E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksimi, rritet pagesa për të papunët

04/08/2011  Vendimi i qeverisë për pagesën e papunësisë hyn në fuqi nga 1 korriku

Sipas INSTAT-it, numri zyrtar i të papunëve në Shqipëri kap shifrën 140 mijë

Të gjithë ata persona që marrin pagesë papunësie apo asistencë, siç njihet rëndom, që nga data 1 korrik e këtij viti do të paguhen me 6850 lekë në muaj. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, e cila pas rritjes së nivelit bazë të pagës minimale tashmë ka rritur dhe pagën e papunësisë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 54, të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave v e n d o s i: Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 6850 (gjashtë mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, në grupin 25, titull 10550, “Transferta të buxhetit familjar dhe invalidët”. Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi nr.697, datë 18.8.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.8.2011”, - thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Deri më tani, niveli i pagës së papunësisë, ka qenë rreth 6565 lekë në muaj, pra kemi një rritje me diçka më shumë se 300 lekë për të gjithë ata që përfitojnë nga ky vendim. Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri papunësia prek rreth 140 mijë persona të aftë për punë. Niveli më i lartë i papunësisë në vendin tonë në nivelin 22.3% është shënuar në vitin 1993, në vitet e para të pluralizmit politik, ndërsa niveli më i ulët në vitin 1996 (12.4%), Sipas “Open Data Albania”. Edhe pse shkalla e papunësisë ka qenë në ulje gjatë dhjetë viteve të fundit, ky nivel nuk e ka arritur ende atë të vitit 1996. Në vitin 2009 vihet re një rritje e shkallës së papunësisë me 0.6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Sipas FMN-së, shkalla e papunësisë në Shqipëri në vitin 2010 vlerësohet të jetë rreth 12.5%. Në vitin 2009, nga totali i të papunëve të regjistruar, 88.3% janë të papunë afatgjatë, 6.3% marrin pagesë papunësie, dhe pjesa tjetër prej 5.4% konsiderohen të papunë ciklikë. Gjithashtu vihet re një lidhje e drejtpërdrejtë midis nivelit të punësimit dhe arsimimit. Në vitin 2009, 53.6% e të papunëve të regjistruar kanë arsim 8-vjeçar, 43.8% arsim të mesëm, dhe vetëm 2.6% arsim të lartë. Duhet pasur parasysh se në të dhënat nuk përfshihen të dhëna për punët private të padeklaruara.

Të dhënat

Në vitin 2009 nga totali i të papunëve të regjistruar, 88.3% janë të papunë afatgjatë, 6.3% marrin pagesë papunësie dhe pjesa tjetër prej 5.4% konsiderohen të papunë ciklikë. Gjithashtu vihet re një lidhje e drejtpërdrejtë midis nivelit të punësimit dhe arsimimit. Në vitin 2009, 53.6% e të papunëve të regjistruar kanë arsim 8-vjeçar, 43.8% arsim të mesëm, dhe vetëm 2.6% arsim të lartë. Duhet pasur parasysh se në të dhënat nuk përfshihen të dhëna për punët private të padeklaruara.

Kriteret

Kriteret për të përfituar pagesën e papunësisë janë disa. Aplikantët duhet të kenë kontribuuar për të paktën 12 muaj në sigurimet shoqërore që të përfitojnë pagesën e papunësisë. Për më tepër, ata duhet të regjistrohen si punëkërkues të papunë pranë zyrës së punësimit dhe të paraqesin një kërkesë së bashku me dokumentacionin, jo më vonë se dy muaj nga çasti që kanë mbetur pa punë. Të papunët duhet të paraqiten në zyrë një herë në muaj, ose sa herë që të thirren nga zyra e punësimit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›