E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria na përgënjeshtron për shkrimet për përplasjen me FMN-në. Ja se çtha vetë Berisha për të

Zëdhënësja e kryeministrit, në një deklaratë për shtyp ka përgënjeshtruar shkrimet e botuara në gazetën tonë, pa marrë as guximin të na citojë emrin. Sipas saj, shkrimet për përplasjen mes Berishës e FMN-së janë shpifje. Sot, gazeta që kontrollohen nga opozita, me tituj në faqet të tyre të para kanë dezinformuar publikun mbi përplasje midis Kryeministrit Berisha dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për politikat ekonomike te vendit. Theksojmë se të gjitha pretendimet e shkrimeve të sotme mbi përplasje mes Kryeministrit dhe FMN janë thjesht një ëndërr vere dashakeqe e krerëve të opozitës, thuhet në reagimin e zëdhënëses së qeverisë.

Nuk duam të ndalemi tek cilësimi e ndarja si gazeta të opozitës e gazeta të qeverisë, se kjo është një shprehje parademokratike, por duhet ti themi kryeministrit se nuk kemi bërë asgjë vetëm sa kemi cituar ato që ka thënë ai. Nëse FMN thotë se vendi është në rrezik nga borxhi dhe duhet të rrisë taksat, kurse Berisha përgjigjet se kjo është kërkesë pa arsye, atëherë kjo është përplasje gjigante sepse rritja e taksave nuk është një fjalë goje.

Ja çfarë ka thënë kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit:

Unë kam mirëkuptim për kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për disa kërkesa që misioni ka bërë në vizitën e tij të fundit. Por nuk mund të them që ne do të rrisim  taksat. Ne nuk do të rrisim taksat. Ne do të rrisim performancën gjithnjë e më shumë. Ne besojmë se duke konsoliduar disiplinën fiskale dhe duke mos rritur taksat, krijojmë më shumë vende pune dhe më shumë rritje. Fondi Monetar Ndërkombëtar pa arsye kërkon rritje taksash, duhet të jemi realist, por modeli ynë funksionon. Ne kemi nevojë për biznese, për lulëzimin e tyre. Ne kemi nevojë për sukses të biznesit. Ndaj dhe do të qëndrojmë vendi me taksat më të ulëta në Evropë.

Fondit Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për rritjen e rrogave dhe ky shqetësim është i kuptueshëm. Por çështja është se rritja e rrogave ka të bëjë me investimin në burimet njerëzore. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë politikën tonë të rritjes së rrogave. Kjo jo vetëm se është një zotim i palëkundur elektoral, por sepse unë besoj se investimi më i rëndësishëm dhe më frytdhënës është investimi te njeriu. Ka forma të ndryshme investimi. Por edhe ky është një investim kryesor. Rritja e pensioneve është një çështje dhembshurie njerëzore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›