Qeveria miraton hapjen e Ambasadës Shqiptare në Brazil
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme hapjen e Ambasadës Shqiptare në shtetin e Brazilit. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, e cilësoi mjaft të rëndësishëm miratimin e këtij vendimi. Ai tha se gjatë takimit në Pekin me Presidentin e Brazilit, i premtoi atij se Shqipëria do të hapë së shpejti Ambasadën Shqiptare në Brazil. “Unë doja të veçoja vendimin e qeverisë për të hapur Ambasadën Shqiptare në Brazil, në këtë vend të madh dhe shumë të rëndësishëm. Në takimin e shkurtër që zhvillona në Pekin me Presidentin Lula, e informova se Shqipëria shumë shpejt do të hapë ambasadën në vendin e tij të madh. Në vizat i kemi hequr për këtë vend dhe shpresojmë që me këtë hap marrëdhëniet e Shqipërisë me Brazilin të njohin zhvillime të reja të rëndësishme. Brazili është një vend demokratik, me rezultate dhe ngjitje të konsiderueshme, si dhe me një peshë të madhe jo vetëm në kontinentin amerikan, por më gjerë në mbarë botën”, - është shprehur Berisha.
Berisha takohet me investitorë izraelitë
Kryeministri Berisha priti dje në një takim përfaqësuesit e kompanisë izraelite, “Goren Capital Group”, të kryesuar nga Sam Gortler. “Goren Capital Group” është një kompani e njohur që ofron ekspertizë dhe konsulencë për projekte të mëdha. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e kësaj kompanie shprehën interes për të ofruar konsulencë në tërheqjen dhe menaxhimin e investimeve në: porte, rafineri, energjetikë dhe në infrastrukturë. Kryeministri Berisha falënderoi investitorët izraelitë për projekt-idenë dhe i njohu me interesin e biznesit për investime në porte, miniera dhe në sektorin e energjetikës. Kryeministri Berisha garantoi përfaqësuesit e “Goren Capital Group” se qeveria e tij do të mbështesë projektet e tyre.
28 Gusht 2008