E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak, miratohet heqja dhe ulja e 60 taksave

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-10-2011 11:46

Kryeqytetasit, duke filluar që nga dita e parë e vitit 2012, do të kenë 60 taksa dhe tarifa më pak. Me 29 vota pro, Këshilli Bashkiak ka miratuar një nga propozimet e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, për reduktimin e taksave, të cilat, sipas tij, kanë rënduar për vite me radhë xhepat e qytetarëve. Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 29 vota pro, 5 propozimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që kanë të bëjnë me heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore, ndryshimin e strukturës organike së Bashkisë, hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike te Qendra Kristal dhe kalimin në dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës së Tiranës, dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, për kryeministrin e Kuvajtit, Emirin e Katarit, dhe për aktoren shqiptaro-amerikane Eliza Dushku. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për kalimin e Futboll-Klub “Tirana”, në shoqëri aksionere. Dy ndër vendimet më të rëndësishëm janë ai për reduktimin e 60 taksave apo tarifave bashkiake, që do të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2012, si dhe vendimi për hapjen e tenderit teknik për një segment të rëndësishëm të Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike deri te qendra “Kristal”. Vendimi i miratuar “Për disa ndryshime në vendimin nr.3 të vitit 2007 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, shfuqizon dhjetëra tarifa administrative dhe shërbimi. Ndër ndryshimet thelbësore janë ato për tarifën e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, e cila për familjarët shkon në 5 000 lekë në vit, ndërsa për biznesin e vogël niveli i kësaj tarife vjetore do të jetë sa 10% e nivelit të taksës për këto biznese, kurse për biznesin e madh tarifa luhatet nga 2 500-37 500 sipas kategorive, dhe për biznesin VIP tarifat shkojnë nga 19 000-47 000 lekë në vit. Njëkohësisht ndryshime kanë pësuar edhe tarifat për vendosjen e taksës së tabelës. Sipas vendimit, tarifa për vendosjen e tabelave për qëllime identifikimi në shqip aktualisht është 1 500 lekë dhe do të bëhet 120 lekë në vit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak duke i bëri ftesë këshilltarëve të majtë për bashkëpunim. Unë i respektoj këshilltarët e opozitës, por dua që ata të respektojnë ligjin dhe ka mënyra të ndryshme për të rëndë dakord, por e rëndësishme është të ulim gjakrat”, - tha Basha. Edhe pas kësaj oferte, këshilltarët e majtë nuk janë “zbutur” aspak, dhe përfaqësuesi i tyre i ka komunikuar kreut të Bashkisë vendimin për t’u larguar prej saj. Gjatë kohës që këshilltarët e majtë po largoheshin nga mbledhja, kryebashkiaku u dha atyre edhe mesazhin e fundit duke u shprehur se “Edhe njëherë shpreh keqardhjen për këtë vendim të grupit tuaj, shpresoj që të mos jetë parathënia e një qëndrimi të përhershëm, ju përsëris edhe njëherë ofertën në interes të qytetarëve, mendoj se sot ishte dita më e mirë për të treguar një ndarje nga praktikat e bojkotit, që janë një kosto për të ardhmen europiane të vendit. Mendoj se nuk ka ditë më të keqe për të treguar praktikë bojkoti sesa dita kur BE-ja e vlerëson bojkotin si problemin kryesor të vendit. Megjithatë, mbetem me shpresë se kjo nuk do të jetë një praktikë, por ne do të vendosim një bashkëpunim, dialog, dhe respekt reciprok për njëri-tjetrin, sepse qyteti i Tiranës nuk ka kohë për të humbur”. Por, megjithëse Basha kërkoi që opozita të bëhet pjesë e këtyre reformave dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim, këshilltarët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” vendosën të mos marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit, ku u bë paraqitja e projekteve. Kështu, pas deklaratave për këshilltarët e majtë, Basha ka prezantuar para këshilltarëve të “Aleancës për Qytetarin” vendimet e paraqitura prej tij për t’u miratuar në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Pasi ka sqaruar vendimet, kryebashkiaku është larguar nga mbledhja për t’u lënë kohë dhe mundësi këshilltarëve që të bënin votimin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›