E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton projektligjin "Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike"

Në mbledhjen e tij të sotme, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike". Kryeministri Berisha tha se mbi bazën e këtij ligji do të veprohet me parqet industriale në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë dhe Berat.
Duke vlerësuar vendimin e KRRTRSH-së të pak ditëve më parë për parkun industrial të Koplikut, në Shkodër, Kryeministri nënvizoi se po përgatitet parku industrial i Durrësit, është në proces përgatitjeje parku i Elbasanit, duhet të përgatitet parku i Vlorës, duke çliruar një pjesë të madhe të sipërfaqes që ishte planifikuar për park energjetik me 500 hektarë, ndërsa Fieri, Berati dhe Korça duhet të përcaktojnë zonën ku do të ngrihet parku industrial.

Kryeministri theksoi se investimet në këto parqe do të përjashtohen nga taksat lokale. Për këtë qëllim, - vijoi Kryeminisri, - do të sjellim projektligjin, sipas të cilit gjithçka që është brenda zonës së parkut industrial do të ketë lehtësira të mëdha. "Parqet industriale kanë histori të shkëlqyer, me kushtin e vetëm që të ketë menaxhim privat dhe jo publik. Ky ligj do të sjellë një risi të madhe, menaxhimin privat të parqeve industriale. Ai parashikon menaxhimin e tyre privat me koncesion, çka është një zhvillim shumë pozitiv."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›