Meta jo kryeministër
Skender Gjinushi
Skënder Gjinushi thotë se as që bëhet fjalë që Meta të jetë kryetar qeverie
Skënder Gjinushi mendon se dalja e LSI-së nga koalicioni ka si prapaskenë ndarjen e posteve pas fitimit të zgjedhjeve. Sigurisht që ambicia e Ilir Metës për të qenë në krye të ekzekutivit sipas kreut të PSD-së, është një nga arsyet përse LSI-ja u shkëput nga koalicioni, pavarësisht se argumenti i bërë publik janë përplasjet për reformën zgjedhore. “Ju gazetarët e dini më mirë këtë muhabet. Sepse këto muhabete nuk bëhen qoftë edhe për sistemin që ka pasur, edhe për biseda konfidenciale, pra jo publike, sigurisht që edhe këto gjëra qarkullojnë. Pra, kur fillojnë afrojnë zgjedhjet, mesa duket, disa politikanë mendojnë më shumë ku do të jenë vetë, sesa partia, palë ku do të jetë e majta dhe Shqipëria. Kështu që kjo nuk është tamam koincidencë”, - shprehet Gjinushi për “Korrierin”. Ish-ministri i Arsimit deri në 1991 (përpara se të krijonte PSD-në, e cila u vonua nga Ministria e atëhershme e Drejtësisë të ligjërohej, e rrjedhimisht nuk mori pjesë në zgjedhjet e 31 marsit të fituara nga PPSH), e sheh largimin e LSI-së si vijë të vazhdueshme të qëndrimeve të saj. Për Skënder Gjinushin, ish-kryetar i Kuvendit, me fitoren e së majtës pas ngjarjeve të vitit 1997, ndonëse kjo temë është hapur përpara kohe, skema e përzgjedhjes së kryeministrit është mëse e qartë. “Në çdo kohë që do të hapej, ka një aksiomë në politikë, d.m.th paria e parë, veçanërisht kur e para është dukshëm e distancuar nga të tjerat, është dhe ajo që shërbehet i pari për kryeministrin e vendit”, - deklaron Gjinushi. Bazuar në këtë përzgjedhje, që ai e konsideron si një aksiomë e zbatueshme nga të gjithë, kryetari i PSD-së thekson se as që bëhet fjalë që e majta do të ketë kryeministër tjetër veç Edi Ramës. “Të djathtët megjithëse e dinin që risillnin në pushtet kryeministrin më të papërshtatshëm, të stërprovuar, nuk e vunë në diskutim rikthimin e tij, pasi PD-ja ishte partia e parë e së djathtës dhe është shumë e qartë që në fitoren e radhës dhe kjo në 2009-ën, ka për të ndodhur: PS-ja është ajo që përcakton kryeministrin dhe kryetari i partisë është kandidati i parë”, - nënvizon socialdemokrati. Ai thekson gjithashtu, se kryeministër do të duhet të jetë dhe do të jetë Edi Rama. Gjinushi shton se e mendon të pakuptimtë mundësinë e afrimit të ndonjë aleati drejt LSI-së, me synimin për të marrë poste ministrore. “Që të tjerët të mendojnë për ministrin është tjetër gjë, po që të mendojnë që do t’ua japë LSI-ja, kjo nuk ndodh. Ky është një oreks i tepërt në fakt, sidomos i shprehur dhe i vënë në mënyrë kushtore është pa kuptim”, - shton socialdemokrati. Në krahun tjetër, pozicionimin e tillë përpara zgjedhjeve Gjinushi e shikon si tepër shqetësues. Sipas tij, të majtët duhet të mendojnë për elektoratin më shumë sesa për përfitimet individuale apo partiake, përndryshe rrezikohet disfata e 2005-ës. “Ishin këto kushte që në 2005-ën e çuan të majtën në humbje. Kështu veproi Nano, që të ishte i rikonfirmuar, vend të cilin mund ta lëshonte rrugës për postin e presidentit. Të njëjtën gjë kërkoi edhe LSI-ja, dhe rrjedhimisht pse hynë në këtë mënyrë, përfunduan të dy jashtë qeverie. Por nuk humbën gjë këta, humbi gjithë e majta. Liderët gabuan dhe fituan, sepse prapë janë deputetë, kurse populli i majtë që nuk gaboi, nuk fitoi, por mbeti në opozitë”, - shprehet Skënder Gjinushi. Me zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2005, konflikti PD-PS u cilësua nga pjesa më e madhe e opozitës si shkaktare e disfatës elektorale, që si pasojë risolli të djathtën në pushtet. Megjithatë, sipas vetë Ilir Metës, ndarja aktuale nuk ka asnjë lidhje me atë të postit të kryeministrit. Kreu i LSI-së hodhi poshtë dje këtë argument, ndërsa shtoi se përzgjedhja e kryeministrit të radhës do të jetë në dorën e elektoratit shqiptar. saqellari@korrieri.com