E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendime për bashkëpunimin me vendet fqinje

TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi sot, disa vendime të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe lëvizjes së lirë me vendet fqinje si Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Zyra e shtypit pranë kryeministrisë, bëri të ditur se në mbledhjen e sotme, u miratua vendimi “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Maqedonisë, për ndryshimin e marrëveshjes së nënshkruar në 19 shkurt 2008, ndërmjet dy vendeve për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve".
Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu edhe për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve.
Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe me Malin e Zi, Këshilli i Ministrave miratoi në parim edhe marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka Cijevna – Grabon”, për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve, dhe për pikën e kalimit kufitar “Cerem – Vranica”.
Qeveria miratoi sot në parim edhe dokumentin ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë, për programin dypalësh të ndihmës së bashkëpunimit.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe një shtesë në vendimin "Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë".
Vendimi parashikon që shtetasit e vendeve anëtare të INTERPOL-it, të cilët mbajnë pasaportën e INTERPOL-it, mund të hyjnë në Republikën e Shqipërisë për nevoja pune, e konfirmuar kjo me autorizim të posaçëm të lëshuar nga autoritetet homologe të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pa pasur nevojë të pajisen me vizë nga autoritetet shqiptare apo të përdorin ndonjë dokument tjetër udhëtimi, si dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda periudhës së përcaktuar prej 180 ditësh, duke filluar nga data e hyrjes së parë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›