21 Janari, dëshmitarët: Plumbat vinin nga Kryeministria

Viktimat e 21 janarit
Ka dëshmuar sot në gjyqin për 21 janarin Hysni Peposhi, shoku i një prej 4 viktimave te kësaj proteste, Hekuran Dedës. Sipas Peposhit, dy shokët kishin hipur në podium për të xhiruar protestën. Ai ka deklaruar se Hekuran Deda vdiq nga plumbat që vinin nga Kryeministria, pak sekonda pasi u qëllua Ziver Veizi, viktima tjetër e kësaj ngjarjeje, raporton Vizion Plus. Peposhi tregoi se ishte nisur për të protestuar kundër qeverisë, sepse rruga në fshatin ku banon është e shkatërruar dhe prej 20 vitesh askush ska vënë dorë.
Peposhi tregoi gjithashtu se kishte nisur të filmonte me celularin e tij, në momentin kur situata para Kryeministrisë u tensionua dhe tha se kishte parë që një person ishte vrare.
Peposhi tha se kur ktheva për ti thënë Hekuranit se dikush ishte vrarë, pashë Hekuranin përdhe të mbuluar ne gjak dhe të bërë shosh nga plumbat.
Një tjetër dëshmitar ka qenë edhe kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Beratit, Sokrat Gode. Ai ka deklaruar se ne momentin kur ndodhej midis Piramidës dhe selisë së Kryeministrisë është plagosur në parakrah dhe sipas tij, plumbat erdhën nga Kryeministria. Në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe Flamur Vezaj, gazetari i Shekullit për videon e vrasjes të publikuar në faqen online të kësaj gazete.