Shteti ligjor dhe zgjedhja e presidentit, sfidat kryesore në rrugën drejt integrimit
- Kryeministri Berisha: shteti ligjor dhe zgjedhja e presidentit në mënyrë konsensuale, dy çështjet e ngritura gjatë takimeve në Bruksel
Lidhur me zgjedhjen e presidentit, Kryeministri nënvizoi se gjatë këtyre takimeve ai siguroi ndërkombëtarët se "qeveria është e vendosur për zgjedhje konsensuale. Natyrisht shpresoj që edhe opozita do të mbajë zotimin e saj, e cila është shprehur për zgjedhje konsensuale, duke interpretuar saktë këtë nocion. Në çdo rrethanë garantova se Kushtetuta dhe ligjet e vendit do të respektohen plotësisht."
Çështja e dytë shumë shqetësuese, nënvizoi Kryeministri, është krimi i organizuar, një e keqe e madhe që i sjell dëm të jashtëzakonshëm Shqipërisë. "Të gjithë ambasadorët që morën fjalën bënë vlerësimin më pozitiv për luftën që kjo qeveri i ka bërë dhe po i bën krimit të organizuar. Këtë e pohojnë të gjitha raportet e brendshme, por edhe mediat e vendeve të tyre. Por duhet ta kuptojmë qartë se nuk është vetëm qeveria, ajo që lufton krimin. Në rast se mbajmë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë anëtarin politik të bandës së Lushnjes, në rast se mbajmë në krye të prokurorisë një njeri të lidhur këmbë e krye me krimin, e ke të vështirë të jesh bindës. Segmentet e kësaj prokurorie konsiderohen politike. Ndaj ne duhet të bëjmë përpjekje shumë më të mëdha," u shpreh Kryeministri.
Krimi i organizuar, theksoi ai, qëndron mbi procesin e integrimit si shpata e Demokleut dhe kjo duhet t'i bëhet e ditur mbarë shoqërisë.
Duke e vlerësuar tronditëse për një shoqëri të qetë e të stabilizuar ngjarjen e pengmarrjes nga tre shqiptarë të një autobusi në Itali, Kryeministri nënvizoi se nuk kemi realizuar ende dëmin e jashtëzakonshëm që na bën krimi i organizuar. "Kur e shtroj këtë çështje, nuk flas me pesimizëm, sepse janë arritur rezultate spektakolare, të cilat vlerësohen. Në të gjitha raportet thuhet se kjo qeveri po lufton krimin si asnjëherë më parë. Por e theksoj nuk është vetëm qeveria, gjykata dhe prokuroria e krimeve të rënda që e luftojnë krimin. Dje në Bari, në prani të 4 ministrave dhe kryetares së parlamentit u ngritën 200 raste, të cilat Theodhori Sollaku i merr në mbrojtje dhe nuk pranon t'i ekstradojë. Ai nuk pranon të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë, duke penalizuar në këtë mënyrë vendin. E theksoj janë 200 persona, të cilët zhvillojnë të qetë veprimtarinë e tyre këtu, që kanë kryer krime të shëmtuara në këto vende dhe Sollaku i interpreton marrëveshjet e vendit me vendet e tjera sipas Gjermenit", u shpreh Kryeministri. Provat e qeverisë, - vijoi më tej Kryeministri, - janë shumë evidente, provat e policisë, të prokurorisë dhe gjykatës së krimeve të rënda janë shumë të rëndësishme, por nuk janë gjithçka. Vendi që na ndihmon më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, Italia, thotë se janë 200 raste dhe nuk u jepen, sepse kanë imunitet nga prokurori, i cili, në thyerje të plotë të ligjeve ndërkombëtare dhe atyre të vendit, ka bllokuar veprimin ndaj tyre.
Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje në luftën kundër kësaj të keqeje që rëndon mbi të gjithë shoqërinë shqiptare.