E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak vendos 970 emra të rinj për rrugët e Durrësit



Këshilli Bashkiak i Durrësit ka vendosur që 970 emra të personaliteteve të shquar nga vendi dhe bota që janë propozuar nga komisioni i emërtimit të rrugëve, shesheve dhe territoreve të qytetit, të miratohen mbledhjen e ardhshme. Bashkia e qytetit është tepër e vonuar në këtë proces, pasi bazuar në projektin LAMP për sistemimin e adresave, duhej ta kishte përfunduar këtë proces disa muaj më parë. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dak,o deklaroi për “standard” se “Këshilli Bashkiak ngriti komisionin prej tetë vetash që do të merrej me këtë punë, dy prej të cilëve janë pjesë e Bashkisë së Durrësit. Komisioni ka propozuar emrat që do të vihen për rrugë, sheshe dhe territore që nuk kanë pasur emra bazuar në kodet përkatëse për secilin. Komisioni e ka ndarë territorin e qytetit të Durrësit në tre zona, në atë të qytetit, zonën e Shkozetit dhe zonën e plazhit”. Për zonën e Shkozetit propozimet janë bërë pothuajse nga të gjithë anëtarët e komisionit, kurse për zonën e Plazhit emrat janë propozuar nga historiani Sali Hidri, ndërsa për atë të qytetit nga arkeologu Afrim Hoti. Në këto propozime ka pasur edhe emra fare të panjohur, siç është propozimi që një rruge në Durrës t’i vihet emri rruga “Abu Abdullah Al Idris”, rruga “Agora” apo “Scolia”. Dako tha se “këshilltarët kanë kërkuar që emrat që janë propozuar të shoqërohen me një shpjegim të shkurtër në lidhje me atë që këta personalitete kanë përfaqësuar gjatë jetës së tyre”. Personat shqiptarë që janë përzgjedhur në shumicën e tyre kanë pasur lidhje të ndryshme me qytetin e Durrësit, ku janë përzgjedhur shumë mësues, mjekë, aktorë të teatrit, figura të politikës etj. Komisioni ka pasur parasysh që personalitetet shqiptare që janë përzgjedhur për emërtimin e rrugëve të merren vetëm ata që nuk jetojnë më, por nga personalitetet e huaja nuk është marrë parasysh ky kriter, siç është rasti për rrugën që pritet të marrë emrin “President Obama” në qytetin e Durrësit. Shumë emra të shquar janë përzgjedhur edhe nga Kosova, ngjarje të ndryshme historike, data dhe vende që zënë vend të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Nga ana tjetër komisioni ka propozuar edhe emra të shquar të artit skenik botëror siç është aktorja me famë botërore Ingrid Bergman, Marçelo Mastrojani, Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida apo këngëtarët e mirënjohur italianë: Adriano Çelentano, Domeniko Modunjo etj. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak për emërtimin e rrugëve e shesheve me këta emra, lista me kodet përkatëse do të dërgohet në Ministrinë e Brendshme. Kjo e fundit do të përgatisë shumë shpejt tenderin për stampimin e tabelave me adresat që do të jenë unike në të gjithë vendin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›