E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbrapset Edvini: Edhe bëjmë, edhe s’bëjmë protesta

Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa e saj për rrëzimin me çdo kusht të qeverisë Berisha duke qenë e vendosur në organizmin e një serie protestash popullore. Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së kësaj partie se “tragjizmi i Gërdecit, ka nxjerrë në pah korrupsionin që ka kapur qeverinë dhe kryeministrin, për të cilin populli kërkon dorëheqje dhe hetim”. Sipas tij hetimeve për ngjarjen e rëndë të 15 marsit duhet t’i shkohet deri në fund. Kryesia e PS-së në bllok e ka cilësuar tragjedinë me përmasa katastrofike dhe ka etiketuar kryeministrin Berisha si përgjegjësin kryesor të saj. “Kryesia konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste, për të mos lejuar asnjë devijim nga procesi i integrimit në NATO dhe për të garantuar marrjen e ftesës. Por nga ana tjetër nënvizoj se ngjarja e paharrueshme që shkaktoi kaq shumë viktima dhe që nxori në pah lakuriq papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin që ka kapur në fyt qeverinë dhe kryeministrin është nga njera anë një arsye më shumë për t’u bërë pjesë e proceseve integruese dhe është nga ana tjetër dhe detyrim i pashmangshëm i Partisë Socialiste, i të gjithë opozites që sot është një popull i tërë i indinjuar me këtë kryeministër i cili nuk arrin të marrë dot përgjegjësinë e tij të pashmangshme politike dhe morale e që duhet njekohesisht të dorehiqet duke dorezuar edhe imunitetin për të marrë përgjegjësinë ligjore që ka eventualisht në një proces që e shikon atë të përfshirë këmbë e duar” - deklaroi Rama. Më parë Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, pati njoftuar vijimin e marshimeve paqësore përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të cilat në rast se vijon intrumentalizimi periodik i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk ka asnjë garanci se do të mbeten të tilla. “Në pritje, që Prokuroria të nxjerrë përgjegjësitë e tija ligjore, ne do të vijiojmë të kërkojmë përgjegjësitë e tij politike e morale, përmes dorëheqjes, si kërkesë që vjen nga miliona shqiptarë, të cilët janë thyer në zemër dhe fyer në dinjitetin e tyre nga ky Kryeministër, që gënjen pas një katastrofe për të cilën, ka një përgjegjësi të drejpërdrejtë. Ne do të bashkohemi përsëri në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të dëshmuar se pa ikjen e këtij Kryeministri kjo qeveri s’ka asnjë moral të qeverisë Shqipërinë dhe shqiptarët” - deklaroi dje Klosi. Sipas tij “deklarimet e papërgjegjshme të kryeministrit gjatë fundjavës, treguan qartë se ai nuk e ka dëgjuar heshtjen kuptimplotë të bulevardit Dëshmorët e Kombit ku, dhjetra mijëra qytetarë ecën së bashku për të shprehur me dinjitet hidhërimin: për viktimat e pafajshme, për një Kryeministër të përfshirë familjarisht në zullumin e madh, që vrau njerëz e shkatërroi familje e prona, përpara një Kyeministri, që bën sikur nuk dëgjon zërin e popullit të tij. “Një qeverie, që bën sikur menaxhon krizën, që shkaktoi me papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe korrupsionin e vet. Një mazhorance, që bën sikur qëndron bashkë, duke shtuar përditë llumin e batakut e të korrupsionit. Në homazh të këtij hidhërimi, ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa për dorëheqjen e hetim të plotë të përfshirjes së Sali Berishës në aferën e Gerdecit. U çuditëm shumë, që Zoti Berisha dje
ia mohoi opozitës të drejtën për të kërkuar imunitetin e tij, ndërkohë, që ka tre vjet që deklaron se është gati ta lërë atë në çdo rast. Por, nuk na çudit fare frika e tij nga heqja e imunitetit në kushtet, kur të gjitha indiciet të bëjnë të mendosh që Kryeministri nuk ka vetëm përgjegjësi politike e morale për masakrën e Gërdecit, por edhe përgjegjësi ligjore” - tha ai.

 Alket Goce

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›