E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherret dhe përplasjet që sollën zgjedhjet e 28 qershorit brenda partive politike

Fenomeni nuk ka kursyer jo vetëm partitë e mëdha, por edhe ato të vogla. Cilat janë grupimet kundërshtare në gjirin e partive politike

Shaban Sulçe

Lufta e ashpër politike midis partive kundërshtare gjatë fushatës elektorale është zëvendësuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit me luftë të ashpër midis kundërshtarëve të së njëjtës parti. Rezultati i zgjedhjeve dhe vendimet për koalicionet paszgjedhore u bënë shkak i lindjes së sherreve dhe përçarjeve në gjirin e partive kryesore të politikës shqiptare. Jo vetëm partitë e mëdha, por edhe partitë e vogla; jo vetëm partitë parlamentare, por edhe ato joparlamentare janë kthyer gjatë kësaj periudhe në “arena” të përplasjeve midis eksponentëve të tyre kryesorë. Pothuajse në çdo parti u kristalizuan dy grupime, të cilat aktualisht, por edhe në të ardhmen, pritet të intensifikojnë edhe më tepër përplasjet midis tyre. Duke e bërë në këtë mënyrë skenën politike shqiptare “edhe më lëmsh se ç’ishte”.

PD
Në fakt, sherret në Partinë Demokratike kishin lindur shumë kohë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Megjithatë, ato dolën në sipërfaqe në momentin e hartimit të listave për kandidatë për deputetë. Shumë deputetë me eksperiencë të PD-së si Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Sali Shehu, Pal Dajçi, Sami Gjergji, u lanë jashtë listave të kandidatëve për shkak se njiheshin si mbështetës të presidentit Topi. Polemikat vijuan edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, brenda radhëve të PD-së, ndonëse ajo ishte forca fituese. Shkak u bë kompozimi i kabinetit qeveritar, ku midis deputetëve dhe drejtuesve të PD-së pati “luftë bërrylash” në garën për t’u zgjedhur ministra të kabinetit të ri qeveritar.

PS
Polemikat më të ashpra brenda gjirit të Partisë Socialiste shpërthyen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku PS-ja ngeli sërish në opozitë. Një grup deputetësh, anëtarësh të Kryesisë dhe të Asamblesë Kombëtare, të udhëhequr kryesisht nga deputetët Arben Malaj dhe Ben Blushi, fajësuan kreun e PS-së, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të humbjes. Ata kërkuan dorëheqjen e kryetarit Rama në bazë të Statutit të PS-së. Kundërshtarët e Ramës propozuan gjithashtu edhe miratimin e ndryshimeve statutore, të cilat nuk lejonin rikandidimin e kryetarit që humbet zgjedhjet. Ata ishin edhe mjaft kritikë ndaj vendimit të PS-së për të bojkotuar Kuvendin. Në Kongresin e Jashtëzakonshëm u bë edhe përballja më e ashpër. Kundërshtarët e Ramës nuk arritën që të fusnin në rendin e ditës propozimin për ndryshimet statutore, ndërsa kandidati Arben Malaj shpalli tërheqjen nga kandidimi për kreun e PS-së. Tashmë Malaj, Blushi dhe mbështetësit e tyre kanë shpallur zyrtarisht “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe” brenda Partisë Socialiste, motoja e së cilës është “Jo bojkotit”.

LSI
Pesë anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim dolën kundër vendimit të Kryesisë dhe të kryetarit Ilir Meta për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike. Nënkryetarët Pëllumb Xhufi e Sabit Brokaj, si dhe anëtarët e Kryesisë Mustafa Muçi, Fatos Klosi dhe Ndre Legisi e kundërshtuan hapur këtë marrëveshje, duke bërë akuza në drejtim të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ata kërcënuan me largim nga LSI-ja në rast se do të bëhej zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq, reagimi zyrtar i LSI-së ishte se vendimi për bashkëqeverisjen ishte marrë nga forumet më të larta, ndërkohë që të pestët u akuzuan se po bënin lojën e Ramës. Tashmë marrëveshja për bashkëqeverisjen PD-LSI është nënshkruar dhe 5 ish-zyrtarët e saj kanë shpallur largimin nga kjo forcë politike.

PBDNJ
Polemikave dhe sherreve të brendshme nuk i ka shpëtuar edhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Në fakt, përçarja në partinë e minoritetit grek lindi që në kohën e regjistrimit të koalicioneve, pasi një pjesë e kësaj partie insistonte që PBDNJ-ja të vazhdonte të ishte në koalicion me Partinë Demokratike, ndërkohë që kryetari Dule dhe shumica vendosën që të pranonin ftesën për të qenë pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste. Pas zgjedhjeve, nënkryetari i PBDNJ-së, Thoma Miço, fajësoi kryetarin Dule për rezultatin e dobët elektoral të PBDNJ-së dhe kërkoi dorëheqjen dhe largimin e tij nga drejtimi i partisë. Miço insistoi që PBDNJ-ja të ishte pjesë e koalicionit qeverisës me PD-në, por kjo kërkesë u kundërshtua nga kryetari Dule, i cili tha se PBDNJ-ja do të ishte pjesë e opozitës.

PR
Posti i ministrit të Mjedisit që Partia Republikane përfitoi nga marrëveshja për bashkëqeverisje me PD-në u kthye në mollë sherri midis figurave drejtuese të kësaj partie. Kryesia e PR-së caktoi kryetarin Fatmir Mediu për të drejtuar Ministrinë e Mjedisit, por ky vendim nuk u aprovua nga Presidenti i Nderit, Sabri Godo dhe vajza e tij, ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ata e akuzuan kryetarin Mediu se nuk i kishte thirrur në mbledhjen e Kryesisë.

PDI

Partia më e re parlamentare, Partia për Drejtësi dhe Integrim, ishte protagoniste e një debati të ashpër brenda radhëve të saj. Edhe pse me një eksperiencë shumë të re në skenën politike, PDI-ja nuk u shpëtoi përplasjeve midis drejtuesve kryesorë të saj. Protagonistë të kësaj përplasjeje ishin kryesisht kryetari i partisë Tahir Muhedini me deputetin e vetëm të kësaj partie, Dashamir Tahiri. Deputeti Tahiri, teksa i ka premtuar besnikëri maxhorancës, akuzoi kryetarin Muhedini se po përpiqej të bënte pazare në kurriz të mandatit të tij dhe të kauzës çame.

PSV ‘91
Edhe Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 nuk mund t’u shpëtonte dot polemikave paszgjedhore dhe përçarjeve brenda saj. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ish-lideri i saj, Petro Koçi, dha dorëheqjen për shkak të rezultatit të dobët. Pas kësaj, një pjesë e Kryesisë së kësaj partie zhvilloi një mbledhje urgjente për të zgjedhur si kryetar të ri Gjergj Kojën. Por zgjedhja e Kojës u kundërshtua nga disa anëtarë të Kryesisë, si dhe nga vetë ish-kryetari Koçi, të cilët thanë se zgjedhja e tij ka qenë në kundërshtim me statutin.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›