Ceka: Dosjet të mbyllen para zgjedhjeve
Nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, gjykon se ligji i lustracionit duhet të ribëhet para zgjedhjeve të reja të 28 qershorit. Ndonëse gjasat janë të pakta që ligji të bëhet i zbatueshëm para zgjedhjeve, Ceka shprehet se dëshiron që Parlamenti të filtrohet para 28 qershorit. "Mirë ishte që gjithë kjo procedurë të mbaronte përpara zgjedhjeve në mënyrë që të mos kemi përsëri në Parlamentin e ardhshëm historinë e agjentëve të Sigurimit, historitë e pseudonimeve", - shprehet z. Ceka. Por nënkryetari i Parlamentit pohon se e djathta kishte vetëdijen e plotë se Gjykata Kushtetuese do ta kthente ligjin e lustracionit. "Ne e dinim që në votimin tonë që ka probleme të karakterit juridik dhe është prekur Kushtetuta, janë prekur parimet universale kushtetuese, jo ata që vetëm fiksohen në Kushtetutën tonë. Precedenti është pjesë e praktikës ligjore dhe kjo është baza në të cilën në kemi kaluar ligjin", - tha z. Ceka.