E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Do përshpejtojmë heqjen e vizave



BLEDAR HOTI

Raporteri i Parlamentit Evropian për Ballkanin, Nikolaos Chountis, premton ndërhyrjen e tij në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Në takimin e djeshëm me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, raporteri Chountis, njëkohësisht anëtar i grupit konfederal të Unionit të Majtë, E Majta e Gjelbër Veriore në PE, tha se “Angazhimi im personal, por edhe i grupit tonë në Parlamentin Evropian është për të përshpejtuar procedurat për heqjen e vizave për shqiptarët”. “Kemi qenë dhe mbetemi mbështetës të lëvizjes së lirë të qytetarëve në Evropë dhe përkrahim fort heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Unë besoj në përshpejtimin e proceseve integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo thjesht si reporter dhe jo vetëm se detyrimet janë plotësuar, por edhe se integrimi i këtyre vendeve në BE është një aspekt pozitiv, faktor paqeje dhe stabiliteti për rajonin, por edhe për mirëqenien e popujve”, tha Chountis. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, theksoi se mbështetja gjithnjë e më e fortë që vjen nga komisionerët e BE-së dhe eurodeputetët për heqjen e vizave është për ne shumë inkurajuese. “Ne do të bëjmë çdo gjë, që të merret vendimi për heqjen e vizave, pavarësisht nga përpjekjet e një njeriu për ta penguar këtë, përmes sjelljeve joevropiane. Parlamenti ka kaluar të gjitha ligjet që janë detyrim për heqjen e vizave. Po ashtu, parlamentarët po lobojnë në vendet anëtare të BE-së për të bërë të mundur marrjen e vendimit për lëvizjen e lirë”, deklaroi Topalli. Në lidhje me krizën politike në vend, raporteri Chountis the se “bojkoti ka provokuar disa probleme, por unë shpresoj që kjo situatë të zgjidhet. Nuk ka demokraci pa ndarje të pushteteve, - tha ai - dhe ndërhyrja e pushteteve te njëri-tjetri është kundër parimeve të një demokracie”.
Takimi me PDU-në dhe me PBDNJ-në
Chountis, një europarlamentar grek, për herë të parë ka takuar zyrtarisht dy drejtuesit e partive parlamentare, Shpëtim Idrizi i PDU-së dhe Vangjel Dule të PBDNJ-së. PDU njihet si mbrojtëse e të drejtave të popullsisë shqiptare, e cila kërkon kthimin e pronave në trojet e saj. Gjatë bisedës u diskutua rreth ngërçit politik në Shqipëri, problemet e emigracionit shqiptar, çështjen çame, marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, e në veçanti me Greqinë. “Ngërçi politik në vend duhet të zgjidhet nga dy forcat kryesore politike. Nëse nevojitet interpretim juridik, atëherë është Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, ku mund të drejtohen partitë”, deklaroi Idrizi. Kreu i PDU-së shtoi se “ne besojmë vërtetë që minoriteti grek dhe komuniteti çam, respektimi i të drejtave të tyre janë urat e vërteta të bashkëpunimit dhe miqësisë midis të 2 vendeve”.
Kreu i PBDNJ-së, Dule, ka sqaruar se në takimin me raporterin Chountis është biseduar edhe për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke thënë se i është kërkuar qeverisë kompromis.

Vizat dhe kriza, në fokusin e PE-së

Raporteri i Parlamentit Evropian, eurodeputeti Nikolaos Chountis, është i dërguar nga Parlamenti Evropian për të përgatitur një raport mbi situatën politike në Shqipëri. Takimin e parë Chountis e ka zhvilluar me kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Në fokus të diskutimeve, përveç çështjes së liberalizimit të vizave, është edhe kriza politike në vend, ku Chountis do të njihet edhe me qëndrimet e palëve për situatën aktuale, ku ndodhet politika shqiptare. Kështu, europarlamentari grek, Nikolaos Chountis, zhvilloi dje takime me dy drejtuesit e partive parlamentare të PBDNJ-së dhe PDU-së. Ndërsa në ditën e sotme parashikohen të zhvillohen takime me presidentin e vendit, Bamir Topi dhe drejtuesit e partive të tjera parlamentare të vendit si PR,PD dhe PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›