E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi, Berisha, kundër PS-së për dhënien falas të letërnjoftimeve



Kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër propozimit të socialistëve për dhënien falas të letërnjoftimeve. Madje, kreu i qeverisë ka shtuar se kartat e identitetit në Shqipëri po jepen me çmimin më të lirë në rajonin e Ballkanit, ndërsa ka theksuar se qeveria ka marrë përsipër subvencionimin për shtresat në nevojë. “Procesi po ecën me shpejtësi të admirueshme. Në orët e para të mëngjesit numri i aplikimeve ka arritur në 600 mijë dhe me ritmet prej 17-20 mijë aplikimesh në ditë, kapacitetet janë të plota për ta përfunduar brenda muajit maj dhe për këtë kemi një raport shumë të hollësishëm nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, që është pjesëmarrës i konsorciumit ALEAT, që prodhon kartat”, - tha dje Berisha gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas tij, “ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët”. Berisha ka bërë të ditur se çmimi që paguajnë qytetarët shqiptarë është nën koston e prodhimit të kartave të identitetit. “Çmimi i saj nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi, për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij. Në një kohë kur në të gjitha vendet përreth këto karta janë shitur deri në 50 euro, dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 eurosh nuk është pak”, - është shprehur kryeministri, i cili e ka cilësuar mashtrim politikën e ndjekur nga PS-ja për këtë çështje. Gjatë ditës së djeshme qeveria miratoi vendimin për subvencionimin e transportit për shtetasit që ndodhen në zona me distancë të largët nga qendrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tha se qeveria do të paguajë transportin e shtetasve në komunat dhe fshatrat e tyre që janë larg qendrave të aplikimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›