E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në PD, nis gara për ndryshimet në sekretariat

Sipas Statutit, Këshilli Kombëtar zgjedh sekretarët e PD-së. Ndryshimet mund të shtyhen pas zgjedhjeve parlamentare

Eljona Ballhysa
Emërimet dhe shkarkimet e fundit në kupolën e PD-së, të bëra nga kryetari Berisha, i kanë hapur rrugën gjallërimit të kandidaturave të hershme dhe ravijëzimit të kandidatëve të rinj për postet e sekretarëve të partisë. Fundi i zgjedhjeve në PD do të shoqërohet dhe me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, i cili, ashtu sikurse ka thënë dhe kryetari i partisë, do të mblidhet para zgjedhjeve parlamentare. Kuvendi Kombëtar do të rizgjedhë kryetarin e PD-së dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Burimet bëjnë të ditur se Këshilli i ri Kombëtar që do të dalë nga Kuvendi, pritet të konstituohet pas zgjedhjeve të qershorit. Në bazë të Statutit, Këshilli Kombëtar zgjedh nënkryetarët dhe sekretarët e Partisë Demokratike.
Kandidaturat
Pikërisht për këto poste të lakmuara në PD kanë filluar që tani të gjallërohen kandidaturat e hershme dhe të ravijëzohen kandidatura të reja. Një ndër postet me rëndësi në PD është ai i sekretarit të Përgjithshëm, që drejtohet prej vitesh nga Ridvan Bode. Sipas burimeve, kandidatë potencialë për këtë post janë Sokol Olldashi dhe Arben Imami. Që të dy njihen si njerëz të afërt të kryeministrit Berisha dhe që gëzojnë mbështetje të Këshillit Kombëtar. Madje Arben Imami zyrtarizoi publikisht kandidaturën e tij për këtë post fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, atëherë kur Berisha deklaroi se do të bënte ndryshime në kupolën drejtuese të partisë. Burimet në PD bëjnë të ditur se një tjetër ndryshim i pritshëm do të jetë krijimi i postit të sekretarit politik. Për këtë post kandidaturat kryesore janë ajo e Ridvan Bodes dhe e Lulzim Bashës. Që të dy janë personalitete me peshë në PD dhe që gëzojnë mbështetjen e liderit të selisë blu. Megjithatë, pritet që të jenë zgjedhjet që do të zhvillohen në Këshillin Kombëtar për të parë se cili do të jetë fituesi. Zgjedhjet do të zhvillohen dhe për sekretarin Organizativ të PD-së, ku konkurrentë potencialë janë sekretari aktual, Flamur Noka dhe zëvendësministri i Brendshëm, Genc Strazimiri. Për postin e sekretarit për Çështjet Ligjore kandidatë janë sekretari aktual Ilir Rusmali, që njihet si një ndër juristët më të mirë të PD-së, si dhe deputeti i ri, Eris Hoxha. Ndërsa për financat pritet të rivotohet Blerim Çela. Këshilli Kombëtar do të votojë dhe për postet e nënkryetarëve të partisë, ku sipas burimeve, pritet të rivotohen Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, të cilët sigurisht që do të kenë konkurrentë formalë. Por burimet bëjnë të ditur se një tjetër ndryshim do të jetë shtimi i një posti të tretë të nënkryetarit në PD, i cili pritet t’i “dhurohet” Genc Pollos.
Ndryshimet
Kohët e fundit kryeministri Berisha ka bërë disa ndryshime në Sekretariatin e PD-së. Ai ka emëruar në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun deputetin Ferdinand Xhaferraj, ndërsa në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë ka shkarkuar Besnik Mustafajin dhe në vend të tij ka emëruar Gerti Bogdanin. Këtë të fundit e ka emëruar dhe në postin e kryetarit të Forumit Rinor, ndërsa në postin e zëdhënëses për shtyp ka emëruar Erla Mëhillin. Të gjitha këto ndryshime janë bërë vetëm me firmën e kryetarit të partisë, Sali Berisha, pasi në bazë të Statutit, ai ka të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun, sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe zëdhënësit.

Neni 41
Kompetencat e Këshillit Kombëtar

2- a) Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
b) Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë, njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.
c) Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:
- Sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë;
- Nënkryetarët e partisë;
- Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;
- Komisionin Qendror të Apelimit.

Postet dhe kandidaturat

Sekretar i Përgjithshëm
Sokol Olldashi
Arben Imami

Sekretar Politik
Ridvan Bode
Lulzim Basha

Sekretar Organizativ
Flamur Noka
Gent Strazimiri

Sekretar për Çështjet Ligjore
Ilir Rusmali
Eris Hoxha

Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun
Ferdinand Xhaferraj
Majlinda Bregu

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›