Qeveria po përgatit vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve

Berisha: Rritja mesatare e ekonomisë shqiptare, katër herë më e madhe se ajo e rajonit
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e sotme të qeverisë se po përgatitet vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve, nga e cila do të përfitojnë direkt 800 mijë familje, duke mbajtur kështu premtimin. Ai tha se kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë në kohën e krizës së euros dhe të borxheve, ndërsa vlerësoi modelin ekonomik shqiptar të qëndrueshëm. “Rritja mesatare e ekonomisë mbi 3%, 4 herë më e madhe se rritja ekonomike mesatare në rajon”- tha Berisha, kurse inflacioni në Shqipëri në këto vite është ulur ndjeshëm, dy herë më i ulët se rajoni, ndërsa apeloi që të vijojë rritja ekonomike dhe të dyfishohen eksportet.
Rritja e rrogave dhe pensioneve
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se pagat mesatare do të pësojnë rritje në masën 5%, ndërsa pagat e larta nuk do pësojnë rritje, ose një të ulët në masën 1%.
“Ky drejtim ka qenë shumë i drejtë, shumë njerëzor dhe ne kemi vendosur një standard të qytetëruar dhe perëndimor në diferencën mes rrogës së punonjësit dhe rrogave të zyrtarëve më të lartë. Nëse në 2005 kryeministri i vendit merrte rrogën e barabartë me 13 rroga të infermierit, në 1 korrik kjo do të zbresë në 6.2 rroga infermierësh për kryeministrin. Për ministrin ky raport ishte 1 me 10, sa rrogat e 10 infermierëve të marra së bashku, në vitin 2012 zbret në 1 me 4.7”, theksoi Berisha. Kreu i qeverisë njoftoi se rritja e pensioneve, me gjithë respektin për këtë moshë nuk do të jetë tepër e lartë. Pensionet e qytetit rriten me 4%, ndërsa pensionet e fshatit me 5%.
Kryeministri ka pohuar se ka patur debate për rritjen e pagave, pensioneve nga ndërkombëtarët, po pavarësisht debateve rritëm rrogat e pensionet, jo për fushatë, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Berisha: Rama mashtron me shifrat e papunësisë
Kryeministri akuzoi sërish Ramën për mashtrimet e tij me statistikat e papunësisë. Sipas tij Rama quan të papunë edhe fëmijët në kopshte dhe shkolla. “PS ka marrë statistikat e viteve ’90 për papunësinë”- tha ai.
“Të mos kesh edhe asnjë njohuri elementare të punësimit, të krijon përshtypje të parë që ky zotëri ka ngelur në statusin e bojërave dhe të ngjyrave por nuk është kështu pasi ai këtë e përdor për propagandën e tij. Zotëria nuk njeh strukturën e grup-moshave pasi po t’i njoh nuk bën kurrë një deklaratë të tillë” ka theksuar Berisha.