E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fut online lejet dhe licencat



Pas instalimit në Shqipëri të “One Stop Shop”, qeveria fut online lejet dhe licencat. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha foli për rëndësinë e krijimit të "One Stop Shop" për licencat dhe lejet në Shqipëri, i cili sipas tij, "përbën një reformë jashtëzakonisht të rëndësishme". Duke u ndalur tek projektligji "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë", Berisha bëri të ditur se "pas regjistrimit elektronik të biznesit në një sportel të vetëm, me këtë ligj ne ia dalim që brenda muajve të parë të vitit 2009 të instalojmë në Shqipëri “One Stop Shop” për një pjesë të madhe të licencave dhe lejeve". Ai vuri në dukje se rreth 2/3 e licencave dhe lejeve janë hequr tashmë dhe se "për ato që kanë mbetur, do të reduktohet koha e marrjes së tyre në 1- 5 ditë nga 30-60 ditë që ka qenë më parë". Kryeministri e konsideroi këtë si një ndërhyrje shumë të dobishme për klimën e biznesit. "Natyrisht, jo të gjitha mund të përfshihen në “One Stop Shop”, pasi janë disa që i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshëm, siç janë HEC-et", - theksoi z. Berisha. Ai shtoi se ky vendim është i rëndësie të jashtëzakonshme për ne, për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Berisha garantoi se ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin e kësaj praktike. “Nuk është aq e thjeshtë sa praktika e parë, pra ajo për regjistrimin e biznesit, por është plotësisht e mundshme”, - nënvizoi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›