8 marsi një "Ditë e Hapur " në Kuvend.Kryetarja e Kuvendit takohet me dhjetra gra,nëna e vajza të reja:"Mirënjohje dhe dashuri të pa fund për çdo nënë".
Kuvendi i Shqipërisë hapi sot dyert për gratë, nënat, vajzat për të përçuar në mënyrë simbolike, mesazhin se dyert e politikës dhe vendimarrjes janë të hapura për të gjitha ato që dëshirojnë të jenë pjesë e saj.
Gra nga e gjithë Shqipëria mbërritën në Kuvend dhe vizituan mjediset e tij, zyrat, sallat ku merren vendimet e miratohen ligjet.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur e takuar miqësisht të gjitha gratë që sot erdhën në Kuvend duke i uruar atyre dhe veçanërisht të gjitha nënave 8 marsin, por mbi të gjitha duke i inkurajuar ato të ecin përpara dhe duke ftuar të gjitha vajzat dhe zonjat që dëshirojnë, të bëhen pjesë e vendimarrjes së madhe.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se sakrifica dhe kurajo e nënave dhe grave kosovare nuk duhet të harrohet, përkundrazi duhet të shërbejë si motivim për të gjithë brezat në Kosovë por edhe në Shqipëri.
Artiste, pedagoge, juriste, biznesmene, mjeke, gazetare e plot nëna e gra të thjeshta u takuan e biseduan në një atmosferë shumë të përzemërt me Kryetaren e Kuvendit dhe vlerësuan rolin e saj jo vetëm në mbështetje të përmirësimit të legjislacionit për më shumë të drejta për gratë, por edhe për kontributin e saj në sensibilizimin e shoqërisë për shëndetin e gruas dhe për fuqizimin e saj në vendimmarrje.