“Qeveria po punon për përmirësimin e shërbimit të noterisë”
Kryeministri Sali Berisha priti dje Rudolf Kaindl, President i Këshillit të Noterëve të BE-së
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim z. Rudolf Kaindl, President i Këshillit të Noterëve të Bashkimit Evropian. Kaindl e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e informoi atë se Këshilli i Noterëve të Bashkimit Evropian është organi zyrtar që përfaqëson noterinë në marrëdhëniet me institucionet evropiane, duke qenë njëkohësisht negociatori kryesor për ligjet dhe vendimet që Bashkimi Evropian merr në këtë fushë.
Kaindl, duke konstatuar progresin në sistemin noterial shqiptar dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi, u shpreh i gatshëm për forcimin e bashkëpunimit me Dhomën Kombëtare të Noterëve në Shqipëri, si dhe për ofrimin e të gjithë asistencës së nevojshme për ngritjen e këtij shërbimi në nivel evropian.
Në takim, Kryeministri falënderoi Kaindl për vizitën dhe takimet që delegacioni i tij po zhvillon në Shqipëri. Më tej, Kryeministri e informoi z. Kaindl për reformat e vazhdueshme të ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e proceduarave për qytetarët. Në këtë aspekt, theksoi Kryeministri, shërbimi i noterisë është vlerësuar nga qeveria si një shërbim shumë i rëndësishëm, i cili duhet të jetë bashkëkohor.
“Ne po punojmë çdo dite për përmirësimin e sistemeve tona të shërbimit, duke i bërë më lehtësisht të aksesueshme për publikun, më transparente dhe më të besueshme”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se, në këtë aspekt, “vlerësojmë dhe e mirëpresim shumë bashkëpunimin dhe ndarjen e eksperiencës më të mirë me ju”.
Topalli, Kaindl: Ligji për noterinë, do përshtasim praktikat e legjislacioni evropian/ Projektet për dixhitalizimin e sistemit të drejtësisë, konkretisht të regjistrimit elektronik të akteve noteriale të kompanive, pronësive, pronave e testamenteve ishin në fokus të bisedës mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti të Noterëve të Europës, Rudolf Kaindl. Në takimin me Kaindl, Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për bashkëpunimin me institucionet e BE-së për të përmirësuar legjislacionin mbi garancitë që noteria duhet t’i japë sistemit. Aktualisht në komisionet parlamentare të Kuvendit po shqyrtohet Ligji për noterinë, dhe Kryetarja e Kuvendit theksoi se do të ishte shumë e rëndësishme që anëtarët e komisionit të ligjeve të merrnin përvojën e institucioneve Evropiane për një ligj sipas legjislacionit evropian. Po ashtu në bashkëpunimin me Bankën Botërore pritet të zbatohet projekti mbi Dixhitalizimin, i cili mundëson krijimin e një banke të dhënash të vetme të regjistrit elektronik kombëtar me të gjitha aktet e hartuara nga noterët, si dhe lidhja e noterëve on-line me Hipotekat. Ky do të jetë një institucion që do të ndihmojë qytetaret, do ndihmojë biznesin, me një veprimtari on-line unike në rajon. Presidenti të Noterëve të Evropës, Rudolf Kaindl, i cili është edhe përfaqësues i noterëve të Austrisë, tha se do të ishte një kënaqësi të ndajmë përvojën tonë për përmirësimin e kuadrit ligjor por edhe për realizimin konkret të projektit të dixhitalizimit të noterisë. Duke vlerësuar bashkëpunimin me Austrinë për regjistrin civil, Kryetarja e Kuvendit tha se ky bashkëpunim ishte shumë i suksesshëm , veçanërisht për procesin e dixhitalizimit të regjistrit civil. Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti i noterëve të Europës Kaindl diskutuan për forcimin e bashkëpunimit mes Institucionit të Noterëve të Europës me ata shqiptarë, duke nënvizuar rëndësinë që ka reforma në sistemin e noterisë si pjesë e rëndësishme e reformimit të sistemit të drejtësisë.