E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet 4.3 për qind

06-12-2011 / Gazeta 55

Rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet të afrohet me trendet normale të rritjes të viteve para krizës ekonomike financiare globale. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, buxheti i vitit që vjen orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit makroekonomik si dhe drejt mbështetjes së rritjes ekonomike.
“Rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet të arrijë 4.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 3.9 për qind që është e pritshmja e këtij viti. Konsolidimi i financave publike, stabilizimi i nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe zbutja e deficitit tё llogarisë korrente, pёrbёjnё synimet bazë tё politikave tё koordinuara fiskale e monetare tё vendit”, u shpreh Bode, gjatë prezantimit të buxhetit në Kuvend.
Ndërkaq, ministri i Financave i konsideroi demagogji propozimet e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së apo përgjysmimin e saj për disa produkte bazë si dhe vendosjen e taksës progresive.
“Nuk shoh asnjë shenjë reflektimi për politikat e nevojshme që duhet të ndërmarrë qeveria në kushtet e krizës ekonomike financiare globale dhe reflekton mungesën totale të alternativës nga ana e opozitës, etjen e shfrenuar për të bërë demagogji, jashtë çdo principi dhe realiteti”, deklaroi Bode.
Kreu i financave tha se një politikë fiskale duhet të jetë adekuate, e përshtatshme dhe e përputhur për momentin.
“Sfida jonë është ekonomia reale, rikthimi i ekonomisë në ritmet e rritjes së saj në nivelin 5-6për qind dhe jo ndërmarrja e politikave të përçara, që kanë një sheqerosje në dukje dhe thelbin e kanë po aq të helmët sa në qeverisjet e mëparshme”- tha më tej Bode. Modeli juaj, vijoi Bode, ishte hedhja e produkteve shqiptare në përrenj. “Modeli jonë është mbështetja e fermerit vendas dhe zëvendësimi në treg gjithnjë e më shumë i mallrave të importit me ato vendase”, nënvizoi ministri Bode.
Duke u ndalur në propozimin mbi vendosjen e taksimit progresiv, Bode tha se në qeverisjen socialiste ishte 35 për qind mbi pagën. “Kërkoni të hapni tregun dhe shtigjet e evazionit, sepse nuk dini ç’është konkurrenca dhe nuk dini të konkurroni”, tha më tej ministri i Financave, Ridvan Bode.
Reagimi i ministrit të Financave erdhi pas deklaratës së nënkryetares së Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Mimi Kodheli, e cila i kërkoi Kuvendit të marrë në shqyrtim propozimet e bëra nga Partia Socialiste, pasi, sipas saj, ato synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët të cilët jetojnë nën minimumin jetik. Sipas saj, në kushtet kur ekonomia shqiptare është mbërthyer nga kriza ekonomike globale çmimet e produkteve bazë janë rritur, ndërsa fuqia blerëse është në rënie, për shkak se çmimet e produkteve bazë janë 2-3 fishuar. Kodheli, në emër të grupit parlamentar të PS-së, parashtroi propozimet, të cilat, sipas saj, do të ulnin koston e jetesës së qytetarit shqiptar e që kanë të bëjnë me përgjysmimin e TVSH-së për mallra bazë nga importi, që do të sillte një efekt prej 1.8 miliardë lekë, uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 20 për qind në 6 për qind, që do të kishte një efekt vetëm 3.1 miliardë lekë, si dhe heqjen e TVSH-së për ilaçet dhe librat. Kodheli kërkoi edhe rikthimin e taksimit progresiv. Në këtë kuadër, Kodheli nënvizoi se efektet e ndërmarrjes së kësaj pakete do të mund të kompensoheshin fare mirë përmes luftës kundër korrupsionit.

Rritja reale e PBB-së
2008 - 7.5 për qind
2009 - 3.3 për qind
2010 - 3.8 për qind
2011 - 3.9 për qind
2012 - 4.3 për qind

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›