Topalli: Zhvendosja e diplomatëve ishte keqkuptim administrativ
Ndonëse pesë ditë me vonesë Kryetarja e Parlamentit ka thënë fjalën e saj lidhur me ankesën e ambasadorit amerikan për zhvendosjen e trupit diplomatik nga seanca parlamentare ku do të raportonte dhe Kryeprokurorja Ina Rama. Kryeparlamentarja e ka konsideruar si një “keqkuptim administrativ” atë që ka ndodhur ndërsa në letrën dërguar Topallit, ambasadori amerikan hidhte dyshime serioze lidhur me këtë veprim. “Dëshiroj t’ju siguroj se, nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë që të largohet njeri nga ndjekja e punimeve të Parlamentit. Ndryshimi i vendeve, nga lozha në galeri, për punonjësit e huaj dhe shqiptarë të programit OPDAT ka qenë vetëm keqkuptim administrativ, për shmangien e të cilit në të ardhmen janë marrë të gjitha masat. Sërish dëshiroj të përsëris se, e konsideroj nder të veçantë për Kuvendin e Shqipërisë praninë e ambasadorëve dhe të stafeve të tyre në ndjekjen e punimeve të Parlamentit”, -i shkruan Topalli ambasadotit Uidhers. Sakaq Kryeparlamentarja vetëm kaq ka thënë për incidentin e ndodhur, ndërsa pjesa dërrmuese e letrës i kushtohej marrëdhënieve të përzemërta apo respektit reciprok mes dy shteteve. “Lexova me vëmendje letrën tuaj, të datës 21.07.2008. Më lejoni të ritheksoj se, unë personalisht dhe Kuvendi që unë drejtoj, ashtu si të gjithë shqiptarët, ushqejmë një mirënjohje të thellë ndaj miqësisë së palëkundur dhe mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kuvendi i Shqipërisë, si gjithnjë, ndihet i nderuar të mirëpresë titullarë të Trupit Diplomatik, ambasadorë, shefa misionesh e përfaqësues të tjerë, në punimet e Parlamentit. Jam e lumtur që, së bashku me kolegët kemi arritur të bëjmë transparente, më shumë se kurrë, veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Ashtu si edhe në seancat e tjera plenare, edhe në atë të datës 17.07.2008, me një axhendë intensive me shumë pika në rend të ditës, punimet e kësaj seance janë transmetuar drejtpërsëdrejti mbi 5 orë, në disa kanale televizive”, -shkruan Topalli në letrën e saj. Seanca në të cilën raportoi Kryeprokurorja Ina Rama u karakterizua nga një tension i madh, ndërsa shumica e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike braktisën sallën e parlamentit në mënyrë të papritur.
24 Korrik 2008