E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jepet fondi për dializën, përfitojnë 400 pacientë



Rreth 400 pacientë kanë nevojë për terapinë zëvendësuese apo dializën, ku shpeshherë jeta e tyre është vënë në rrezik për shkak të mungesave të shumta në medikamente. Pas ankesave dhe kërkesave të shumta që kanë mbërritur në Drejtorinë e QSUT-së dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, duket se situata e këtyre pacientëve do të marrë një zgjidhje këtë herë. Ministria e Financave ka çelur një fondin prej 1 milion eurosh për privatizimin e shërbimit të dializës. Sipas kësaj procedure, Ministria e Shëndetësisë do të kontraktojë shërbime private për t’u dhënë pacientëve shërbim si në shtet. Faturën për këtë shërbim do ta paguajë vetë shteti. Fatura prej 1 milion eurosh përfshin gjithë shërbimin për të sëmurët në të gjithë vendin.
Shpeshherë pacientët që vuajnë nga veshkat janë vënë në rrezik për shkak të mungesës së medikamenteve në spital. Mungesa prej disa muajsh e medikamenteve kryesore për trajtimin e sëmundjes u ka shtuar ankthin se ditët i kanë të numëruara. Tashmë asnjëri prej tyre nuk ka mundësi kurimi pranë qendrës spitalore të sëmundjeve të brendshme në QSUT. Medikamentet dhe materialet mjekësore janë në përfundimin total të tyre. Kjo është bërë shkak që pacientët të alarmohen, ndërsa mjekët nuk dinë se çfarë përgjigje të japin kundrejt kërkesave të të sëmurëve që si të vetmen shpresë në përballimin e sëmundjes së tyre shohin kurimin nga mjekët. Dializa shërben për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe për të cilët kryerja e terapisë zëvendësuese, dializës, është jetike.
Për të përballuar këtë rritje, ministria pak kohë më parë shprehu bindjen se duhet që shërbimi i dializës të privatizohet, ndërsa është menduar që shteti dhe privati të jenë partnerë. Sipas autoriteteve, kjo bëhet vetë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave dhe për të cilët kryerja e terapisë zëvendësuese është e domosdoshme. Rreth 400 pacientë kanë nevojë aktualisht për terapi zëvendësuese dhe rreth 175 pacientë të rinj çdo vit. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 39 aparatura hemodialize në shërbimin spitalor publik që kanë një shkallë shfrytëzimi 50 për qind, megjithëse nevojat janë për më shumë aparatura. Dializa në mjekësi është ecuria e pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme. Dializa përdoret për të mundësuar zhdukjen e uresë, acideve, kaliumit dhe mbeturinave të tjera metabolike (shkëmbyese) të përmbajtura me tepricë në gjak, kur ky punim nuk kryhet nga veshkat, përkatësisht nga mëlçia, për shkak të njeriut të sëmurë rëndë ose sepse veprimi i tij nuk është i mjaftueshëm, siç është rasti i helmimit.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›