Qeveria miraton vendimin për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”. Pas miratimit nga qeveria ky projektligj kalon për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Miratimi i këtij projektligji e detyron qeverinë shqiptarë që në bashkëpunim dhe me qeverinë greke të bëjë zhvarrosjen e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës italo-greke. Gjithashtu qeveria shqiptare do të angazhohet dhe në ndërtimin e një varreze në territorin shqiptar në nderim të ushtarëve grekë. Marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Greqisë lidhur me vendprehjen e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë Luftës italo-greke të viteve 1940-1941, u siglua në Tiranë më 19 nëntor 2008. Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy varrezave, një në Gjirokastër dhe një në Këlcyrë. Do të ketë ekspertë të Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të zhvarrosen. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i barabartë nga palët greke dhe shqiptare dhe çdo dokumentacion do të ketë dosje dyshe si dhe procesverbale dyshe, të shoqëruara me fotografi. Në këto komisione do të ketë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin këtë çështje.
23 Prill 2009