Qeveria miraton autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të 9 HEC-eve të tjerë

Qeveria miratoi disa vendime për përcaktimin e autoritetit kontraktues dhe bonusin përkatës për dhënien me koncesion për 9 hidrocentrale të tjera: “Labinot Fushë”, “Shutinë”, “Ostren i Vogël”, “Gomsiqe 1, 2 dhe 3”, “Lingjancë” dhe “Fushë Arrëz”.
Kryeministri Berisha vlerësoi se historia dy vjeçare (2007-2009) e këtij procesi, është një nga historitë më të suksesshme jo vetëm për Shqipërinë, por një sukses mbase i papërsëritshëm në historinë e tregut.
“Në një proces tërësisht të hapur dhe duke pasur vetëm 2 objektiva: të mbrojmë interesin publik në shfrytëzimin e ujit dhe mjedisit dhe duke ia autorizuar gjithçka tjetër sektorit privat, ia kemi dalë që, në këtë hark kohor shumë të shkurtër, të firmosim rreth 50 kontrata. Ndër to, ka kontrata me investim prej 1 miliardë euro, siç është Kaskada e Devollit, 140 milionë euro si hidrocentrali i Ashtës dhe dhjetëra hidrocentrale të tjera. Puna e bërë do të bëjë të mundur që kjo qeveri, gjatë këtij viti, të mund të firmosë rreth 120 kontrata. Them kjo qeveri, sepse zëdhënësit e asaj qeverie që imagjinon të vijë, deklarojnë se ne do t’i anulojmë të gjitha këto. Sigurisht që zgjedhësit dhe populli duan punë, dritë, energji. Nuk ka shqiptarë që dëshiron t’i shohë ujërat e vendit të derdhen të fjetura në det, pa vlerë.”
Kryeministri theksoi se ky proces është në interesin më të mirë të shqiptarëve.
“Ky është interesi i të gjithë shqiptarëve. Shqiptarët kanë nevojë për punë. A mund t’i thuash Gramshit se do të anulohet projekti që punëson minimumi 7 mijë punonjës? A mund t’i thoni Bushatit se do të anulohet projekti, në të cilin punësohen qindra e qindra punëtorë, do të anulohen 50 kontrata, të cilat punësojnë 30 mijë shqiptarë dhe 15 prej të cilave inaugurohen gjatë ditëve në vijim? Nuk ka deklaratë më absurde, sesa këto. Këto janë deklarata që bëhen kur të verbon xhelozia, sepse xhelozia, siç e dini ju, është ndjenja më e fuqishme për të verbuar.”
12/03/2009