E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përcakton kontratat për përdorimin me afat të pasurive të paluajtshme

Si plotësohet kontrata dhe çfarë kushtesh përmban ajo për nënshkruesit. Kontrata përcakton marrëdhëniet mes pronarëve dhe tregtarëve

Ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave për kontratat e përdorimit me afat të pasurive të paluajtshme. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare dhe pritet të zbatohet nga personat që synojnë të marrin objekte me qira, kryesisht për ushtrimin e veprimtarive tregtare. Miratimi i këtij vendimi rrjedh nga Neni 42 i ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, sipas të cilit, kontrata lidhet midis tregtarit dhe pronarit për një periudhë jo më pak se tre vjet. “Kontratë e përdorimit me afat të pasurive të paluajtshme është çdo kontratë apo grup kontratash, të lidhura ndërmjet një tregtari dhe një konsumatori, për një periudhë jo me pak se 3 vjet, sipas së cilës, përkundrejt një pagese të caktuar drejtpërdrejt ose jo, krijohet apo është objekt i një transferte, apo ndërmerret për t’u transferuar një e drejtë mbi pronën e paluajtshme ose çfarëdo e drejte tjetër që lidhet me përdorimin e një apo më shumë pronave të paluajtshme, për një afat specifik ose të specifikueshëm të vitit që nuk mund të jetë më pak se një javë”, - shkruhet në Nenin 42 të ligjit. Ndërsa vendimi parashikon përmbajtjen e kontratës dhe të gjitha të dhënat që duhet të paraqiten në të në mënyrë që palët të jenë në dijeni.
Kontrata
Pronari, përpara lidhjes së kontratës për përdorimin me afat të pasurive të paluajtshme, e siguron tregtarin me shkrim për kushtet e pasurisë së paluajtshme që ofrohet në përdorim për një periudhë të caktuar kohe. Në përshkrimin e tij jepen të dhëna për pronarin e pasurisë së paluajtshme ose përfaqësuesin e tij, nëse ka, përfshirë; emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e identitetit personal dhe vendbanimin, titullin, numrin e regjistrimit të biznesit si dhe adresën e regjistruar, statusin ligjor e strukturën organizative të tregtisë në kohën e lidhjes së kontratës. Më tej ai duhet të japë të dhëna për vendndodhjen e pasurisë së paluajtshme ose objektit që jepet me qira për periudhën e vitit gjatë së cilës mund të përdoret pasuria e paluajtshme, si dhe për rregullat ligjore mbi bazën e të cilave ushtrohet e drejta e përdorimit të objektit. Në rastet kur pasuria e paluajtshme ose objekti është në ndërtim e sipër në kontratë duhet të jepen të dhëna nëse ka leje ndërtimi, numrin e lejes së ndërtimit, emrin dhe adresën e plotë të autoritetit supervizor. Në kontratë, midis të tjerave, duhet të përcaktohet gjendja e shërbimeve që e bëjnë pasurinë e paluajtshme plotësisht funksionale, si: gazi, energjia elektrike, uji, lidhja telefonike etj. Po kështu, pronari duhet të japë garanci për rimbursimin e çdo pagese të bërë nga tregtari në rast se objekti nuk i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për të qenë funksional. Në kontratë duhet të jepen të dhëna për komoditetet dhe shërbimet e përbashkëta të pasurisë për të cilat edhe konsumatori do të ketë mundësinë e përdorimit, si: pishina, sauna, si dhe kushtet e përdorimit të tyre në rastet kur këto do të ndahen me të tjerë persona. Duhet të përcaktohen mënyrat në bazë të të cilave do të bëhen; mirëmbajtja, riparimi dhe administrimi i pasurive të paluajtshme. Në kontratën në fjalë përcaktohet një vlerësim i shumës që duhet të paguhet nga konsumatori për përdorimin e komoditeteve dhe shërbimeve të përbashkëta të pasurisë; mënyrën e llogaritjes së shumës së detyrimeve të lidhura me zotërimin e pasurisë; detyrimet e parashikuara ligjërisht, taksat dhe tarifat, si dhe shpenzimet administrative për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e pasurisë.
Vendimi i botuar së fundi në Fletoren Zyrtare parashikon se në kontratën që do të lidhet midis pronarit dhe tregtarit që synon të marrë objektin me qira duhet të përcaktohet dhe e drejta e anulimit të kontratës. Personi që do të marrë objektin me qira ka të drejtën e anulimit të kontratës brenda tre muajve nga data e nënshkrimit të saj nga të dyja palët. Në rast se personit nuk i janë plotësuar kushtet e lartpërmendura, ai ka të drejtë të kërkojë anulimin e kontratës dhe në këtë rast ai paguan vetëm shpenzimet e kryera nga pronari për formalitetet ligjore.

50% e çmimit të trojeve në zonat industriale do të bëhen me bono privatizimi

Qeveria ka vendosur që 50% e çmimit të trojeve në zonat industriale të bëhet me bono privatizimi dhe pjesa tjetër të paguhet me para. Kjo parashikohet në vendimin e botuar së fundi në Fletoren Zyrtare për përcaktimin e çmimeve të trojeve në zonat industriale ku ushtrohen veprimtari ekonomiko-industriale në objektet e ndërtuara mbi këto troje. Në këtë vendim parashikohet që çmimi i trojeve, pronë shtetërore në zonat industriale ku ushtrohet veprimtari ekonomike-industriale, në objektet e ndërtuara mbi to, është sa vlera e çmimit të trojeve të kategorive të miratuara me vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave. Me këtë çmim do të llogaritet jo vetëm sipërfaqja nën objekt, por edhe ajo në funksion të tij. Në rast privatizimin të këtyre trojeve shtetërore, pagesa do të bëhet 50% në lekë dhe 50% me lekë privatizimi apo bono privatizimi. Zona industriale janë të gjitha ato zona të miratuara si të tilla me vendim të KRRT-së dhe të KRRTRSH-së në bazë të akteve ligjore në fuqi për kryerjen e veprimtarive ekonomiko-prodhuese.
Këshilli i Ministrave në këtë vendim ngarkon Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse në zbatim të këtij vendimi.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›