E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, përtej fasadës

Edmond Haxhinasto 

Diskutimi për buxhetin e Bashkisë së Tiranës mori një interes politik si kurrë më parë, saqë po konsumon jo vetëm vëmendjen e institucioneve qendrore të shtetit, si Parlamenti, por edhe kohën dhe analizat e shumë mediave dhe opinionistëve. Sigurisht, që në këtë cunam mediatik që ai shkaktoi, ia vlen të reflektosh mbi atë që është komentuar nga gazetarë e analistë seriozë e fin, që fatmirësisht nuk janë rreshtuar akoma në llogoret politike të partive. Jo se komentet e tyre janë përcaktuese mbi perceptimin e publikut – në kushtet e një transmetimi live të asaj që ndodhi në Këshillin Bashkiak, publiku ka aparatin tepër të zhvilluar të perceptimit dhe analizës – por sepse këto komente janë tregues të një sindrome mediatike që shkon përtej debatit aktual mbi buxhetin. Po përpiqem të shpjegoj.
Për ta bërë më konkret shpjegimin tim po ndalem tek një konkluzion që ishte hedhur në një gazetë të përditshme, se qëndrimi i LSI-së për buxhetin i ka hequr asaj dhe liderit të saj “mundësinë e argumentit më të fortë politik, denoncimit të marrëveshjeve okulte Rama – Berisha”.
Konkluzioni i parë që rrjedh nga një deklarim i tillë është se vendoset një shenjë barazie midis asaj që bëri apo nuk bëri LSI në votimin për buxhetin dhe të gjithë aferave “okulte”  Rama - Berisha që ajo ka denoncuar në vijimësi. Në fakt, ato që LSI ka denoncuar për bashkëpunimin “okult” Rama - Berisha fillojnë me ndryshimet kushtetuese që e bënë kryeministrin të pakontrollueshëm nga Parlamenti, dhe që e bënë Presidentin e Republikës të “dridhet” para çdo maxhorance të thjeshtë, duke bërë kështu “të dridhet” edhe sistemin e drejtësisë në krye të të cilit qëndron Presidenti. LSI ka denoncuar heshtjen konsensuale të Rama - Berishës për të çmontuar dhe bërë transparencën e aferës së Gërdecit dhe presionin e këtij të fundit me miratimin e të parit për të kontrolluar organin e akuzës. LSI ka denoncuar gjithashtu një Kod Zgjedhor që shkel barazinë e partive dhe të zgjedhësve, dhe për më tepër, ngushton hapësirat e tyre demokratike. Dhe për të mos u zgjatur shumë, ka denoncuar edhe projekte të përbashkëta ilegjitime milionësh që prishin mjedisin e shkelin parametrat më jetësore të banoreve të Tiranës. Tani, konkluzioni i mësipërm i analistit e barazon gjithë këtë masakër politike, produkt konsensual Rama-Berisha, me qëndrimin që grupi i këshilltarëve të LSI-së ka mbajtur gjatë diskutimit të buxhetit të Tiranës. Dhe cili ishte ky qëndrim? I kërkuan Kryetarit të Bashkisë që të respektonte detyrimet e tij ligjore, të respektonte përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Tiranës, të jepte shpjegime për shuma tepër të mëdha parash pa destinacion të qartë, si dhe të parashikonte në buxhet disa projekte jetike, disa premtime zgjedhore që, në fund të fundit, i kishin dhënë mandatin e tretë kryetarit aktual të Bashkisë. Këshilltarët e LSI-së deklaruan votën e tyre PRO buxhetit nëse do të realizoheshin ndryshime që sillnin një buxhet më të mirë në shërbim të qytetarëve. Nuk është qëllimi im të ndalem në faktin që Rama e kërkoi zgjidhjen jo tek dialogu me LSI, apo tek plotësimi i kërkesave plotësisht të realizueshme të saj, por tek votat e partive të opozitës në Këshill dhe të maxhorancës në pushtet. Nuk është qëllimi im as të ndalem tek lumturia e vetë Ramës dhe drejtuesve të tjerë të Bashkisë tek flisnin për “fitoren” (në një votim që nuk u krye?!) mbi Berishën dhe Metën, së bashku, si rasti që po prisnin me qëllim që të shpëtonin shpirtrat e tyre për aferat konsensuale të përmendur më lart; nuk dua të ndalem as tek tragjikomedia e procesit të votimit. Dua të qëndroj tek krahasimi i pakrahasueshëm i analistit. Konkluzioni i dytë që rrjedh nga ky krahasim, është pikërisht se analiza është bërë tepër e paragjykuar duke patur  parasysh persona të përveçëm, Ramën me Berishën kundër Metës, Meta kundër Ramës, Berisha dhe Meta kundër Ramës e kështu me radhë. Problemi i kësaj përqasjeje është se nuk fokusohemi tek thelbi, tek kauza, por tek emocionet, “inatet”, tek historitë personale të aktorëve politikë. Po të ishte ndryshe, analiza duhej të bazohej pikërisht në çështje të tilla: A është normale që të ketë debate për buxhetin e Bashkisë? A kishte të drejtë LSI të kërkonte ndryshime në buxhet? A ka ajo përgjegjësi për mënyrën si shpenzohen paratë e taksapaguesve të Tiranës? A duhet të vinte kryetari i Bashkisë që para dy mbledhjesh të Këshillit të jepte shpjegime? A duhej LSI të kondiciononte votën PRO me plotësimin e kërkesave të saj? Në gjykimin tim, këto pyetje përbëjnë vërtet substancën e vlerësimit të qëndrimit të LSI. Për të arritur këtë qëllim, duhet të analizojmë kauzat, dhe jo personat. Duhet të shohim përtej fasadës. Përndryshe, do përfundojmë në krahasime të pakrahasueshme, në përfundime emocionale e të paragjykuara mbi raporte personash, duke lënë mënjanë thelbin e çështjes dhe duke i ofruar opinionit publik atë që mund të jetë interesante e që lexohet rëndom në faqet rozë të gazetave e revistave, por jo një gjykim që e ndihmon të marrë vendimin e duhur për përzgjedhjen politike të radhës, moment që po afrohet me shpejtësi. Së fundmi, konkluzioni i tretë që nxora nga përcaktimi i analistit, ishte se atij (përcaktimit) i mungon realizmi dhe zbatueshmëria. Më konkretisht, a është realiste që qëndrimi i LSI-së ditën e debatit mbi buxhetin t’i heqë asaj të drejtën morale të vazhdojë denoncimin e aferave Rama-Berisha? Natyrshëm që ngjarja e buxhetit të Tiranës, në asnjë rrethanë nuk mund ta kompleksonte dhe të pengonte LSI-së dhe liderin e saj nga ndëshkimi publik i aferave konsensuale, ta pengonte atë të kërkojë kthimin e Kushtetutës në normalitet, apo transparencën për Gërdecin, Kod që garanton zgjedhje të lira e të ndershme apo ruajtjen e pronave publike. Sigurisht që jo. Presionet absurde mbi gjoja “bashkim votash” me Berishën kundër PS-së, janë të dala mode dhe nuk ngjallin asnjë lloj intimidimi apo emocioni tjetër. Pika e fortë e referencës për LSI-në nuk është retorika, presioni apo fasada politike e ndonjë partie që arrijnë të përçojnë disa media, edhe të censuruara, por në fakt parimi, premtimi ndaj zgjedhësve, konsistenca e qëndrimeve. Këto janë edhe çështjet parimore që tashmë dallojnë partitë nga njëra-tjetra. Për këto çështje, siç ishte edhe transparenca e buxhetit bashkiak, duhet kuptuar se LSI është sovrane dhe nuk mundet që askush t’i bëjë llogari e t’i tregojë se është “gishti i të njëjtës dorë” me një parti tjetër dhe duhet të mbajë këtë apo atë qëndrim. Koha ka treguar se individualiteti politik është mënyra më e mirë jo për të “joshur” elektorat, por për të konsoliduar besimin e tij, se parimet dhe kauzat, konsekuenca në mbrojtjen e tyre, janë për një parti politike ato që kanë rëndësi, që bëjnë ndryshimin. Uroj që ta shoh këtë përqasje në analizat që do të vazhdojnë të merren me buxhetin e Tiranës, se kështu do t’i shërbejnë më mirë, jo vetëm qytetarëve, por edhe partive që do të dinë të përmbahen nga fasada dhe manipulimi politik si mjet i konkurrencës politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›