Fjala e Kryeministrit Berisha në analizën vjetore të Policisë së Shtetit
Në qoftë se Shqipëria ka ndryshuar, ju keni qenë me kurajën, me trimërinë me ndershmërinë dhe përkushtimin tuaj ndër vektorët kryesore të këtij ndryshimi. Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë rast për tu përshëndetur ju dhe të gjithë inspektorët dhe oficerët e policisë shqiptare kudo që ndodhen. Ju ia keni dalë me përkushtim të madh, trimëri dhe kurajë të përballeni me organizatat kriminale më të rrezikshme dhe më të fuqishme në Evropë, ti shpartalloni ato, ti vendosni para ligjit dhe tu ktheni qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës që ata meritojnë , të pronës, të veprimtarisë së tyre të përditshme.
Në dy vite, sot ju mund të krenoheni se në një pjesë të madhe të treguesve, Shqipëria ka ndër treguesit më të mirë të luftës kundër kriminalitetit. Ata të cilët duhet të merren me të vërtetat le të klikojnë dhe të shohin statistikat e krimit në Shqipëri, e krimeve të rënda dhe të krimeve të tjera. E tëra kjo është absolutisht meritë e juaja. Dua të citoj këtu një polic të thjeshtë, i cili një javë para vizitës së presidentit Xhorxh Bush, pyetjes së gazetarit të New York Times, se përse nuk i arritët këto rezultate më parë, iu përgjigj, se nuk im përmbushëm dot sepse para se të niseshim ne në aksion, kriminelët na prisnin në pritë pasi ishin të njoftuar, kurse sot kjo nuk ndodh më.
Kam qenë i bindur në ndershmërinë tuaj dhe mbetem i bindur në kurajën, trimërinë , përkushtimin, profesionalizmin tuaj. Ju keni justifikuar tërësisht këtë besim të madh të qeverisë dhe të vendit. Ia keni dalë të vendosni një partneritet të shkëlqyer me policitë e vendeve mike, një bashkëpunim me integritet të lartë dhe dëshmi e saj janë të gjitha aksionet e përbashkëta, të gjitha ndalimet e bosëve të mafies shqiptare kudo që ata kanë qenë. Në këtë kontekst, Unë dua ti shpreh një mirënjohje të madhe vendeve mike, Komisionit Evropian, qeverisë së SHBA-ve dhe të gjitha qeverive të tjera, Italisë, Britanisë, Austrisë, dhe të gjitha vendeve të cilat u ndihmuan ju për të arritur këto rezultate, për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurtë. Për dy vjet me radhë, ky vend ka patur një shtim prej mbi 72 % të turizmit dhe nuk ka patur një turist shqiptar apo të huaj që mund te ketë pësuar incidentin më të vogël.
Me përkushtim të madh ju keni luftuar trafiqet dhe korrupsionin brenda radhëve tuaja,dhe sot treguesit janë shumë më mirë sesa çkanë qenë më parë. Policia funksionon mbi bazën e një ligji të ri, një ligji të standardeve më të mira , të cilin ju e meritoni plotësisht. Unë u jam shumë mirënjohës atyre që na ndihmuan të hartonim një ligj të standardeve të tilla. E ndjek me vëmendje zbatimin e këtij ligji nga ana e zbatuesve. Ju keni ligjin, mbështetjen tonë do ta keni të plotë. Ligji është ai të cilit ju i shërbeni , e respektoni dhe tek i cili ju bazoheni. Ju keni dhënë një kontribut të madh në shtetin ligjor, jo vetëm në zbatimin e përditshëm të ligjit, por në detyrimet që ju keni përmbushur me zgjedhjet në këtë vend, sepse shteti ligjor fillon nga zgjedhjet. Me shkallën e lartë të përgjegjësisë që keni treguar me zgjedhjet, në transportin e kutive të votimit, në mbrojtjen e qendrave të votimit , ju keni dhënë maksimumin që i takon të japë policisë së një vendi për zgjedhjet e tij, ndaj dhe me ligjin e ri kam besim se të gjitha këto aspekte të punës suaj, të gjithë këta tregues do të njohin konsolidim dhe zhvillim të mëtejshëm, por puna juaj kërkon vëmendje të madhe, kërkon që në çdo rast të jeni të gatshëm ta thelloni më tej luftën kundër krimit. Zero tolerancë është dhe mbetet parimi ynë kryesor.
Unë jam në dijeni se ju jeni të përqendruar thellësisht në këtë drejtim, por duhet ta dini se çdo rezultat i juaji është rezultat me rezonim të madh për Shqipërinë. Tani qe ndodhemi në procesin e liberalizimit të vizave, negociatat për liberalizmin e plotë të të cilave do të nisin në shkurt, mars të këtij viti, detyrimet tuaja bëhen shumë herë më të mëdha. Ne duhet të rrisim eficencën në kontrollin e integruar të kufijve , në mënyrë që tek miqtë partnerë të mos eksportojmë asnjë element pasigurie drejt tyre. Vendosja e moratoriumit për skafet ishte një masë e domosdoshme. Këto mjete ishin shndërruar në mjetet kryesore të krimit, i cili i shkonte një vendi mik, që ka mijëra km vijë bregdetare dhe që ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme për vendin tonë. Bëmë shumë mirë që vendosëm ligjin për të ndaluar mbjelljen e kanabisit. Zoti drejtor i përgjithshëm do ti dorëzosh prokurorisë së shtetit dosjet e të gjitha atyre qeveritarëve vendorë që nuk kanë zbatuar ligjin. Ky është një vend i bekuar, që nuk ka nevojë për fitime të tilla, duke mbjellë dhe eksportuar helme për fëmijët e vendeve të tjera.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, ju keni arritur rezultate duke luftuar korrupsionin brenda radhëve tuaja. Ju duhet ti thelloni këto rezultate, por duhet tu them këtu se shumë herë më tepër presim ne nga policia kriminale e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
Të nderuar zotërinj, gjendja duhet të ndryshoje me shpejtësi të madhe. Në rast se ju prisni që lufta kundër korrupsionit të bëhet vetëm në Tiranë në një kohë kur ryshfeti gëlon edhe aty ku drejton ju atëherë jeni larg detyrës.
Zoti Drejtor i përgjithshëm , është e domosdoshme që tju raportojnë në bazë të një plani në këtë drejtim, sepse ky është shërbimi i dytë më i madh që ju i bëni vendit. Policia kriminale dhe ajo gjyqësore duhet të përballet me zero tolerancë ndaj ryshfetit, dhe korrupsionit. Dua tu jap një shembull. Sot ne jemi të përqendruar ndjeshëm në dy drejtime kryesore. Kemi vendosur shuma jashtëzakonisht të mëdha për njësi kohe të shkurtër, për pensionet dhe rrogat dhe unë mund tu them se pavarësisht nga problemet, në qoftë se bëni proporcionet me treguesit e tjerë, ne kemi bërë rritje. Ju garantoj se rezervat më kryesore sërish i kemi në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi rritur 1. 2 miliard të ardhurat duke ulur taksat, duke luftuar kontrabandën , për meritën tuaj dhe të doganierëve, duke luftuar evazionin fiskal, por rezervat janë akoma më të mëdha dhe në këtë mënyrë ne kemi mundësi të përmirësojmë kushtet e jetesës së punonjësve, në këtë mënyrë ne kemi mundësi të përmirësojmë dhe më tej shkollat, spitalet. Kjo cështje dueht trajtuar nga ana juaj me seriozitetin më të madh dhe nuk duhet nguruar ndaj cilitdo, oficer, polic, gjykatës, prokuror, mjet, drejtues kryesor, të cilët me dorën e tyre të zezë, rrënojnë secilin prej nesh dhe vendin në tërësi. Kërkoj ndryshim të qartë dhe të prerë, bashkëpunim me prokurorinë , me qendrën dhe me faktorë të tjerë , në dobi t ëpërmirësimit të situatës.
Së dyti, përsa i përket cështes së rrugëve, nuk jamë dakord me situatën në mënyre absolute, sepse ka një segment që shqiptarët e quajnë rruga e vdekjes. Zoti drejtor i policisë rrugore, zoti drejtor i përgjithshëm, po të jetë nevoja do të ndërrmarrim cdo masë për të kursyer jetët e njerëzve, pasi nuk mund të pranojmë këtë shkallë aksidentesh të tmerrshme në aksin Fushë-Krujë- Milot. Unë kërkoj nga ju dhe ju siguroj se do tu mbështesim me të gjitha mjetet , me cfarëdo qoftë për ta vendosur atë në kontrollin më të plotë. Punonjësit e policisë duhet të pajisen me të gjitha mjetet për të kontrolluar drejtuesit e automjeteve për konsumim alkoli. Është e njohur që fajtori kryesor për të gjitha këto aksidente te ndodhura është alkoli. Këtro situata policia rrugore duhet ti vendosë nën kontroll.
Një tjetër problem themelor mbetet çështja e të drejtave të njeriut. Unë ju përgëzoj për arritjet e deritanishme, por duhet të synojmë hapësira të reja. Paraburgimi jo pa qëllim është larguar nga ju sepse i paraburgosuri duhet të ketë kushte, në mënyrë që të respektohen të drejtat e tij, por sërish askush në Shqipëri nuk duhet të kërcënojë jetën tuaj dhe ai që merr përsipër ta bëjë këtë, duhet të marrë përgjigjen më të merituar nga ligji.
Nga ana tjetër nuk mundet që i ndaluari të trajtohet jashtë dinjitetit njerëzor. Në një moment të caktuar ai mund tia ketë mohuar vetes dinjitetin, por ne nuk mund ta bëjmë atë, ndaj dhe ju kërkoj që në trajnimet që merrnin pjesë, ta trajtoni me përparësi çështjen e të drejtave njerëzore. Ju keni bërë progres shumë të madh, por ka shumë vend për përmirësime të mëtejshme. Ju jeni zyrtarë të një vendi të lirë dhe këtë duhet ta mbani parasysh.
Së fundi, përsa i përket problemit të buxhetimit, unë e kam diskutuar me ministrin dhe drejtorin e përgjithshëm, unë kërkoj nga ju, potë jetë e nevojshme të merrni ekpertizë prej projekteve të institucioneve ndërkombëtare, qoftë të kontraktojmë një kompani të huaja dhe të merremi me buxhetimin më të mirë të mundshëm , sikundër ju siguroj se vendosja e normave dhe standardeve më të mira të mundshme në buxhetim është interesi juaj më i mirë. Unë jam i vetëdijshëm për sakrificat që bëni ju dhe familjet tuaja dhe se ju meritoni shumë më tepër, sesa kjo që shoqëria bën sot për ju. Por konceptojeni këtë si një sukses i cili vjen dhe do të vijë në një përmirësim të vazhdueshëm.
Është e rëndësishme të zgjeroni bashkëpunimin me autoritet vendore, me komunitetin. Personalisht e konsideroj detyrën tuaj si më të respektuarën në vend, por do të doja që cdo shqiptar të kishte këtë mendim. Ju keni një detyrë të vështirë , me sakrifica, rreziqe, një detyrë të pazëvendësueshme. Për të arritur këtu duhet të jeni sa më bashkëpunues me komunitetin.
Dua ta mbylll këtë fjalë duke iu përgëzuar për rezultatet mbresëlënëse, të cilat u shndërruan në një faktor madhor të ndryshimit të këtij vendi, të sigurisë së qytetarëve shqiptarë, të reputacionit të vendit.