Klasifikimi dhe standardizimi i firmave ndërtuese vlerëson kapacitetin real të tyre
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, paraqitjen e klasifikimit dhe standardizimit për firmat ndërtuese, në mënyrë që të përcaktohen saktësisht kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre respektive.
Kryeministri tha se grupi i punës i ngritur për ketë qëllim po studion praktikën më të mirë prej vendeve të tjera në mënyrë që secila kompani të marrë përgjegjësitë sipas kapaciteteve reale që disponon.
Kryeministri theksoi se ky proces do të shmangë abuzimet e disa prej kompanive, të cilat ndonëse kanë patur shansin dhe mundësinë e rritjes së kapaciteteve të tyre, nuk e kanë bërë këtë të shtyrë nga etja e fitimeve të padrejta. “Për ti dhënë një nxitje dhe fuqizim kompanive private shqiptare të ndërtimit të cilat ishin të diskriminuara me ligj në shumën me të cilën ato mund të merrnin pjesë në tendera, ne e katërfishuam këtë shumë, por rezulton se jo të gjitha këto tre apo katërfishuan kapacitetet. Pra në se disa i kanë rritur kapacitetet dhe kanë përfituar nga mundësia, të tjera etja e superfitimit i ka penguar të ngrihen në nivelin për të cilin ne u dhamë shanse dhe mundësi.”
Kryeministri theksoi se investimet në infrastrukturë janë katërfishuar në krahasim me vitin 2004, gjë e cila kërkon katërfishimin e kapaciteteve. “Në rast se investoheshin në 2004 19 miliard totalisht në infrastrukturë , sot investohen rreth 80 miliard , pra këtë herë më shumë, gjë e cila kërkon katërfishim të kapaciteteve.”