E Diel, 1 Nëntor 2026

Valixhja 1 milion Euro

Kontrolli i frugonit të drejtuar nga 26-vjeçari shqiptar me inicialet S. A. çoi në zbulimin e 11 kilogramëve kokainë super të pastër

Një sekuestrim rekord prej 11 kilogramësh kokainë me vlerë rreth 1 milion euro, çoi në pranga një 26-vjeçar shqiptar, korrier ndërkombëtar droge. Ky është bilanci i një operacioni të bërë nga Guardia di Finanza realizuar në Marghera, në veri të Italisë. Disa muaj hetime sollën edhe zbulimin e një rrjeti droge, i cili jo vetëm bënte import, por edhe shpërndante lëndën narkotike, kryesisht në veri të vendit fqinj, në Veneto, Lombardi dhe Emilia. Sasia e drogës u zbulua pas një kontrolli të bërë një fugoni me targa gjermane mëngjesin e së premtes, në momentin kur po zbarkohej në portin tregtar të Venezias. Në dukje i riu shqiptar, inicialet e të cilit janë S. A., sillej mjaft normalisht dhe pa as më të voglën shenjë nervozizmi, duke lënë që të mos dyshohej fare tek ai. Nga ana tjetër, patenta dhe leja e qarkullimit ishin konform rregullave të sigurimit. Por 26-vjeçari shqiptar ka hequr dorë nga qetësia e tij, kur kontrollorët kanë nisur punën për të parë se çfarë kishte brenda fugonit. Ata kanë hapur gjithashtu edhe bagazhet personale, dhe pikërisht në njërën prej valixheve ishte fshehur mes rrobave 10-kilëshi i drogës. “Ka qenë pesha e 10 kilogramë e 800 gramëve e një kokaine me një cilësi super të pastër dhe të shkëlqyer, që kap vlerën në treg rreth një milion eurosh”, - thonë burimet. Edhe pse droga i është gjetur e fshehur mirë mes rrobave dhe sendeve të tij personale, trafikanti ka mohuar se malli ka lidhje me të. Pasi është arrestuar, karabinierët kanë vënë në dijeni gjykatësin e gatshëm, Xhovani Zorzin, i cili ka lënë pas hekurash 26-vjeçarin në burgun venecian “Santa Maria Maggiore”, nën akuzën e “trafikut ndërkombëtar të narkotikëve”. Episodi konfirmon edhe njëherë faktin, se Venecia dhe Mestre janë portet strategjike të hyrjes ose të kalimit të lëndëve narkotike, të cilat bëjnë të mundur tregtinë e sasive të vogla ose gjigante të drogës, duke gjetur dhe elemente të mirë të territorit. Vetëm para dy muajsh, një kolonel spanjoll u arrestua, pasi prej vitesh kalonte nga shteti spanjoll për në Itali kilogramë të tërë kokaine. Ndërsa dy javë më parë, karabinierët e Mestres zbuluan në një vend të braktisur një kilogram e 100 gramë “miell”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›