E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: PS-ja, protesta popullore për heqjen e “taksës së votës”

Deputeti socialist: “Situata është alarmante, qeveria po dështon procesin”. Islami: “Do të nisim aksionin politik për shpëtimin e zgjedhjeve dhe të demokracisë”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka shpallur nisjen e një aksioni të gjerë politik pas rezistencës së qeverisë për të mos i shpërndarë falas kartat e identitetit për të gjithë shqiptarët. Deputeti socialist dhe njëkohësisht sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, paralajmëroi nisjen e protestave popullore për heqjen e “taksës së votës” në mënyrë që të gjithë shqiptarëve t’u garantohet e drejta për të votuar. Islami akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për këtë arsye u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në një rezistencë paqësore për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri. “Kryeministri nuk do të mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve duke e kthyer në farsë provimin e madh të 28 qershorit. Nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. Partia Socialiste e Shqipërisë u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore”, - tha ai.

Situata

Islami tha se deri tani nuk është marrë asnjë masë serioze dhe asnjë veprim i përgjegjshëm nga qeveria për pajisjen e votuesve me karta identiteti. Sipas Islamit, rrjeti i stacioneve të aplikimit është ende i pashtrirë plotësisht në të gjithë territorin e vendit dhe në shumë komuna këto stacione nuk janë ende funksionale. Deputeti socialist theksoi se ritmet e aplikimeve kanë rënë ndjeshëm dhe ato mbeten shumë larg mundësive teknike e premtimeve të qeverisë për garantimin e 100 mijë aplikimeve në javë. Islami denoncoi gjithashtu tendencën e qeverisë për të paralizuar komisionin e posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore si dhe refuzimin e kompanisë “Aleat” për të ofruar informacion zyrtar rreth ecurisë së procesit. Në këto kushte, deputeti socialist tha se situata është alarmante dhe se zgjedhjet e 28 qershorit janë seriozisht të rrezikuara. “Partia Socialiste vlerëson se për shkak të paaftësisë deri sot, por me sa duket edhe mungesës së vullnetin të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani. Gjendja është alarmante”, - u shpreh Islami.

Aksioni
Islami tha se kërkesa e përsëritur e Partisë Socialiste është heqja e taksës së votimit dhe se kartat e identitetit për votuesit pa pasaportë duhet të trajtohet si mjeti i vetëm i identifikimit për votimin e 28 qershorit. Ai tha se në rast se qeveria nuk do të plotësojë këtë kërkesë, Partia Socialiste do të përshkallëzojë veprimet, duke nisur një aksion të gjerë proteste. “Nëse situata nuk ndryshon, Partia Socialiste do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria. PS-ja me këtë rast u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore. Askush të mos vonojë të aplikojë nëse e përballon taksën e votës. Por, nga ana tjetër, gjithkush që nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë duhet të dijë se PSSH do të rezistojë me të gjitha mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe në përputhje me standardet demokratike pa zgjidhje të kësaj nyje që po mbyt zgjedhjet”, - tha Islami.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›