E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi dëshiron ndarje

Bisedimet për çështje teknike janë të paevitueshme. Duhet të ketë ndërmjetësim. Të gjitha shenjat tregojnë se Beogradi dëshiron ndarjen e Kosovës. Serbia po e mban Kosovën jashtë OKB’së. Kosova po e mban Serbinë jashtë BE’së. Rezoluta 1244 mund të anulohet vetëm me pajtim të Beogradit. Por, kjo rezolutë është e parëndësishme. Drejtori i ICG’së për Ballkanin, Marko Prelec, flet për Express.

Express: A ka gjasa që Kosova dhe Serbia të hyjnë në një raund të ri bisedimesh duke marrë parasysh pozicionet e tyre të kundërta. Beogradi këmbëngul për bisedime për statusin e Kosovës, kurse Prishtina pranon të bisedojë vetëm për çështje teknike dhe vetëm si palë e barabartë...
Prelec: Jo vetëm që bisedimet janë të mundshme, por bisedimet mes Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës janë edhe të nevojshme. Kjo është diçka e paevitueshme. Duhet të ketë bisedime për një varg çështjesh, disa nga të cilat janë teknike. Por bisedimet nuk duhet të ndalen me çështje teknike. Duhet ta kemi të qartë se Qeveria e Kosovës nuk do të pajtohet për bisedime për statusin dhe ne në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG) e kuptojmë dhe e përkrahim plotësisht. Statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur. Meqenëse palët kanë qëndrime aq të kundërta, mendoj se do të jetë e nevojshme që bisedimet të fillojnë në mënyrë joformale, së paku në fazën fillestare, diçka e ngjashme me atë po provohet tash lidhur me Samitin e Sarajevës, për shembull. Serbia dëshiron të bisedojë për statusin. Kosova në mënyrë plotësisht të drejtë refuzon të bisedojë për statusin. Besoj se ka përkrahje të gjerë në Europë dhe përkrahje të palëkundur të SHBA’së për këtë qëndrim. Shumica dërrmuese e vendeve të BE’së e njohin Kosovën. Për këto shtete statusi i Kosovës është çështje e përfunduar dhe e zgjidhur. Nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës.

Express: Për çfarë çështjesh do të duhej të bisedojnë Kosova dhe Serbia?
Prelec: Gjëja më e rëndësishme është që të dyja vendet të eliminojnë pengesat për integrim të mëtejmë ndërkombëtar. Serbia po e mban Kosovës jashtë OKB’së dhe trupa të tjera ndërkombëtare. Kosova po e mban Serbinë jashtë BE’së, sepse siç deklaroi së fundi ministri i Jashtëm francez, Kouchner, “përderisa BE’ja nuk kërkon zyrtarisht nga Serbia që të njohë Kosovën, njohja megjithatë mbetet e nevojshme”. Është në interes të ndërsjellë për të dyja vendet që të dalin nga bllokada aktuale për t’i mundësuar vetes të arrijnë progres për gjëra që janë të rëndësishme. Një nga gjërat e rëndësishme është që të dyja qeveritë të njohin njëra-tjetrën si partnerë legjitimë për dialog. Kjo mund të ndodhë sapo të ketë vullnet politik në Beograd. Shpresojmë që kjo mund të arrihet pas opinionit të GJND’së. Njohja zyrtare do të marrë shumë kohë, prandaj nuk duhet të jetë në krye të agjendës. Serbia dhe Kosova duhet të diskutojnë gjithashtu mekanizmat për mbrojtje të pakicave si dhe rolin e Serbisë karshi serbëve të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina kanë edhe mjaft çështje praktike që duhet trajtuar me urgjencë siç janë kontestet pronësore, telekomunikacioni, transporti, tregtia, pensionet, bashkëpunimi policor, kontrolli kufitar, etj.

Express: A është i nevojshëm ndërmjetësimi ndërkombëtar dhe kush do të duhej të ndërmarrë nismën për bisedime?
Prelec: Fatkeqësisht, ndërmjetësimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në masë të madhe për shkak se ka shumë pak besim mes Prishtinës dhe Beogradit dhe që disa vjet nuk ka pasur kontakte në nivele të larta mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë. Nuk ka nivel të besimit që do të mundësonte bisedime të pandërmjetësuara. Bisedimet direkte pa ndërmjetësues nuk ka të ngjarë të kenë sukses. Ndërmjetësimi ndërkombëtar është i nevojshëm pjesërisht edhe për shkak se bisedimet do të ndikojnë që liderët të ekspozohen para kritikave nacionaliste në të dyja vendet. Formati i bisedimeve është më pak i rëndësishëm. Pothuajse është e sigurt se do të ketë përfshirje së paku të BE’së dhe SHBA’së, por edhe të tjerë mund të përfshihen si Rusia, Turqia dhe OKB’ja. Është esenciale të ketë ndërmjetës në të cilët të dyja palët kanë besim dhe kjo do të thotë qasje ekipore.

Express: Kur mendoni se mund të fillojnë bisedimet?
Prelec: Bashkësia ndërkombëtare dëshiron që ato të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundshme. Serbia nuk do të lëvizë para opinionit të GJND’së. Ajo ka frikë se çdo lëshim ndaj Kosovës do të dobësonte rastin e saj në Gjykatë. Menjëherë pas GJND’së duhet të kemi bisedime.

Express: Cili mund të jetë qëllimi final i Beogradit lidhur me Kosovën? A mendoni se synimi i tyre është ndarja e pjesës veriore të Kosovës?
Prelec: Të gjitha shenjat tregojnë se Beogradi dëshiron ndarjen e Kosovës. Kosova e kundërshton këtë fuqishëm, ashtu si edhe SHBA’ja dhe shumica e shteteve të BE’së. Ndarja nuk është zgjidhje. Shumica e serbëve të Kosovës ende jetojnë në jug të lumit Ibër, prandaj ndarja do të ishte e keqe për ta. Por është me rëndësi që të fillohen bisedimet mes Veriut dhe Qeverisë së Kosovës, gjithashtu pa këmbëngulur në formalitete. Prishtina jo vetëm që duhet të jetë e vullnetshme, por edhe shumë e interesuar për bisedime me serbët në Veri për të gjetur mënyrën se si ata të qeverisin vetveten brenda kontekstit të Kosovës.

Express: Çfarë ndikimi mund të ketë opinioni i GJND’së?
Prelec: E vetmja gjë që mund ta themi me siguri në këtë moment është se Serbia refuzon gjithçka që do të mund të dobësonte pozicionin e saj në GJND. Por, pas opinionit të GJND’së, kjo frikë do të marrë fund. Kjo është e rëndësishme sepse deri më tash, Serbia po e dëmton Kosovën në shumë mënyra, kurdo që ka mundësi formale dhe ligjore për ta bërë këtë. I vetmi shfajësim i saj për këtë është se po e mbron pozicionin e vet në GJND. Nuk ka justifikime të tjera, për shembull, për të bllokuar Kosovën që të marrë kodin ndërkombëtar të telefonisë, diçka që nuk u takon vetëm shteteve. Ka edhe shumë shembuj të tjerë. BE’ja ka plotësisht të drejtë të pyesë Serbinë përse po vepron kështu. Dhe, në një masë, mënyra se si BE’ja e trajton Serbinë do të varet nga mënyra se si Serbia e trajton Kosovën.

Express: A është e mundshme që pas opinionit të GJND’së, SHBA’ja dhe shtete të mëdha të BE’së të jenë në gjendje për të suspenduar Rezolutën 1244?
Prelec: Kjo rezolutë mund të suspendohet në çdo kohë, por në praktikë, kjo mund të ndodhë vetëm me pajtim të Serbisë, për shkak se pa pajtimin e saj, Kina dhe Rusia nuk do të pajtohen. Askush nuk mund të detyrojë Serbinë të bëjë këtë hap dhe askush nuk do të provojë. Por, në mënyrë esenciale, Rezoluta është e parëndësishme dhe është në interesin e secilit që ajo të anashkalohet. Situatën të cilën e përshkruan dhe kërkon ta rregullojë kjo rezolutë, pra situatën e vitit 1999, ka përfunduar. Është pjesë e së kaluarës. Kjo është një nga temat për të cilën Beogradi dhe Prishtina mund dhe duhet të bisedojnë, pra si të lëvizet pas 1244’ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›