe në rastet kur do të kryhet nga vetë banorët. Prej disa ditësh 200 punonjës të ALUIZNI-t të ndarë në 40 grupe pune kanë evidentuar në terren dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i municioneve. Këto grupe kanë në përbërje të tyre inxhinierë ndërtimi, specialistë të agjencisë si dhe një oficer të ushtrisë. Ekspertët kanë evidentuar çdo dëm të banesave duke përfshirë këtu si dëmet ndërtimore ashtu edhe dëmet e orendive shtëpiake. Pasi kanë përfunduar evidentimin e dëmeve, ekspertët e ALUIZNI-t i kanë dërguar të dhënat pranë Entit Kombëtar të Banesave i cili ka kryer edhe llogaritjen e vlerës së dëmit për çdo banesë të kësaj zone. Sipas të dhënave zyrtare vlera totale e objekteve private të dëmtuara, e cila përfshin edhe vlerën e orendive shtëpiake dhe pajisjeve elektronike arrin vlerën e 1.571.898.399 lekëve.Fondi, tërheqin paratë172 familje të dëmtuaraVazhdon ndarja e parave për familjet e dëmtuara nga shpërthimi i municioneve në Gërdec. Shpërndarja e parave ka nisur ditën e diel dhe nga 177 familje në këtë fshat, kanë tërhequr paratë 172 familje dhe kanë mbetur pa tërhequr vetëm 5 prej tyre. Pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria vendosi që të japë 50 mijë lekë për frymë por, kjo shumë nuk do të ishte më shumë se 200 mijë lekë për familje. Po ashtu, gjatë paradites së djeshme ka nisur shpërndarja e ndihmave dhe për fshatin Marqinet. Deri në mesditë janë tërhequr paratë 298 familje nga 350 që janë gjithsej në këtë fshat. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare, deri në orën 15:00 kanë tërhequr ndihmën financiare 470 familje nga 527 që janë gjithsej në të dy fshatrat. Në sportelet e postës në Vorë janë afishuar listat me emrat e banorëve që përfitojnë ndihmë. Shpërndarja kryhet duke u bazuar në dokumentacionin e lëshuar nga Gjendja Civile e Bashkisë Vorë dhe autorizimet e kryebashkiakut të Vorës, të cilat vërtetojnë personin që përfiton këtë ndihmë.Kosto e ndërtimit sa në TiranëKostoja e kompensimit të ndërtimeve të shkatërruara nga shpërthimi në Gërdec është e barabartë me atë të Tiranës. Kështu të gjithë shtëpitë e prishura, që do të kompensohen financiarisht nga shteti, do të vlerësohen njësoj sikur të ishin të ndërtuara në kryeqytet. Sipas qeverisë, për çdo metër katror banorët e shtëpive të rrënuara do të përfitojnë 25 mijë lekë. Kjo është e barabartë me koston e ndërtimit të rënë dakord me ndërtuesin për kryeqytetin. Në të përfshihen edhe kosto e pagimit të punëtorëve që kryejnë ndërtimin, sigurimet e tyre, transporti i mallrave që duhen për ndërtim, kostot e tjera shtesë të dritave apo energjisë që duhet si dhe pagesa e punës. Në këtë mënyrë, kompensimi është bërë për zonën më të shtrenjtë. Vetëm zona e Bllokut në Tiranë e ka koston e ndërtimit 30 mijë lekë për metër katrorë.Blegtoria, 2.1 milionë lekë për GërdecinPas vlerës së dëmit të përcaktuar për shtëpitë e prishura dhe orenditë, Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar dje shumën totale të kompensimit deri më 22 mars për dëmet e shkaktuara në blegtori në Gërdec. "Shuma totale e kompensimit deri më datën 22 mars 2008 për dëmet e shkaktuara në blegtori në Gërdec e zonat përreth do të jetë 2.122.800 lekë. Për 11 lopët e asgjësuara e të groposura do të paguhet 130000 lekë për krerë, për 5 viçat nga 30 000 lekë, për 1 kalë të asgjësuar 80 mijë lekë, për 5 gomarët nga 15 mijë lekë, për 3 delet nga 12 mijë lekë, për një qengj 3 mijë lekë, për një dosë importi të asgjësuar 60 mijë lekë, për 4 dosa vendi nga 14 mijë lekë, për 194 pula nga 1.2 mijë lekë", theksoi dje në konferencën për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë. Dëmshpërblimi i kafshëve do të bëhet bazuar në listën e çmimeve aktuale të tregut nga komisioni i MBUMK dhe DRBUMK Tiranë. Sipas zëdhënësit ngelen në proces trajtimi nga inspektorit i shërbimit veterinar i DRBUMK edhe 12 krerë gjedh, 6 krerë dosa importi me lezione traumatike, të cilat janë nën kontroll.Kompensimi ne blegtori 11 lopë nga 130 mijë lekë 5 viça nga 30 mijë lekë 1 kalë 80 mijë lekë 5 gomerë nga 15 mijë lekë 3 dele nga 12 mijë lekë 1 qengj 3 mijë lekë 1 dosë importi 60 mijë lekë 4 dosa vendi nga 14 mijë lekë 194 pula nga 1200 lekëSkanimi i vendit ku ndodhi tragjedia kërkon 2 muaj kohëVendi i ngjarjes që shkaktoi 22 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur në fshatin Gërdec pranë Vorës, kërkon të paktën dy muaj kohë për një verifikim të plotë dhe të hollësishëm hetimor. Kështu janë shprehur dje burimet nga Prokuroria e kryeqytetit të cilat thanë se grupi hetimor shkoi edhe dje në mëngjes në zonën ku ndodhi shpërthimi më 15 mars, por reshjet e dendura të shiut ishin pengesë për zhvillimin e veprimeve hetimore. Në këto kushte, grupi i hetimit është rikthyer në Prokurori për të vazhduar me veprime të tjera procedurale që i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes. Gjatë verifikimeve të bëra ditën e shtunë në kraterin ku ndodhi shpërthimi më 15 mars, hetuesit dhe prokurorët janë përballur me një vatër të re zjarri. Ata thanë se ishte një zonë në periferi të kraterit qendror e cila vazhdonte të nxirrte tym dhe përreth saj kishte mbetur një shtresë baruti. Burimet saktësuan se ky shpërthim i vogël ka ndodhur fare pranë zonës ku familja e Shqipe Alhasës, ish-punëtore e fabrikës, po kërkonte për të gjetur trupin e saj e cila rezulton ende e zhdukur. Hetuesit pohojnë se aty gjatë natës së shtunë duhet të ketë pasur një shpërthim pa pasoja për zonën por të rrezikshëm për njerëzit që mund të jenë të ekspozuar ndaj tij. Në këtë mënyrë, grupi i hetimit të çështjes në vendin e ngjarjes, tha se zona ende paraqet rrezik dhe është e infektuar me grumbuj baruti të cilët bëjnë "djegie të fjetur" dhe në një moment të caktuar mund të shpërthejnë. Prokuroria deklaroi dje se mbeten në fuqi disa variante rreth momentit të shpërthimit dhe mekanizmit si ka ndodhur ai. Sipas akuzës, i është kërkuar policisë të identifikojë vendndodhjen dhe të marrë në pyetje rreth 13 persona mes të cilëve ish-punëtorë të fabrikës dhe persona të tjerë me detyra të ndryshme në ndërmarrjen e demontimit në Gërdec. Vendi i krimitRreth një javë pasi kishte ndodhur shpërthimi apokaliptik në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec, grupi hetimor i ngjarjes ka mundur të futet aty. Më parë këqyrja e vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë dhe Prokurorisë, nuk kishte qenë e mundur pasi zona ishte izoluar si e rrezikshme nga forcat e ushtrisë që nuk lejonin qarkullimin brenda saj. Gjatë verifikimeve 3-ditore në vendin ku ndodhën shpërthimet e fuqishme, grupi i hetimit ka sekuestruar dokumente të ndryshme që ndodheshin në fabrikën e demontimit të predhave. Janë sekuestruar gjithashtu edhe mostra baruti, predhash dhe municionesh si dhe dhjetëra shkresa të ndryshme që mbaheshin në fabrikë. Një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve dhe provave të tjera janë gjetur nga banorë të zonës që kanë arritur të hyjnë në zonën e shpërthimeve para policisë dhe prokurorisë dhe të marrin dhjetëra dokumente e regjistra të mbijetuara nga shpërthimi. Organi i akuzës duket se ka filluar kontaktet me këta banorë të zonës me qëllim për të marrë prej tyre provat dhe objektet që kanë gjetur të cilat mund ti shërbejnë hetimit të ngjarjes. Dy muajBurimet e Prokurorisë së Tiranës janë shprehur dje se duhen të paktën dy muaj kohë për të krijuar një ide të qartë rreth mekanizmit të shpërthimit dhe rrethanave në të cilat ai ka ndodhur në fabrikën e fshatit Gërdec. Për këtë qëllim, Prokuroria duket se është në pritje të grupit prej gjashtë hetuesish të FBI-së të cilët pritet të mbërrijnë në Tiranë të mërkurën dhe tre prej tyre të marrin pjesë direkt në verifikimin e vendit të ngjarjes që shkaktoi tragjedinë. Hetuesit shqiptarë kanë kryer matjet e para rreth fuqisë së shpërthimit si dhe kanë bërë fotografimin satelitor të gjithë zonës. Po kështu është hartuar edhe një skicë e vendndodhjes së ish-fabrikës së demontimit të municioneve dhe është bërë më pas një planimetri e objekteve të shkatërruara si dhe përcaktimi i vendndodhjes së predhave, barutit, djegoreve dhe objekteve të tjera që ndodheshin në fabrikë. Ditën e djeshme një grup ushtarakësh amerikanë të Komandës Evropiane i janë bashkuar forcave ushtarake që ndodhen duke patrulluar në zonën ku ndodhën shpërthimet në Gërdec. Edhe ushtarakët amerikanë mësohet se do të ndihmojnë në procesin e analizimit të vendit të ngjarjes për të krijuar një tablo më të qartë rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë mesditën e 15 marsit në Gërdec. tr.soDrejtuesi i hetimit, ish-jurist i "Meico" para epokës "Pinari"TIRANE - Në mediat elektronike është bërë publik dje lajmi se kryeprokurori aktual i Tiranës Genti Xholi, i cili po drejton hetimet për tragjedinë e Gërdecit, ka qenë jurist i ndërmarrjes shtetërore "Meico". Në fakt njëri nga tre personat e arrestuar deri më tani si të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, është edhe ish-drejtori i ndërmarrjes "Meico" Ylli Pinari. Menjëherë pas publikimit të këtij informacioni, gazeta është interesuar të mësojë diçka më shumë rreth këtij fakti. Kryeprokurori i Tiranës Genti Xholi, pranoi se ka qene jurist i kompanisë "Meico" nga muaji maj i vitit 1997 deri në muajin maj 1999. Sipas tij, ai ka qenë jurist i ndërmarrjes "Meico" në kohën kur kjo kompani është drejtuar nga dy drejtorë të tjerë dhe jo nga i arrestuari për dosjen "Gërdeci" Ylli Pinari. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga burime të tjera të gazetës, të cilat thanë se kryeprokurori aktual i Tiranës që po drejton hetimet e tragjedisë ka punuar si jurist i ndërmarrjes "Meico" në një kohë kur kjo kompani nuk ishte drejtuar nga Ylli Pinari. Në këtë mënyre, sipas burimeve zyrtare, por edhe sipas vetë kryeprokurorit të Tiranës Genti Xholi, ai nuk ka asnjë konflikt ligjor në hetimin e çështjes. "Genti Xholi ka qenë jurist i "Meico" kur kjo ndërmarrje drejtohej nga Bardhyl Rrapi dhe Pirro Ymeri dhe jo nga Ylli Pinari", konfirmuan për gazetën burimet zyrtare. Duke iu referuar këtij fakti, drejtuesi i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, tha se fakti se ai ka qenë jurist i "Meico" nuk përben kundërshtim me ligjin lidhur me hetimet për ngjarjen e Gërdecit. "Do të vazhdoj me vendosmëri hetimet deri në zbardhjen e plotë të çështjes", tha kryeprokurori i Tiranës, Gent Xholi. tr.so“Në Gërdec edhe fishekë të trafikuar”Ndërmarrja shtetërore "Meico" duket se nuk ka qenë furnizuesi i vetëm me municione i fabrikës në pronësi të Mihal Delijorgjit. Prokuroria ka siguruar të dhëna operative që hedhin dyshime të forta se edhe persona të caktuar që kryenin trafikim të sasive të ndryshme të fishekëve mund të kenë dorëzuar municione tek firma në pronësi të Mihal Delijorgjit. Pak këtyre informacioneve të marra në rrugë operative, Prokuroria e Tiranës mësohet se është fokusuar të verifikojë aktivitetin e disa personave të arrestuar për akuzat e trafikimit të municioneve. Burimet zyrtare nga organi i akuzës në Tiranë pohuan se mes këtyre personave që dyshohet se kanë furnizuar firmën e Delijorgjit me fishekë janë disa të arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të akuzuar për trafikim municionesh. Grupi hetimor që po verifikon aktivitetin e Delijorgjit dhe fabrikës së tij në Gërdec, mësohet se ka kërkuar të njihet me materiale të dosjeve të Krimeve të Rënda, që i përkasin personave të dyshuar si furnitorë të Delijorgjit. Zyrtarët e Prokurorisë nuk dhanë detaje rreth sasive të fishekëve apo kohëzgjatjes së furnizimit të Mihal Delijorgjit nga persona të ndryshëm që kryenin trafik municionesh dhe që janë arrestuar gjatë këtij aktiviteti. Gjithsesi burimet nga hetimi janë shprehur se janë duke verifikuar dosjet e të paktën tre grupeve të ndryshme personash të arrestuar për trafikim fishekësh. Këta persona të arrestuar mësohet se mund të merren në pyetje nga grupi i hetimit që arrestoi Delijorgjin. Objekti i pyetjeve që do ti drejtohen personave të arrestuar nga Krimet e Rënda, mësohet se do të jetë konfirmimi nëse ata kanë dorëzuar apo kanë shitur fishekë tek subjektet apo aktivitetet në pronësi të biznesmenit të njohur të hekurit Mihal Delijorgji.Misteri i municioneveZyrtarë të lartë të Prokurorisë së Tiranës, kanë konfirmuar për gazetën "Panorama" se në fabrikën e demontimit në Gërdec, ka pasur më shumë municione se sasia e deklaruar. Përllogaritja është bërë në bazë të verifikimit të letrave që tregojnë sasinë e dalë nga depot ushtarake shtetërore. Sasia e nxjerrë nga këto depo e cila është përllogaritur saktë dyshohet se është më e ulët se sasia e municioneve që ndodheshin në fabrikën e Gërdecit. Në fakt për këtë sasi flitet vetëm me shifra të përafërta pasi dokumentacioni është shkatërruar nga shpërthimi. Nuk dihet nëse kjo ka qenë një parregullsi sa i përket pasqyrimit në letra të lëvizjes së municioneve apo tregues i qartë i faktit se subjekti mund të jetë furnizuar jo vetëm nga ndërmarrja "Meico" por edhe nga persona të ndryshëm që zotëronin fishekë apo i trafikonin ato. Një tjetër fakt i zbuluar nga Prokuroria është se në fabrikën e Gërdecit ndodheshin edhe municione të nxjerra nga depot gjatë trazirave të vitit 1997. Në fakt konfirmohet se një pjesë e këtyre municioneve ishin mbledhur e vendosur nëpër depot ushtarake e më pas ishin transportuar drejt Gërdecit. Mirëpo sipas hetimeve, pjesa më e madhe e fishekëve që trafikohen brenda vendit në mënyrë të paligjshme, janë municione që janë nxjerrë nga depot në vitin 1997 nga popullata. Mbledhja e tyre nuk ka qenë e mundur dhe zotëruesit i trafikojnë ato me qëllime përfitimi. Prania e municioneve të vitit 1997 në fabrikën e demontimit të Gërdecit po verifikohet edhe në këtë linjë, që aty të jenë dorëzuar fishekë të trafikuar nga njerëz të ndryshëm që i kishin marrë ata në depot ushtarake gjatë trazirave të pranverës së 11 viteve më parë.Akuzat e Berishës, doganat: Gjithçka sipas ligjitTIRANE - Doganat kanë reaguar dje pas akuzave të bëra në adresë të tyre lidhur me firmën "Alb Demil" në pronësi të Mihal Delijorgjit. Përparim Dervishi, drejtor i Përgjithshëm i Doganave është shprehur dje se gjithçka ka bërë ky institucion ka qenë sipas ligjit. "Le të kontrollojnë dhe të na thonë ku kemi gabuar. Gjithçka deri më sot është bërë vetëm në bazë të ligjit", ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Ka qenë Kryeministri Berisha ai që ka akuzuar edhe doganat për parregullsi lidhur me firmën në pronësi të Mihal Delijorgjit. "Alb Demil" e cila kryente çmontimin e predhave në Gërdec të Vorës, është e regjistruar në maj 2007 dhe ka për objekt të veprimtarisë së saj "tregtimin brenda dhe jashtë vendit të materialeve teknologjike". Administrata doganore është akuzuar nga Kryeministri se nuk ka dhënë informacion për tregtimin e municioneve jashtë vendit nga kompania e Delijorgjit.“Larja e predhave me naftë, provë për trafikun e armëve”“Nafta? Po nafta çfarë hyn në këtë histori? Në procesin e demontimit të municioneve luftarake, nafta nuk luan asnjë rol. Ajo shërben vetëm për të fshirë mykun dhe e bën predhën të duket si e re, si të papërdorur”. Dëshmia e papritur vjen nga një specialist armatimi, ende pjesë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, që pozon për revistën MAPO një detaj jashtëzakonisht të rëndësishëm, por që ka mbetur jashtë vëmendjes së publikut dhe ka humbur në lumin e informacionit dhe shokimit që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. Sipas të gjitha dëshmive të të mbijetuarve, punonjës në fabrikë, predhat laheshin fillimisht me naftë. Ishte një repart, ose më saktë, ishte një nga proceset e punës në fabrikën e vdekjes, që kryhej kryesisht nga gra dhe vajza. Por specialisti i armatimit që kërkon të ruajë anonimatin thotë se në asnjë manual dhe në asnjë praktikë të demontimit të armëve, nuk njihet një proces i tillë. Por dyshimi i tij nuk fillon këtu, këtu ai hedh dyshimin e tmerrshëm për një pjesë tjetër të së vërtetës që duhet të provohet. Armët shiteshin, ja prova“Është logjike që jo të gjitha predhat që hynin në atë fabrikë demontoheshin, një pjesë e tyre me siguri eksportohej”, thotë ai. Akuza mjaft e rëndë bazohet në dy shtylla kryesore: e para, metali i predhës që do të përdorej si skrap nuk do të ishte e nevojshme të pastrohej. Dhe e dyta, nafta shërbente që të largonte mykun që municioni zë në sipërfaqen e tij mbas një periudhe relativisht të gjatë, për shkak të moshës dhjetëra vjeçare të predhës. “Një predhë me myk nuk mund të tregtohet. Një pjesë e tyre nuk mund të realizojë të shtënë për shkak të skadencës dhe për specialistët, që me vështrimin e parë, myku në sipërfaqe është shenja kryesore që e deklasifikon predhën si municion luftarak”, thotë ai. “Një predhë e re, e shitur si e tillë, ka krejt tjetër çmim nga metali i saj që përdoret si skrap, ajo është shumë herë më e shtrenjtë dhe kjo e shpjegon të gjithë skemën. Një pjesë e predhave demontoheshin, kurse një pjesë tjetër, me siguri të plotë ritregtohej sërish. Edhe pse licenca për shitje armësh është ekskluzivitet i vetëm i shtetit. Nuk mund të hyjë privati në tregti të tilla delikate, sepse nuk mund të kontrollohet”, shton me bindje ai. Punonjësi i Ministrisë së Mbrojtjes thekson se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të shpjeguar ekzistencën e këtij procesi, larjes me naftë të predhave, në fabrikën e vdekjes. Në favor të tezës së tij që vërtetohet kështu vetëm në mënyrë të tërthortë, vjen dhe një detaj tjetër. Kësaj radhe ligjor. Bëhet fjalë për objektin e veprimtarisë së firmës “Alb Demil” të depozituar dhe njohur nga gjykata e Tiranës në regjistrin tregtar: Çmontim, demilitarizim, eksport i armatimeve të të gjitha llojeve të kalibrave. Fjala eksport në objektin e veprimtarisë, i jepte asaj të drejtën të kalonte në portin e Durrësit apo dhe në aeroportin e Rinasit arkat me predha. “Destinacioni i tyre për momentin vetëm mund të hamendësohet, por duhet të kontrollohen të gjitha dokumentacionet për eksportet e bëra nga dhe për llogari të ‘Alb Demil’, një burim konfidencial i Prokurorisë së Përgjithshme pohon se është marrë në shqyrtim dhe një mundësi e tillë, por deri më tani asnjë nga ekspertët ushtarakë të pyetur prej saj, nuk ka vënë re faktin e mungesës absolute të nevojës së përdorimit të naftës në procesin e demontimit të municioneve. Demontimi Dhe më parë, madje që përpara viteve ‘90, është bërë demontimi i municioneve që kishin kaluar kohën e skadencës apo ishin pranë saj. Ato ose përdoreshin për qitje, ose thjesht demontoheshin. Në mes të viteve ‘90 pati disa tentativa të suksesshme për shitje të një pjese të tyre, edhe ato në të njëjtin afat përdorimi. “Ka pasur deri dhe reklamime nga firmat partnere me të cilat kemi bashkëpunuar. Bëhej fjalë për fishekë që nuk shkrepnin ose predha që nuk shpërthenin”, pohon një tjetër burim i revistës MAPO në Ministrinë e Mbrojtjes. Por procesi masiv i demontimit të materialeve luftarake ka nisur në fund të viteve ‘90. “Në vitin 1999 kemi bërë një eksperiment në Mirakë, Elbasan, për gjithë procesin. Ministri i Mbrojtjes së asaj periudhe kishte ftuar dhe atashetë ushtarakë të vendeve partnere dhe në prani të tyre kemi provuar ritmin e demontimit të predhave të artilerisë së kalibrave të ndryshëm. Pesë specialistë të armatimit, nga më të përgatiturit të ushtrisë mundën të demontojnë vetëm 1000 copë predha për tetë orë”, thotë Kostaq Karoli, Gjeneral Major në pension me gradë profesor doktor në shkencat ushtarake. Sipas tij, procesi i demontimit mund të kryhet vetëm nga persona me njohuri të qëndrueshme ushtarake, specialistë, por që dhe në këtë rast, ata duhet të jenë të trajnuar dhe të ritrajnohen çdo herë përpara nisjes së detyrës. Karoli thotë se është e një rëndësie vendimtare për të shmangur aksidentet kujdesi maksimal, largësia me qendrat e banuara dhe respektimi i rregullave të sigurimit teknik. “Po ju jap vetëm një shembull. Edhe një ushtar i shërbimit roje në një depo, edhe mbas gjashtë muajsh shërbim, duhej të instruktohej dhe të firmoste në librin e shërbimit se kishte marrë dijeni për rregullat e sigurimit teknik. Ai duhej të linte në një kuti të posaçme të gjithë mjetet ndezëse, deri dhe cigaret e rripin e mesit nëse do t´i duhej të hynte brenda në depo. Vini re, për të hyrë brenda në depot e municionit duhet të hiqeshin këpucët dhe të visheshin çizme gome. Aksidenti në të tilla raste ka propabilitet të vogël, nuk mund të bëhet kurrë zero, por duhet bërë gjithçka për ta shmangur atë”, thotë Karoli. Panorama që afron ish-ushtaraku i lartë, që ka mbajtur deri dhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kontraston në mënyrë rrëqethëse me atë çka ndodhte në Gërdec, kur persona krejt të patrajnuar, deri dhe gra e fëmijë, punonin në kushte që përjashtonin të gjitha rregullat e sigurimit teknik. “Predhat e kalibrit të madh, lëndën e tyre shpërthyese e kanë në bazë të nitroglicerinës që ka një fuqi jashtëzakonisht të madhe plasjeje. Nëse aksidentet me fishekë mund të jenë të kontrollueshëm, në këtë rast, tragjeditë janë të pashmangshme. Në harkun e pesë vjetëve, nga 2000-2005, në uzinat ushtarake të Poliçanit dhe Gramshit ne kemi mundur të demontojmë deri në 75 mijë tonë municion të këtyre përmasave. Në asnjë rast nuk kemi pasur asnjë problem, asnjë incident. Këtu do parë dhe një nga shkaqet e tragjedisë, pse u largua ky proces prej tyre ku ndodhej dhe baza materiale, dhe faktori njerëzor i kualifikuar dhe përvoja e praktika e duhur”, thotë Karoli. Por ka dhe një arsye tjetër që shpjegon çfarë ka ndodhur në Gërdec. Konjuktura e çmimeve në bursën e metaleve deri në mes të viteve 2000 nuk ka qenë e përshtatshme. Një ton tunxh shitej me vlerë deri në 1400-1500 dollarë dhe me këtë çmim janë faturuar shitjet e bëra nga Ministria e Mbrojtjes së skrapit në atë kohë. Sot ky është një çmim i shumëfishuar. Mbërrin deri në vlerën e 6000 dollarëve për ton. Marrë nga revista “MAPO”Trebicka denoncoi tregtinë e fishekëveTIRANE – Biznesmeni shqiptar Kosta Trebicka, pronar i firmës “Xhoi”, ka denoncuar publikisht abuzimet e ndërmarrjes “Meico” me tregtinë e municioneve jashtë Shqipërisë. Trebicka ka pohuar se kompania e tij ishte kontraktuar nga shoqëria amerikane AEY për paketimin e fishekëve që do të bliheshin në Shqipëri nga ndërmarrja “Meico”. Firma e Trebickës kishte nënshkruar kontratë për këtë me kompaninë amerikane AEY, e cila kishte fituar tenderin e blerjes së municioneve me vlerë 300 milionë dollarë në mënyrë të rregullt nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Gjithçka duket se ka qenë e rregullt deri këtu. Mirëpo vetëm pak kohë më pas, duket se qëndrimi i ndërmarrjes “Meico” ka ndryshuar. Drejtuesi i saj, Ylli Pinari, duket se ka vepruar me qëllimin për të futur në lojë edhe një biznes tjetër shqiptar që do të kryente paketimin e fishekëve. Dyshohet se ky biznes ka qenë ai i Delijorgjit. Ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit tregojnë se në fakt aty nuk janë kryer vetëm çmontime municionesh, por edhe nxjerrja e tyre nga arkat e rënda prej druri e metali të ushtrisë shqiptare dhe vendosja në arka kartoni me të cilat niseshin jashtë Shqipërisë. Veç kësaj, nën ndikimin e “Meico”, siç duket për të rritur fitimin dhe për t’i dhënë hapësirë firmës së Delijorgjit, ndërmarrja shtetërore vendosi kalimin e municioneve përmes një firme me qendër në Qipro, e quajtur EDVIN. Kjo firmë pasi i merrte fishekët me 22 dollarë për kuti i shiste firmës blerëse amerikane me 40 dollarë për kuti. Në këtë mënyrë firma amerikane që kishte fituar tenderin e Departamentit të Mbrojtjes, paguante dyfishin e çmimit për të njëjtën sasi fishekësh që kishte marrë më parë nga “Meico” sipas kontratës së nënshkruar. Këto abuzime janë denoncuar nga biznesmeni shqiptar Kosta Trebicka. “Predhat i lanim në vaska të mëdha me naftë”Larja dhe pastrimi me naftë i predhave të kalibrit të rëndë, në fabrikën e lëvizshme të çmontimit të municioneve në Gërdec, ka filluar dy javë pasi atje kishte nisur në të vërtetë çmontimi i predhave të kalbrit 122 dhe 100 mm. Më parë në fabrikë nuk ishte kryer ndonjë proces i tillë si ai i larjes së predhave me naftë. Gjithçka është kryer me dorë apo me mjete rrethanore. Dy javë pasi kishte nisur çmontimi i predhave në Gërdec, ka nisur edhe larja e tyre me naftë. Një fakt i tillë është pohuar nga Bihane Halili, një nga gratë që ka punuar në fabrikë, me larjen e predhave dhe të gëzhojave të kalibrit 122 dhe 100 mm. “Predhat e pastruara, pasi kishin mbaruar procesin e tyre në fabrikë niseshin në drejtim të Durrësit”, thotë ish-punonjësja. Gruaja tregon se më parë i njëjti veprim nuk është kryer me fishekët e kalibrit të vogël, si 7.62 mm, 12.7 mm apo 14.5 mm. Ajo sqaron se gjatë kohës që ka punuar në fabrikë gjatë çmontimit të fishekëve të kalibrit të vogël, është kryer edhe paketim fishekësh nga kutitë e mëdha të drurit, në kutitë më të vogla prej kartoni.Ju keni punuar në fabrikë me çmontimin e predhave. Aty ka pasur një proces të larjes së predhave me naftë. Përse kryhej kjo?Nuk e di ta them. Unë kam punuar një farë kohe në larjen e gëzhojave, më pas kam kaluar në larjen e predhave të kalibrit të rëndë. Është e vërtetë që ato i lanim me naftë te gryka e tyre. Kishim një vaskë me naftë aty, që ndërrohej një herë në dy ose tri ditë. Më pas vinte naftë tjetër, e cila zëvendësonte naftën e përdorur. Përse kryhej larja me naftë? Të them të drejtën nuk e di saktësisht se cila ishte arsyeja që ata donin t’i lanin me naftë. Nëpërmjet naftës ne i hiqnim më shpejt dhe më mirë grason që mund të kishte predha në grykën e saj, aty ku kishte qenë djegorja që ishte hequr dhe çmontuar nga punëtorët. Di se na patën thënë që duhej t’i lanim me naftë predhat dhe më pas ato i merrnin dhe i ngarkonin në makina të cilat i dërgonin në Durrës. Të paktën kaq kam dëgjuar unë për vendin në të cilin shkonin predhat e çmontuara.Larja me naftë është kryer edhe në kohën që çmontoheshin fishekët?Jo, më parë nuk është kryer. Larja me naftë ka nisur në kohën kur ne kishim nisur punën me çmontimin e predhave. Më saktë larja me naftë ka nisur dy javë pasi ne kishim nisur punë me predhat. Dy javët e para nuk i patëm larë me naftë dhe nuk na thanë se përse duhet t’i lanim pas dy javësh. Di që më tepër se dy javë pasi ne kishim nisur punë me predhat, na sollën vaskat me naftë. Na i ndërronin në dy ose tri ditë vaskat. Po gjatë kohës që punonit vetëm me fishekët, kryhej larje me naftë?Jo, gjatë kësaj kohe nuk kemi kryer asnjëherë larje të fishekëve me naftë. Ata nuk kishin fare graso, ose kishin fare pak. Kështu që nuk na patën thënë t’i pastronim. Ka pasur vetëm çmontim të fishekëve, apo edhe paketime të pakove të mëdha në pako më të vogla?Kur punonim me fishekët vazhdimisht kemi kryer paketime nga arkat më të mëdha prej druri në arka pak më të vogla prej kartoni. Kjo punë është kryer vazhdimisht në kohë të ndryshme. Ndërkaq gjatë kësaj kohe veç paketimit që kryhej nga disa grupe të veçanta, kryhej edhe çmontimi i fishekëve në mënyrë të përditshme, sipas normave që caktonin përgjegjësit e punës. Krerët e PR në bazë për MediunPak ditë pas vendimit të kryesisë së republikanëve për të qëndruar jashtë qeverisë deri në përfundim të hetimeve për Fatmir Meidun, zyrtarët më të lartë të kësaj partie kanë dalë në bazë për të sqaruar elektoratin. Presidenti i Nderit të Asamblesë së republikanëve, Sabri Godo dhe tre nënkryetarët e kësaj partie, Neritan Alibali, Aleksandër Garuli dhe Alfred Deshati, kanë zhvilluar takime në disa nga degët e PR-së, ku kanë shpjeguar vendimin më të fundit të republikanëve për të mos u impenjuar me asnjë post ministror deri në momentin që do të përfundojnë hetimet lidhur me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të kësaj partie, “Presidenti i Nderit të Asamblesë së PR-së, Sabri Godo dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Partisë Republikane kanë zhvilluar këto 2 ditë takime me asambletë rajonale të Partisë Republikane në qendra prefekturash. Temat kryesore të këtyre takimeve të anëtarëve të kryesisë të PR-së me anëtarësinë dhe strukturat drejtuese lokale kane qenë vendimet e marra nga kryesia në qendër”. Gjithashtu në këto takime presidenti i nderit të Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, ka folur edhe për takimin mes tij, Mediut e Madhit me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas Godos, qëndrimi i republikanëve ka qenë i prerë për të qëndruar jashtë qeverisë, në nivel ministri, deri sa organi i pavarur i Prokurorisë së Përgjithshme të shprehet për tragjedinë e ndodhur. Godo ka zhvilluar takime në degët e Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit, ku sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PR-së, degët lokale të kësaj partie kanë mbështetur kryetarin Mediu. Dorëheqja e Mediut nga posti i ministrit të Mbrojtjes, të cilin e mbante që nga shtatori i vitit 2005, kur koalicioni i djathtë mori pushtetin, u pasua nga një mbledhje prej 90 minutash në kryesinë e republikanëve, ku Mediu i ka paraqitur anëtarëve të kryesisë gjithçka lidhur me ngjarjen e Gërdecit, madje është treguar i gatshëm t’u vërë në dispozicion atyre nga një dosje me të gjitha materialet që disponon. Në përfundim të këtij takimi, kreu i republikanëve Mediu, presidenti i nderit Godo dhe kryetari i grupit parlamentar, Arjan Madhi, janë takuar për rreth 40 minuta me Kryeministrin Berisha, të cilit i kanë komunikuar vendimin për të mos u përfaqësuar me post qeveritar deri në momentin e përfundimit të hetimeve. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur se Kryeministri Berisha e ka mirëkuptuar vendimin e republikanëve. “Unë nuk e shoh Partinë Republikane jashtë qeverisë. Kjo do të ngelet deri në momentin e përfundimit të hetimeve”. Pas marrjes së këtij vendimi, presidenti i nderit të Asamblesë së PR-së, Godo tha se, “unë thashë që ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij koalicioni me përfaqësinë që kemi në qeveri në nivel zv.ministrash dhe pastaj në tërë administratën shtetërore. Do t’ia lëmë kohës të zbardhet njëherë kjo që ka ndodhur, të dalë se të kujt janë përgjegjësitë dhe mbi ç’shkallë rëndojnë mbi secilin dhe vetëm atëherë mund të rikthehemi në qeveri, doemos me kushtet tona”.LSI, Dervishaj: Berisha riktheu marsin e 1997LSI denoncoi dje thellimin e përpjekjes të Kryeministrit Sali Berisha për të shkarkuar të gjitha përgjegjësitë e tij të drejtpërdrejta kushtetuese, ligjore, administrative, politike e morale, në drejtim të institucioneve të sigurisë kombëtare për çka ka ndodhur në Gërdec. Sekretari për Çështjet e Brendshme i LSI-së, Sokol Dervishaj deklaroi se, “kryeministri, duke e trajtuar këtë ngjarje të paprecedentë si një dështim të këtyre mekanizmave shtetërorë, të cilat ai i konsideron në mënyrë abuzive, të papërgjegjshme dhe të pamoralshme, si tërësisht jashtë fushës së tij të përgjegjësive direkte apo indirekte, duke dashur të lajë duart si Ponc Pilati”. Zyrtari i lartë i LSI-së theksoi se me këtë tragjedi nuk duhet të kryqëzohen institucione si SHISH apo Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, apo agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. “LSI shpreh bindjen e saj të thellë se ristrukturimi i mekanizmave të Sigurisë Kombëtare nuk mund të kryhet nga një Kryeministër që i ka goditur dhe shkatërruar ato më shumë se kushdo tjetër. Ky është një proces i gjerë e kompleks dhe nuk mund të realizohet nën trysninë e përpjekjeve për të fshehur përgjegjësit kryesorë të një krimi shtetëror dhe një organizate me profil të qartë kriminal, që mori jetën e dhjetëra njerëzve të pafajshëm, shkatërroi ekonominë e mijërave banorëve, duke i rikthyer edhe një herë ata në marsin e vitit ‘97", tha Dervishi.Gjinushi: Kryeministri, përgjegjësi kryesorOpozita kërkon që Prokuroria e Përgjithshme të mos merret me viktimat, por me organizatorët dhe urdhëruesin e masakrës. Për kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, përgjegjësi numër një, organizatori dhe urdhëruesi i masakrës së Gërdecit është kryeministri Sali Berisha, i cili, sipas tij, vazhdon të mashtrojë opinionin publik, vazhdon të kërkojë ta kalojë përgjegjësinë tek të tjerët. “Krimi i qeverisë dhe i kryeministrit është publik. Ata kanë vendosur që armët të çmontohen jashtë institucioneve shtetërore të specializuara, në qendra të banuara. Ky është krimi shtetëror dhe kjo është bërë për qëllime të pastra përfitimi. Këtë duhet ta përsëritni çdo orë e çdo minutë”, tha dje Gjinushi. Kryesocialdemokrati theksoi se, “kryeministri në bashkëpunim me mafien i hoqi armët nga depot dhe nga Poliçani, e i çoi në një kapanon teneqeje, pa pyetur për jetët e qytetarëve, sepse ndryshe milionat nuk shkonin në xhepat e tij”. “Ky urdhër është dhënë me këtë vendim të paligjshëm. Pra, vendimi i marsit nuk është për të kontrolluar, por për të lejuar shitjen e paligjshme dhe çmontimin pa tender, pa asnjë rregull e siguri. Këtu është lejuar pa ligj të kryhet çarmatimi i armëve nga subjekte private. Ky është krimi qeveritar. Pse duhej privatizimi i çarmatimit të armëve kur kombinatet tona ngelën pa punë: kjo është pyetja, pse kjo bëhet pa tender?!!”, theksoi Gjinushi. Për liderin e PSD-së, Prokuroria e Përgjithshme duhet të hetojë mbi këto fakte. “Këtej fillon përgjegjësia penale, prandaj kryeprokurorja që duke imituar politikën flet për kufizim imuniteti, ta zbatojë atë për kryeministrin. A ka korrupsion më të madh se sa trafiku i armëve me pasoja katrastrofike - humbje për buxhetin mbi 30 milionë USD dhe shkatërrimi i një qytezë e vrasje të 30 personave?! A ka tender më të paligjshëm se ky vendim qeverie? A ka shkelje më flagrante? A ka tender me dëm më të madh ekonomik? A ka tender me pasoja të tilla katrastrofike?”, theksoi Gjinushi. Një tjetër çështje e ngritur është edhe ndryshimi i ligjit për liberalizimin e eksportit të armëve, ku opozita votoi kundër kësaj nisme duke votuar kundër. “Në kulm të papërgjegjshmërisë e panikut kryeministri pranon atë që dinë të gjithë - falimentimin e tërë strukturave të shtetit, përveç atij; si mund të thotë kryeministri e qeveria se nuk jemi informuar për aktivitetin tonë?!! Aktiviteti ishte me vendim qeverie, armët i çonte qeveria, kontratat qeveria, pra ajo nuk është informuar për ato që bën vetë?!”, tha Gjinushi.“Mos të ndërhyhet te SHISH”Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, socialisti Petro Koçi, u shpreh kundër nismës së maxhorancës dhe qeverisë për të realizuar reformë në SHISH, çka nënkupton largimin e drejtuesve aktualë. “Opozita nuk do të miratojë dhe mbështesë asnjë reformë që i shërben kryeministrit për të larguar ata që nuk i ka zgjedhur vetë. Ne nuk mund të mbështesim reforma apo gjoja reforma, sipas të cilave duhen shkarkuar dhe ato njerëz të cilët Berisha nuk i ka emëruar dot deri tani”, deklaroi Koçi. Deputeti i opozitës theksoi se, “Kryeministri Berisha ka dështuar në emërimet që ka bërë deri tani, si në planin politik apo administrativ”. Ky ka qenë qëndrimi i Koçit, i cili ka shtuar se maxhoranca aktuale qeverisëse mban përgjegjësi për shkurtimin e ndjeshëm të fondeve të bëra ndër vite nga institucionit që ka për detyrën e survejimit. “SHISH gjatë këtyre tre vjetëve ka shkurtuar ndjeshëm buxhetin, duke kufizuar rolin e punës”, theksoi Koçi. Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, kryeministri dhe presidenti shpallën dështimin e institucioneve të shërbimeve sekrete në zbardhjen e veprimtarisë që ushtrohej në Gërdec.Xhafaj: Gërdeci, krim i jashtëzakonshëm“Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme. Ka ndodhur një krim i lidhur me korrupsionin shtetëror”.Partia Socialiste e ka interpretuar dje tragjedinë e Gërdecit bazuar në Kodin Penal. Sekretari i Çështjeve Juridike në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, tha dje se tragjedia e Gërdecit nuk duhet të hetohet si një ngjarje që erdhi për shkak të moszbatimit të rregullave teknike. “Në Gërdec nuk ka ndodhur thjesht një ngjarje. Për më tepër nuk ka ndodhur thjesht një vepër penale e lidhur me mosrespektimin e disa rregullave teknike. JO! Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme. Një krim që në Kodin Penal cilësohet vrasje. Një vrasje me jo pak, por deri tani me 22 jetë njerëzish dhe me dhjetëra të tjerë të dëmtuar rëndë e shumë të plagosur. Një vrasje e lidhur me një korrupsion shtetëror të përmasave të jashtëzakonshme. Një vrasje që duhet të hetohet si një krim, për të cilin ka bashkëpunëtorë në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorëve”, tha Xhafaj. Sipas tij, në krye të përgjegjësve të kësaj tragjedie ndodhet kryeministri i vendit. “Në krye të hierarkisë së kësaj strukture qytetarvrasëse është padyshim kryeministri i vendit. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka krijuar kushtet ligjore e administrative për krijimin e kësaj tragjedie. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij nuk ka marrë masat e nevojshme që të parandalohet një krim i këtyre përmasave”, tha Xhafaj. Duke komentuar deklaratat e bëra nga kryeministri ditët e fundit, Xhafaj tha se, “ai po përpiqet të na mbushë mendjen se ai nuk kishte dijeni dhe se një sërë institucionesh kanë dështuar dhe nuk e kanë informuar atë se çfarë po ndodhte në Gërdec, fshat të cilin ai e njohu ditën e tragjedisë e të tilla si këto”. Sekretari socialist duke drejtuar një mori pikëpyetjesh rreth shpjegimeve të dhëna deri tani nga Kryeministri Berisha, është shprehur se “shqiptarëve nuk ka ç’u duhet një kryeministër i tillë”. “Ai ka qenë i informuar jo pak, por një muaj para ditës së tragjedisë për aferën e pistë që po gatuhej. Siç ai vetë ka pranuar në tryezën e tij një muaj më parë, ai kishte të gjithë informacionin e nevojshëm që i bënte me dije se emri i tij dhe i të birit ishin të përmendur në këtë aferë, bashkë me emrin e biznesmenit të hekurit me rekorde kriminale dhe të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kryeministri nuk bëri asnjë lëvizje, përveçse, siç pohon dhe vetë, bisedoi me të birin”, tha Xhafaj. Prokuroria Sekretari i Çështjeve ligjore në Partinë Socialiste tha dje se po ndiqet me vëmendje hetimi i kësaj tragjedie. “Partia Socialiste inkurajon Prokurorinë dhe i kërkon asaj të bashkohet me të vërtetën, që tashmë është bërë pronë e publikut, i cili ditë mbas dite, në mënyrë logjike, ashtu si dhe ju, po tregon me gisht mishin e huaj dhe kryemetastazën politike dhe korruptive që i ka zënë vendit frymën. Ne presim që hetimi i nisur t’i përcaktojë tragjedisë së ndodhur cilësimin e vërtetë ligjor, t’i gjejë këtij krimi me frymëzim, veprim e mosveprim shtetëror, autorët e vërtetë”, tha Xhafaj. Sipas tij, “mënyra e hetimit të kësaj çështjeje dhe adresimi i emrave të fajtorëve tek kryefajtori i vërtetë, është i vetmi shans që organi i akuzës të dëshmojë se varet nga Kushtetuta dhe ligjet e sh