E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS braktis mbledhjen pas debateve për rendin e ditës

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-10-2011 11:48

Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të Tiranës i ka ngjasuar më shumë seancave parlamentare të Kuvendit. Ndonëse ka nisur fiks në orën e përcaktuar, që ishte 17.00 e pasdites së djeshme, mbledhja nuk ka shkuar ashtu siç duhej, pasi pjesa e parë e saj ka kaluar me debate të ashpra mes këshilltarëve të majtë dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, për rendin e ditës. Ky i fundit ka hapur mbledhjen duke shpjeguar para këshilltarëve 9 pikat e përfshira në rendin e ditës, përfshirë edhe 3 pika të reja, një prej të cilave ishte ajo për hapjen e tenderit për Unazën e Madhe. Menjëherë pas Kosovrastit e ka marrë fjalën përfaqësuesi i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, i cili u shpreh se ajo që kërkohej të bëhej në mbledhje ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren. Dalipi kërkoi të futej në rendin e ditës diskutimi për dhunën e ushtruar mbi dy punonjëset e Drejtorisë së Tatim-Taksave, çështje për të cilën këshilltarët e majtë kishin kërkuar një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak në muajin shtator, por që nuk ishte pranuar. “Kërkoj të lexoj një deklaratë për çështjet që ne do të ngrinim në Këshillin Bashkiak dhe të mbajmë pastaj qëndrim për rendin e ditës”, - tha Dalipi. Pas kësaj, kreu i Këshillit Bashkiak tha se kërkesa nuk ishte pranuar, pasi nuk ishte e mbështetur në rregullore dhe ligj, ndaj dhe është refuzuar. “Kërkesa nuk mbështetet në rregullore. Në nenin 44 tregohen dy raste kur kryetari i Bashkisë thirret të raportojë një herë në 6 muaj. Kjo ndodh vetëm për gjendjen financiare ose për funksionet e Bashkisë”, - tha Kosovrasti. Por çështja e thirrjes së kreut të Bashkisë në raportim është mohuar nga këshilltarët e majtë, të cilët janë shprehur se nuk e kanë pasur këtë pikë në shkresën e tyre dërguar drejtuesve të Këshillit Bashkiak. “Nuk kemi bërë asnjë kërkesë për të thirrur Bashën. Kemi kërkuar mbledhjen për shkarkimin e dy punonjësve. Ne përfaqësojmë gjysmën e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka shans njeri të na thotë keni shkelur ligjin”, - deklaroi i revoltuar Dalipi, duke e shoqëruar nervozizmin e tij edhe me përplasjen e dorës mbi tavolinë, veprim që është pasuar edhe nga disa këshilltarë të tjerë të majtë. Ky reagim e ka shtuar edhe më shumë tensionin gjatë mbledhjes, e cila për pak minuta duket se doli jashtë kontrollit, ndërsa Kosovrasti ka kërkuar që këshilltarët të mos i përplasnin duart mbi tavolina, duke ia dhënë menjëherë fjalën kreut të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni. Ky i fundit tha se do ishte mirë që të ruhej deri në fund solemniteti i mbledhjes dhe të mos bëhen deklarata politike, duke propozuar që të kalohej tek hedhja e rendit të ditës të votë. Edhe për këtë çështje, këshilltarët e majtë kanë pasur kontestime, pasi, sipas përfaqësuesit të tyre, propozimet janë futur në rendin e ditës duke u shkelur rregulloret dhe ligjet. Por në këtë moment kreu i Këshillit Bashkiak ka hapur votimin për rendin e ditës, ku kanë ngritur kartonat edhe dy këshilltarë të pamandatuar, një i PD dhe tjetri i LSI, të cilët do ta merrnin mandatin gjatë mbledhjes së djeshme, e që ishin zëvendësuesit e Edmond Panaritit dhe Jorida Tabakut. Në vend të të parit do të jetë Blerina Kazaferi, ndërsa Tabaku është zëvendësuar me Bojken Lakon. Në emër të grupit të këshilltarëve socialistë, Dalipi e quajti “skandal votimin për rendin e ditës nga ana e 2 këshilltarëve që nuk kanë marrë mandatin” dhe tensionimi i situatës bëri që në orën 17 e 40 minuta mbledhja të ndërpritej, për të rifilluar sërish me debate pas 30 minutash pushimi. Kjo kohë u shfrytëzua nga Aldrin Dalipi për të lexuar para mediave deklaratën e grupit të këshilltarëve bashkiakë të opozitës. Pas rifillimit të mbledhjes u kalua në përsëritjen e votimit për rendin e ditës, i cili mori jo vetëm votat e këshilltarëve të PD dhe LSI, por edhe një tjetër surprizë të përfaqësuesit të PSV91, Enver Reçit, duke bërë që rendi të kalonte me 27 vota. Në këtë moment këshilltarët e majtë kanë dalë përsëri nga mbledhja, duke u veçuar në një diskutim brenda grupit në zyrat e Bashkisë, dhe janë rikthyer përsëri në sallë në momentin që ka ardhur kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, por kanë qëndruar vetëm pak minuta dhe më pas janë larguar përfundimisht prej saj.

Vendimet e miratuara me 29 vota

Reduktimi i 60 taksave apo tarifave bashkiake

Ngritja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit

Miratimi i strukturës së re të Bashkisë së Tiranës

Hapja e tenderit për një segment të Unazës së Madhe

Dhënia e titullit “Ambasadore e Tiranës” për Eliza Dushku

Kalimi i Futboll-Klub “Tiranës” në një shoqëri aksionere

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›