E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti të votojë ligjin për pensionistët”

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i ka bërë thirrje dje Kuvendit të Shqipërisë të aprovojnë projektligjin që kjo forcë ka sjellë në Kuvend për “Moshën e Tretë”. Sipas tij, “ia vlen të harxhojmë 1.6 - 2% të buxhetit të shtetit shqiptar çdo vit për të ndihmuar 380.000 pensionistë të dalin nga gjendja mjerane ku janë sot. Në një buxhet shpenzimesh mbi 4.3 miliardë dollarë, ia vlen që 1.6 - 2% t’i shpenzojmë për prindërit tanë, për ata që kanë sakrifikuar dhe kontribuar më shumë se çdokush nga në për Shqipërinë tonë”. Duke sjellë përvojën e vendeve evropiane, por dhe të vendimeve të marra në institucione të posaçme ndërkombëtare, Meta tha se “në 12 prill të vitit 2002, në Madrid u organizua Asambleja Botërore mbi Moshimin, ku u aprovua një deklaratë si Plani Ndërkombëtar për Moshimin, deklaratë të cilën e ka ratifikuar dhe Shqipëria. Pra, jo vetëm kemi një detyrim brezash për ta miratuar këtë projektligj, por kemi dhe një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar”. Dukë bërë një pasqyrë mbi situatën reale në të cilën ndodhen pensionistët në të gjithë vendin, Meta tha se rreth 15% e popullsisë shqiptare sot merr pension pleqërie. “Kemi sot rreth 230.000 pensionistë të sëmurë, të cilët paguajnë mbi 26 milionë dollarë në vit për ilaçe që nuk i disburson shteti. Nëse në 2005 kishim rreth 300.000 pensionistë të varfër, sot në 2009-ën kemi rreth 400.000 pensionistë të varfër. Rritja minimale e pensioneve është tejkaluar nga rritjet e çmimeve, duke bërë që pensioni real të jetë ulur rreth 3% në krahasim me vitin 2005”, tha Meta. Kreu i LSI-së argumentoi dje para Kuvendit të Shqipërisë rëndësinë e miratimit të këtij ligji për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të papërballueshme nga ana e pensionistëve. “Nëpërmjet këtij projektligji propozojmë një pension të 13-të për çdo person të moshës së tretë. Propozojmë ngritje të institucioneve të kujdesit për moshën e tretë nga pushteti vendor në gjithë vendin. Propozojmë rimbursim të plotë të çdo medikamenti që përdor mosha e tretë, dhe medikamente cilësore dhe jo si ato që Berisha detyron pensionistët sot që të marrin një ilaç kinez në vend të një italiani. Propozojmë transport urban falas apo me gjysmë çmimi. Propozojmë shërbim shëndetësor në familje falas. Propozojmë strehim me prioritet për moshën e tretë. Propozojmë një pagesë minimale për pensionistët që jetojnë në shtëpi me të paaftë të tjerë”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›