Qeveria ngre komision me ministra për regjistrimin e popullsisë
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ngritjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullsisë dhe banesave. Në përbërjen e këtij komisioni do të jetë pjesa më e madhe e ministrave, si: ministri i Financave, ministri i Brendshëm, ministri i Ekonomisë, ministri i Integrimit, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Drejtësisë, ministri i Mbrojtjes, ministri i Arsimit dhe Shkencës, ministri i Punës dhe çështjeve sociale, ministri i Punëve Publike, ministri i Shëndetësisë nën drejtimin e zëvendëskryeministrit. Anëtarë të tjerë të këtij komisioni do të jenë: drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZN-it, drejtori i Drejtorisë së Statistikave Sociale në INSTAT, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme, drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dekani i Fakultetit Ekonomik në UT, tre specialistë nga bota akademike, në fushat e gjeografisë, të informatikës dhe demografisë, drejtori i Departamentit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Kryeministri, përfaqësuesit e botës akademike përzgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga radhët e personelit të brendshëm të trupit akademik të universiteteve shqiptare. Sipas vendimit të qeverisë, komisioni do të mblidhet çdo muaj. Mbledhjet e tij kryesohen nga kryetari i komisionit e në mungesë të tij nga ministri i Brendshëm. INSTAT-i ngarkohet me detyrën e sekretariatit të komisionit dhe ka këto detyra: njoftimin e zëvendëskryeministrit për mbledhjen e radhës; mbajtjen e procesverbalit të mbledhjes si dhe përgatitjen e dokumentacionit bazë të mbledhjes. Masa e shpërblimit të anëtarëve të këtij komisioni, për të gjithë periudhën e funksionimit të komisionit, është 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Mënyra e pagesës të përcaktohet me udhëzim të veçantë të Komisionit Qendror të Regjistrimit. Ngarkohen zëvendëskryeministri dhe INSTAT-i për zbatimin e këtij vendimi.
23 Prill 2009