Qeveria miraton kontratën për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje kontratën me kompaninë Sagem për prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë një projekt tepër të rëndësishëm, ndaj dhe ka gjetur rastin të ftojë opozitën të miratojë në parlament kontratën për prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. “Jam në dijeni se opozita, pas reagimeve fillestare absurde, ka marrë dosjen e dokumentave dhe është njohur me to. Ajo do të ketë mundësi të njihet me të edhe në parlament, pasi kontrata do të shkojë atje për shkak të rëndësisë strategjike që ka për vendin. Shpresoj që opozita, duke pasur parasysh transparencën e plotë e totale të këtij procesi, të mos rreshtohet mbrapa interesave të ngushta klienteliste, por ta mbështesë atë. Unë ftoj qeverinë ta miratojmë kontratën dhe ta paraqesim me përparësi në parlament, në mënyrë që ta votojmë këtë javë”, është shprehur kreu i qeverisë. Më tej, duke e veçuar si një ndër vendimet më të rëndësishme të mbledhjes së qeverisë, Berisha tha se prodhimi i kartave të identitetit dhe pasaportave ka rëndësi të madhe për zhvillimin e një procesi zgjedhor transparent dhe të drejtë. “Rëndësia kombëtare është, së pari, në rrafshin e zgjedhjeve. Shqiptarët do të mund të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme me infrastrukturën më të mirë, të barabartë me atë të vendeve europiane. Karta e identitetit, pasaporta biometrike, regjistri elektronik i gjendjes civile dhe listat elektronike të zgjedhësve përbëjnë vërtet një infrastrukturë të pashembullt më parë për zgjedhjet e ardhshme. Së dyti, ka një rëndësi të madhe sigurie. Pajisja e qytetarëve shqiptarë me këto dokumente ka rëndësi të madhe edhe për liberalizimin e vizave,” u shpreh kryeministri. Duke e konsideruar projektin e pritur ndër vite, një premtim të përmbushur të qeverisë, kryeministri theksoi se me përfundimin e regjistrit elektronik të gjendjes civile, procesi i lëshimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike do të bëhet mbi bazën më të sigurt të të dhënave. “Ky proces, ishte jo i lehtë. Tetë vjet nga qeveritë e mëparshme pati lumë fjalësh e premtimesh, të faktuara të tëra mashtrime dhe vetëm mashtrime. Ky projekt ishte premtim dhe iniciativë e qeverisë sonë. Pengesë serioze ka qenë mungesa e regjistrit elektronik të gjendjes civile dhe procedimi pa këtë regjistër e bënte procesin të pasigurt. Ky regjistër ka përfunduar dhe procesi i lëshimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike është në bazën më të sigurt të të dhënave”, është shprehur Berisha.
24 Korrik 2008