Qeveria, ndërhyrje për bukën
Gazmend Oketa
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa thotë se qeveria mund të ndërhyjë pa prishur rregullat e tregut për të ndalur rritjen e çmimit të bukës
Rritja e çmimit të bukës për zëvendëskryeministrin Gazmend Oketa është spekulative. Në intervistë dhënë “Korrierit”, numri dy i qeverisë shqiptare ka deklaruar se kjo rritje nuk ka ardhur më së shumti për shkak të politikave fiskale apo rritjeve të detyrimeve doganore të produkteve të miellit apo grurit, por kryesisht për shkak të spekulimeve me tregun. Sipas tij, duke iu referuar gjithmonë tregut vendas, çmimet kanë qenë të rritur artificialisht, “ndoshta të nxitur thjesht për të krijuar këto pakënaqësi”. Oketa pohon se shteti ka detyrimet e tij, të cilat kanë edhe limit për deri ku qeveria mund të ndërhyjë pa prishur rregullat e tregut. “Qeveria mund të ndërhyjë për të ndaluar këto spekulime, abuzime dhe duke vënë në kushte të barabarta të gjithë aktorët e tregut”, thotë zëvendëskryeministri Oketa. Ai kujton rritjet spekulative që bëhen gjatë festave të fundvitit. “Fatkeqësisht, në tregun shqiptar, tashmë jemi të njohur që në periudhën e fundvitit, ndodh e kundërta e asaj që ndodh në tregje të tjera më të stabilizuara, ku zakonisht në fundvite ka ulje çmimesh, ndërsa në tregun shqiptar njihemi me rritje çmimesh”, tha ai. Të gjendur përballë kësaj situate, Oketa shprehet se qeveria është e vendosur të mbyllë të gjitha hapësirat ndaj këtyre spekulimeve. Por për të mbyllur këto hapësira, Oketa mendon se jo gjithçka duhet lënë në dorë të shtetit. Sipas tij, jo pa qëllim këmbëngulet në formalizimin e tregut. “Të gjithë bizneset të jenë të pajisur me kasat regjistruese, të gjithë qytetarët shqiptarë për çdo produkt që blejnë, të marrin faturat tatimore dhe kjo do të bënte që gjithë ekonomia të xhironte në rrugë formale dhe të gjithë veprimet të ishin të kontrolluara dhe secili biznes do të paguante detyrime ekzaktësisht për atë çka do të kryente punë dhe çka do të fitonte”, saktësoi Oketa. Por sipas tij, kjo është vetëm njëra anë, pasi në anën tjetër shteti ka dhe instrumentin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili duhet të bëjë edhe ai punën e tij. Duke u mundësuar kombinimi i këtyre elementeve dhe kapaciteteve, për Oketën do të arrihen rezultatet e dëshiruara dhe krijimi i kushteve për një ekonomi stabël, mundësisht me çmime sa më të ulëta. Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa në intervistën me “Korrierin” flet edhe për investimet e kryera nga qeveria dhe ato që priten të vijojnë. “Qytetarët shqiptarë kanë qenë prezentë në faktin, se qeveria shqiptare ka miratuar në dy vite rresht buxhete suplementare, të cilët janë para që janë përkthyer në investime në infrastrukturë, në arsim dhe në shëndetësi”, tha ai. Duke iu referuar investimeve, Oketa thekson se objektivat e qeverisë shqiptare janë ato të realizimit të ëndrrës për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike. Sipas tij, në samitin e NATO-s, muajin e ardhshëm në Bukuresht, urohet marrja e ftesës për anëtarësim. “Me këtë ftesë vendi do të merrte një certifikatë cilësie dhe kjo do të bënte që Shqipëria të shihej si një vend tashmë me një demokraci funksionale, me stabilitet politik, gjë që do të bënte tërheqjen gjithmonë e më shumë të investitorëve të huaj. Shtuar këtu edhe politikat fiskale që qeveria ka ndërmarrë”, deklaroi Oketa. Ai mendon se qeveria tashmë ka mundur të realizojë një pjesë të madhe të premtimeve të saj, madje një pjesë e tyre janë tejkaluar. Sipas tij, qeveria është në rrugë të mbarë dhe pikërisht bazuar në këtë, është bërë e mundur nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe vendi është shumë pranë marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.