Shitja e cigareve, “profesioni” për të varfërit dhe të papunët në Tiranë
Arditi, edhe pse është 16 vjeç nuk e ka aspak për ndroje të “shëtisë” rrugët e kryeqytetit për të shitur paketa cigaresh.
Me lekët që ai grumbullon do të blejë librat e shkollës dhe rrobat. Ai është vetëm njëri nga fëmijët e tjerë, të cilët ti zë syri çdo ditë rrugëve të Tiranës, që kushtet e vështira ekonomike e kanë privuar ta kalojë ditën si bashkëmoshatarët e tjerë. Ai nuk e ka luksin që të zgjohet vonë në mëngjes dhe as të luajë lojra në qendra interneti. I çiltër në sy dhe në fytyrë, 16-vjeçari tregon se nuk mërzitet aspak nga puna që bën, pasi dëshira për të pasur ca lek në xhep, në kushtet kur prindërit nuk mund t’ja japin e ka bërë të bëhet “peng” i asaj kutie të vogël kartoni të mbushur me paketa dhe çakmakë. Djaloshi, paksa i gjatë për moshën që ka dhe i imët në fizik, tregon se dita e tij e punës nis herët në mëngjes, pasi ai niset nga Kamza, ku ka edhe shtëpinë, për të ardhur në kryeqytet dhe mbaron nga ora 9 e darkës. “Zgjohem pak herët nga ora 7.30. Ha pak mëngjes, pastaj bëhem gati për të dalë. Në orën 9 duhet të jem në qendër të Tiranës”, -pohon adoleshenti. Fitimi i tij për paktetat që shet ka ditë që shkon edhe deri në 10 mijë lekë, të cilat ai thotë se i mban të gjithë për vete. Madje, për këtë ndihet i lumtur, sepse Arditi e di shumë mirë, që ka edhe nga ata fëmijë, të cilët prindërit i kanë detyruar për të shitur rrugve dhe lekët që fitojnë nuk i mbajnë për vete. “Lekët i mbaj për vete, do blej librat e shkollës që më mungojnë se disa i kam dhe rroba për të shkuar në shkollë”, - tregon qetësisht Arditi, duke vazhduar se kur të filloj shkolla, ai nuk do ta lëri mësimin për këtë punë, por do të dalë vetëm pasditeve për të shitur cigare.
Puna
Paketë-albakarata, është fjalia që dëgjohet më shpesh gjatë ditës nga ata. Shitja e cigareve është kthyer në një “profesion” për të varfërit dhe të papunët në Tiranë. Puna për ta nis herët në mëngjes, ku secili prej tyre shkon në territorin që i përket. Sipas statistikave, tregohet se në Tiranë, janë mbi 300 fëmijë kryesisht djem, që janë të përfshirë në ligjin për arsim të detyruar, të cilët shesin cigare, çimcakëz etj. rrugëve. Më shumë se 200 fëmijë të tjerë, punojnë duke zëvenësuar prindërit në tregun e punës, përfshirë këtu dhe disa vajza të vogla që bëjnë shitësen në disa orë të caktuara nëpër dyqane të ndryshme. Ndonëse këta fëmijë po mbajnë gjallë familjet e tyre, po mbeten megjithatë jetim jo vetëm nga indiferenca e prindërve të tyre, por dhe nga ajo e shoqërisë, shtetit dhe ligjit që pohon: “Ndalohet shfrytëzimi i fëmijëve”. Fëmijët që shesin cigare rrugëve kanë formuar një grup të veçantë social, në të cilin bëjnë pjesë edhe të rritur. Vjollca, një grua mbi 50-vjeç nga Tiranë bën të njëjtën punë me këta fëmijë. Gruaja qëndron rreth 12 orë në ditë në rrugë pranë “Parkut Rinia”. Ajo është e divorcuar nga i shoqi dhe pensioni që merr nga shteti si invalide e grupit të katërt nuk i mjafton për të rritur dy djemtë e saj. “Kam 10 vjet pa punë, nga shteti marr vetëm 60 mijë lekë në muaj. Këtu dal nga ora 9 e mëngjesit deri po në orën 9 të darkës, punoj që të mbaj fëmijët”, – pohon ajo e lodhur duke pritur dhe duke i’u lutur Zotit që një prej kalimtarëve të ndaloj ti blej diçka. Vjollca fiton mesatarisht shtatë mijë lekë të vjetra në ditë, por ka edhe ditë që nuk shet fare.
Cigareshitësit
Por, cigareshitësit e vegjël kryejnë një punë më problematike se të tjerët, kjo jo vetëm për faktin se janë më të vegjël, por dhe se puna për ta është më e vështirë. Shumica prej tyre i kanë familjet të ardhura nga veriu në Tiranë dhe vështirësitë e jetës në kryeqytet janë më të mëdha se ato në rrethe. Disa prej tyre e kanë braktisur dhe shkollën, madje, midis tyre, gjen dhe ndonjë të sinqertë që të thotë se nuk shkon në shkollë. Ndërsa ata që e frekuentojnë shkollën dallohen qartë nga çanta që mbajnë në shpinë. Përgjithësisht janë djem të moshavë nga 9-18 vjeç, të cilët vijnë çdo ditë nga zonat përreth kryeqyteit si Lapraka, Kamza, etj. Largësia i bën që dhe në orar të drekës të mos shkojnë në shtëpi. Ganiu është 18-vjeç, ai shet çdo ditë paketa pranë Rektoratit të Arsimit. Tregon se ka gjashtë muaj që merret me këtë punë dhe në një ditë arrin të fitojë jo më shumë se 15 mijë lekë të vjetra. Ai ka ardhur nga Kukësi dhe mënyra e vetme për të mbajtur familjen janë të ardhurat që sjell ai dhe vëllai i tij. “Jemi 12 veta në familje, babai më vdiq para disa muajsh dhe tani ne jemi të vetmit që mund të punojmë. Dal herët në mëngjes dhe kthehem nvonë në nbrëmje”, - shprehet Ganiu, i cili pret vëllain që të ndërroj turnin.
Shitja
Në “tregun e punës” cigareshitësit përdorin pothuajse të njëjtën mënyrë. Mbajnë në dorë një kuti kartoni, ku vendosin paketat në rradhë dhe lekët e holla të fshehura diku aty në një cep nga frika se dikush nga shokët e tyre më i madh dhe mund t’jua marrë. Shpesh mbajnë pak lekë me vete, maksimumi deri në pesë mijë lekë të vjetra dhe kur dikush që kërkon t’u blej një paketë u jep “lekë të mëdha” më shumë u kushton mundimi për të thyer lekët diku në ndonjë kioskë sesa fitimi. Zakonisht i sheh në zona të populluara dhe të frekuentuara nga njerëz të pasur. Sillen mirë me klientët dhe njerëzit e tjerë. Ata e njohin mirë njëri-tjetrin, bisedojnë dhe ndajnë bashkë vendet se ku do punojnë çdo ditë. “Asnjëherë nuk kalojmë në vendin e tjetrit. Frikë kemi vetëm se ka disa më të mëdhenj që kur vjen darka na marrin me detyrim lekët që kemi fituar”, -pohon Tani, i cili është vetëm 10- vjeç dhe nuk shkon në shkollë. Zakonisht druhen nga gazetarët dhe nuk shprehen se me këto lekë ndihmojnë familjen, por nëse u thua do të blej një paketë janë të gatshëm të flasin. Ëndërrat e moshës së tyre ata i kanë zëvendësuar me dëshirën për të shitur sa më shumë cigare. Këta fëmijë po ndihmojnë familjet për të jetuar, ndërkohë që për jetën e tyre nuk po kujdeset askush. Nëse sot prej familjarëve të tyre kjo shihet si një mënyrë për të mbijetuar, nesër ata do të mbesin njerëz pa të ardhme dhe kjo jetë tani do të rëndojë gjithë jetën mbi supet e tyre.
Tregu i punës
Fëmijët nën moshën 18-vjeç zënë një pjesë të konsiderueshme në tregun tonë të punës, ku vetëm për 6-mujorin e parë të këtij viti janë konstatuar 397 të punësuar. Të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike këta fëmijë kryejnë punë në ndërmmarje dhe aktivitete të ndryshme në vendin tonë. Gjithashtu, nga inspektimet e Inspektoriatit Shtetëror të Punës ka rezultuar se 2625 janë të punësuar në mënyrë jo të rregullt. Puna e fëmijëve nën moshën e parashikuar me ligj është një dukuri që po haset dendur. Aktualisht, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve që punojnë dhe llojet e punës që ata bëjnë. Ka dy lloj kategorish të fëmijëve që punojnë: Fëmijë që punojnë në sektorin formal të ekonomisë, si në rrobaqepësi, fabrikat e prodhimit të këpucëve, në ndërtim etj. që janë kryesisht të moshës 15-18 vjeç.
Fëmijët që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht në rrugë, si: shitës ambulantë, lypsa, pastrues të makinave në semaforë etj. si dhe në një nga format më të këqija të punës së fëmijëve që është edhe trafikimi i fëmijëve për qëllim shfrytëzimi, si për shfrytëzim seksual, për vjedhje, përfshirje në aktivitete të paligjshme etj.
26 Gusht 2008