E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Ashton: Procesi të mbyllet sa më shpjet

Qëndrimi i Ashton është bërë publik në takimin e zhvilluar dje me zv-kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

TIRANË Komisionerja e Lartë për Politikën e Jashtme, Baronesha Catherine Ashton ka kërkuar që procesi zgjedhor të përmbyllet sa më shpejt. Ky qëndrim është bërë publik në takimin e zhvilluar dje me zv-kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Gjatë punimeve të Ministerialit të Komunitetit të Demokracive, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pati një takim dypalësh me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian dhe zv.presidente e Komisionit europian, Baroneshën Catherine Ashton. Takimi u përqendrua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe perspektivën e Shqipërisë drejt integrimit europian. “Baronesha Ashton theksoi se sa më shpejt që të përfundojnë diskutimet mbi zgjedhjet vendore, aq më mirë do të jetë, me qëllim që forcat të përqendrohen mbi realizimin e 12 prioriteteve, dhe më tej, mbi procesin e integrimit europian. Sipas saj, duhet të përfundojë procesi zgjedhor dhe të përqendroheni në çështjet e axhendës europiane”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Bashkëbiseduesit theksuan se një përfundim sa më i shpejtë i procesit zgjedhor do të ishte një mesazh mjaft pozitiv për komunitetin ndërkombëtar. Sipas Baroneshës Ashton, të gjitha vendet kanë problemet e tyre, përfshi edhe Shqipërinë, por e rëndësishme është se si kërkohet dhe gjendet zgjidhja e tyre.

Nga ana e tij, Haxhinasto theksoi se tani është koha që institucionet e pavarura të thonë fjalën e tyre dhe më tej partitë të angazhohen në reformën zgjedhore. “Rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe angazhimi dhe konsulenca e ODIHR dhe i Komisionit të Venecias, - tha Haxhinasto, - janë më se të mirëpritura, ashtu siç është bërë edhe më parë në hartimin e ligjeve apo dhe vetë Kushtetutën e vendit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›