Falsifikimi i patentave, zbulohet baza në Tiranë
Tiranë- Tre persona janë ndaluar ditën e djeshme nga Policia e Tiranës nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se pas një pune 5-mujore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Patenta”, u bë i mundur arrestimi i Avni Fortuzit, 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve, ndërsa në gjendje të lirë do të procedohen L.D. 54 vjeç, dhe Xhemal Nozllaku, 53 vjeç. “Veprimet proceduriale në ngarkim të tyre u kryen sepse këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikonin dokumente të ndryshme, duke u siguruar shtetasve të tjerë: Leje drejtimi automjetesh kombëtare e ndërkombëtare, dokumente të ndryshme të mjeteve të huaja, dokumente shkollore të falsifikuara.” – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Ndërkohë mësohet se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: dy njësi qendrore kompjuterike, dy skanera, një kompjuter lap-top, dy telefona celularë dhe një sasi lekësh, të cilat i kishin marrë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës po vijon punën për të identifikuar persona të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë grup falsifikimi. Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Falsifikim i akteve të gjendjes civile”.