Bankat “agresive”, 1 në 4 familje ka marrë kredi
Gjatë tre viteve të fundit bankat private në vend zgjodhën një strategji marketingu shumë agresive për produktet e kredisë në monedhë të huaj. Me këtë strategji bankat i anashkaluan totalisht rrezikut që mund të vinte nga kursi i këmbimit. Falë kësaj politike, bankat tregtare në vend këto dy vitet e fundit kanë kredituar më shumë se 210 mijë persona. Tashmë këta individë kredimarrës ndodhen në një regjistër të përbashkët, që monitorohet nga Banka e Shqipërisë që prej datës 3 janar. Kreditë e regjistruara kanë të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Aktualisht, bankat kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive, si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja. Regjistri i kredive përmban informacione pozitive dhe negative për kredimarrësin dhe këto të dhëna do të ruhen për 5 vjet. Banka Qendrore njofton se përdorimi i historikut të shlyerjes së kredive nga kredimarrësit do t’u shërbejë bankave në procesin e vendimmarrjes për dhënien ose jo të kredive të reja, duke reduktuar rrezikun e dhënies së kredive të këqija. Regjistri i Kredive nuk merr vendime për kreditë dhe as nuk jep kredi për huamarrësit. Ai vetëm grumbullon të dhëna, i sistemon ato në bazën e të dhënave, si dhe rinxjerr informacionin demografik dhe të kreditit mbi aplikuesit për kredi, kur i kërkohet një gjë e tillë nga përdoruesit e autorizuar.
26 Gusht 2008