Nishani ka kryer shkollën pasuniversitare për Studime Evropiane më 2006-ën
Zonja Eva Hyskaj, në cilësinë e Drejtoreshës së Institutit të Studimeve Evropiane, i është përgjigjur interesit të gazetës TemA mbi diplomën Master të Bujar Nishanit. Të dhënat e saj shpresojmë që janë korrekte, por bien ndesh me atë që deklaron Nishani publikisht. Zonja Hyska thotë se Bujar Faik Nishani ka qenë student i Shkollës Pasuniversitare për Studime Evropiane (sot Instituti i Studimeve Evropiane, me VKM 1182), në periudhën e viteve 2004-2006.
Ka disa paqartësi qe shpresojmë të sqarohen. Fjala vjen VKM 1182 bën fjalë për një master që është themeluar në vitin 2009 dhe jo një master në vitin 2004, kur thuhet që Nishani ka filluar Masterin. Sipas zonjës Hyska, Masteri aktual për Studime Evropiane trashëgon begraundin e një shkolle të mëparshme pasuniversitare, të krijuar qysh në vitet 2000.
Vetë zoti Nishani në CV e tij thotë se e ka mbaruar këtë Master në vitin 2005.
Nga ana tjetër ngelet e paqartë lidhja e kësaj shkolle me Institutin për Studime Evropiane, dënuar për mashtrim, i cili po ashtu i kishte zyrat në të njëjtën godinë. Sipas të dhënave tona disa zyrtarë të lartë, që kanë përfunduar këtë master mashtrues, kanë njësuar diplomën e tyre tek qendra në fjalë.
Sidoqoftë falënderojmë zonjën Hyska për informacionin e saj dhe shpresojmë që zoti Nishani të paktën të mbajë mend kur ka mbaruar shkollën pasuniversitare, që të mos vërë në pozitë të vështirë dhe ata që i kanë dhënë diplomën.
