E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nuk tërhiqet nga tenderi për Lotarinë Kombëtare. Ankohet dhe një kompani turke

Share

Ministria e Financave ka hapur ofertat për dhënien e licencës se vetme të Lotarisë Kombëtare, një tender qe është veshur me dyshime për paracaktimin e fituesit. Në garë morën pjesë dy kompani, konsorciumi LTO, i cili përbëhet nga një bashkim firmash, italiane, qipriote dhe çeke, si dhe kompania e dytë, austriakja Austrian Lotary. Mesditën e së mërkurës përfundonte dhe afati i dorëzimit të ofertave, të cilat u hapen në prani edhe të komisionit të vlerësimit, që mori në dorëzim gjithë volumin e madh të dokumenteve.

Mbetet që në ditët ne vijim komisioni i vlerësimit të ofertave të zyrtarizojë fituesit dhe sipas burimeve konfidenciale, kompania austriake është paraprakisht e favorizuar në këtë proces, me një çmim prej 3 milion eurosh.

Pak ditë para se të mbyllej afati për aplikimin e licencës, kompania greke Intralot, e interesuar për të marrë pjesë në garë, hodhi akuza të forta se kushtet e përcaktuara në këtë tender ishin skualifikuese për shume firma, duke hedhur dyshime për një konkurrence të limituar në këtë proces.

Në letrën ankesë që kompania greke i dërgoi kryeministrit Berisha si dhe ministrit Ridvan Bode, ajo kërkonte shtyrjen e afatit të tenderit si dhe rishikimin e kritereve, një kërkesë kjo që mesa duket nuk u mor në konsideratë.

Por, përveç kompanisë greke, për tenderin e Lotarisë Kombëtare ka ardhur një tjetër ankesë, kësaj herë nga kompania turke Inteltek. Përmes një letre që mban datën 19 qershor presidenti i kompanisë turke Inteltek, Ahmet Sezer, i drejtohet ministrit shqiptar të Financave, duke shprehur shqetësim të thellë për praktikën jokonkurruese të ndjekur nga qeveria shqiptare për tenderin e Lotarisë Kombëtare.

Në letrën e tij presidenti i kompanisë turke thotë: Ne jemi informuar se Ministria juaj ka lanccuar tenderin për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare dhe për procedurat e aprovuara. Me shqetësim të madh vëmë re se procedurat nuk garantojnë një konkurrencë të plotë dhe të hapur dhe as nxisin krijimin e të ardhurave për shtetin shqiptar.

Po kështu, një ditë me parë, deputeti i PS-së, Taulant Balla i dërgoi zyrtarisht një letër ministrit të Financave Ridvan Bode, ku i kërkonte shpjegime për tenderin e paragjykuar në emër të së drejtës së qytetarit për informim dhe statusit të deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›